Të fundit

Dëshmitarët përmendin emrat e dy personave për vrasjen e trefishtë

Në gjykimin ndaj dy të akuzuarve, se me 40 fishekë kishin vrarë tre persona e kishin lënduar një tjetër, dëshmitarët Besnik Hasani dhe Shpend Qerimi kanë thënë se Nysret Cena bashkë me Agron Dalloshin janë vrasës.

Në këtë rast po akuzohen Agron dhe Afet Dalloshi për vrasje e vrasje të rëndë në tentativë, ndërsa së bashku me ta ka qenë i akuzuar Nysret Cena i cili është liruar nga akuza me aktgjykim të formës së prerë raporton “Betimi për Drejtësi”.

Besnik Hasani, në dëshminë e tij ka thënë se Nysret Cena bashkë me Agron Dalloshin janë vrasës.

“Unë e kam thënë edhe më herët dhe e them prapë, Nysret Cena bashkë me Agron Dalloshin janë ekzekutues, janë vrasës. Edhe këto i them me plot përgjegjësi dhe e argumentoj qysh është bërë përgatitja, qysh ka shku ngjarja krejt, madje ktu në sallë përveç Agron e Afet Dalloshit dhe Nysret Cenes mungon edhe Arsim Kolshi zanafilla e problemit”, tha ai.

Ai ka sqaruar se me Nysretin ishte takuar edhe para edhe pas aktit i cili i kishte thënë se e vetmja breng e tij është arrestimi i Afet Dalloshit dhe thirrja e tij që të paraqitej në stacionin policor pasi që sipas tij, kishte frik se Shpend Qerimi do të fliste lidhur me ndodhitë e vrasjes.

Sipas tij, Nysret Cena ka qenë shoku më i ngushtë i tij dhe se me të ishte takuar në vazhdimësi.

Dëshmitari Hasani ka thënë se Shpend Qerimi nuk ka të bëjë fare me këtë rast dhe se ndjen keqardhje që një person i pafajshëm të vuajë dënim.

“Asnjëherë vetja nuk më është dhimbsur të jeni të bindur veç me ja dhanë 33 vjet burg një njeriut si Shpend Qerimit pa pas lidhje, duke qenë i kërcënum, i shantazhum, se s’jam duke e përjashtu vetën unë, asnjëherë se kam hek fajin nga vetja. është shumë e rëndë për me pa një njeri pa bërë send ndërsa Nysret Cena që është vrasësi kryesor të mbetet i lirë që kurrë në jetë nuk kisha pas qef me i than këto fjalë as para tyre por kështu është realiteti”, tha ai.

Ai tha Nysreti i kishte premtuar se nëse ndodh diçka për vrasjen e trefishtë, do të dilte publikisht për ta pranuar vrasjen që e kishte kryer.

I pyetur nga i dëmtuari Bujar Baftiu se pasi që ata ishin miq të ngushtë a kishte pasur ndonjë plan për këtë vrasje, Hasani tha se për këtë vrasje kishte pasur një përgatitje të cilën tha se mund ta konsideronte si plan ose marrëveshje.

Sipas tij, zanafilla e kësaj vrasje ka qenë Neshat Baftiu dhe Arsim Kolshi.

Duke u përgjigjur në pyetjen e të dëmtuarit Arben Baftiu, nëse pas ngjarjes kishte shkuar ndonjëherë bashkë me Nysret Canen te Fahri Vishi, dëshmitari Hasani tha disa javë më vonë pasi kishte ndodhur ngjarja rreth orës 1:30 pas mesnatës kishin shkuar për herë të parë te majori Fahri Vishi.

“Aty kemi shkuar bashkë me Nysretin pasi që Nysreti kishe kuptuar se rastin po dojnë me marr ndërkombëtarët. Fahiru ka dal në pizhama dhe qëllimi i Nysretit ka qenë që rastin mos ta marrin ndërkombëtarët po ta mbante Fahri Vishi si përgjegjës”, tha Hasani.

Në fund Hasani ka thënë se edhe me kamerë po të ishte i incizuar Cena duke e kryer vrasjen nuk do e kishte askush parasysh.

Ndërsa, dëshmitari Shpend Qerimi në dëshminë e tij ka thënë se ditën kritike kishte qenë me Besnik Hasanin ndërsa Nysret Cenen e kishte parë deri sa ishte në veturë por që nuk kishte folur me të.

Ai ka sqaruar se më 28 shtator e kishte telefonuar Besnik Hasani për tu takuar tek restaurant “Evropa” i cili e kishte pyetur “mos ke fol për lëvizjet e mbrëmshme të Nysretit, Agronit dhe Afetit, të datës 27 duke më thënë se e ke marr veten dhe mua në qaf nëse ke fol sepse sipas Besnikut, Nysreti i kishte thënë që veç Shpendi ka mujt kaq shpejt me tregu diçka se e pamundur është që në mëngjes me arrestu Afet Dolloshin”.

Sipas tij, me Nysretin në qendrën e paraburgimit janë takuar çdo ditë dhe 80% e bisedave të tyre kishin qenë për vrasjen e trefishtë.

“Përkatësisht shqetësimi i Nysret Cenes ka qenë mos po fol dikush, mos mesin gjurmët e papilarëve të gishtave në gëzhoj sepse thojke karikatort i kom mbush m’doket pa dorëza. Ai më ka pyetur nëse gjurmët e barutit mund të mbesin në xhemper gjatë shkrepjes dhe më ka tregu se qysh po intervenon te disa dëshmitar okular të rastit”, shtoi ai.

Ai tha se Cena kishte telefonuar Ibrahim Dalloshin duke e udhëzuar që të shkonte te Agroni dhe të shkonin në pyll të merrnin armët e vrasjes dhe t’i gjuanin në lumin Lepenc.

“Unë i kam thënë prokurorit Reshat Millakut lypni në lumin Lepenc disa fakte e prova për këto armë ai bëri me dorë dhe neglizhoi”, tha dëshmitari Qerimi.

Në fund dëshmitari iu ka drejtuar të dëmtuarit Arben Baftiut duke iu betuar se nuk ka të bëjë me këtë punë.

“Betohem n Kur’an e ku të duash, betohem në fëmijë se vrasësit që ta kanë vrarë vëllain janë Nysret Cena dhe Agron Dolloshi, janë ekzekutues. Ndërsa Afeti dhe Arsim Kolshi janë bashkëpunëtor që i kanë dërguar me veturë. Edhe 100 vite me jetu edhe qielli me tok mu bo bashkë unë këtë deklaratë nuk e ndërroj, dhe gisht kah unë mos qoni. Më vjen keq që ju nuk mund ti ngjallni personat e juaj, unë jam viktimë por mua më bëhet qarja. Tani të ndjerët nuk janë vrarë për ndonjë çështje të vogël por a është punë biznesi le ta gjej prokuroria. Shprehi keqardhje, ndaq pranone ndaq jo dora jem nuk ju ka vra, dora e Nysret Cenes dhe Agron Dolloshit ju ka vra, ma shum sdi”, tha Qerimi.

Pas kësaj, i dëmtuari Arben Baftiu ka parashtruar pyetjen e njëjtë për Besnik Hasanin dhe Shpend Qerimin duke i pyetur se a kishte njohuri nëse personat Xhabir Zharku, Fatmir Xhelili dhe Ilmi Recica kishin ndërmarr veprime për ta mbrojtur Nysret Cenen.

Hasani lidhur me këtë ka thënë se shokët e tij dhe të Nysretit i kishin thënë se Nysret Cenen e mbrojnë Zhabir Zharku, Fatmir Xhelili dhe Ilmi Reqica.

Ndërsa Qerimi tha se e kishte dëgjuar Nysret Cenen duke e i thënë Xhabir Zharkun që të intervenonte që ta nxirrte nga aty.

Pas kësaj, dëshmitari Nysret Cena në dëshminë e tij ka thënë se arsyet e takimeve më Besnik Hasanin ishte pasi që kishin pasur një biznes së bashku.

Cena ka mohuar të ketë biseduar me Hasanin për vrasjen që kishte ndodhur më 29 shtator.

I pyetur nga prokurorja speciale se a ishte takuar me Besnikun në qendra të paraburgimit, dëshmitari Cena tha se ai e kishte të ndaluar më urdhër nga gjykata që të takohej me Besnikun dhe Shpendin.

Në fund ai ka thënë se ai është i pafajshëm dhe për këtë ka një aktgjykim të formës së prerë.

Në seancën e sotme është dëgjuar edhe dëshmitari Fahri Vishi, i cili ka thënë se si zyrtar policor në Policinë e Kosovës ka punuar që nga viti 2000 deri sa në vitin 2007 kur kishte ndodhur rasti ai tha se kishte qenë zëvendës drejtor për hetime rajonale në Ferizaj.

Ai ka sqaruar se me këtë rast ishte marrë stacioni policor i Kaçanikut, ku Njësia e Hetimeve Rajonale, pasi që ishte njoftuar për rastin bashkë me prokurorin kishin dal në vendin e ngjarjes duke ndërmarr të gjitha veprimet e parapara sipas detyrës zyrtare.

Sipas tij, pas mesnatës kishte dëgjuar disa të shtëna me armë zjarri nga shtëpia e tij, e që më pas për rastin ishte njoftuar nga qendra e komunikimit në Ferizaj me ç’rast kishte mbështetur dhe koordinuar njësit relevante të policisë.

I pyetur nga i dëmtuari Bujari Baftiu, nëse në vendin e ngjarjes kishte ndonjë urdhër për arrestimin e ndonjë personi për këtë rast, dëshmitari Vishi tha se për aq sa i kujtohet aty ishte arrestuar vetëm Afet Dalloshi.

Tutje, dëshmitari Vishi ka thënë se nga të akuzuarit nuk kishte pasur në asnjë mënyrë ndonjë kërcënim, por që kishte qenë i kërcënuar nga një numër i telefonit për të cilin nuk e dinte se kush ishte.

“Kërcënimet kanë qenë si në vijim – fillimisht kush e ka kryer vrasjen me emra, mesazhi tjetër thotë se nëse nuk ndërmerr masa do të raportojmë në UNMIK, në mesazhe është thënë se kryerësit e vrasjes janë persona të rrezikshëm dhe janë përmendur emrat e Besnik Hasanit, Afet Dalloshit, Nysret Cena etj. Të gjitha mesazhet kanë ardhur nga operatori telefonik vala”, ka thënë Vishi.

Sipas tij, Policia e Kosovës kishte zhvilluar hetimet pas 3-4 viteve pas mesazheve kërcënuese, duke e njoftuar se kërcënuesi ka qenë Isa Vishi për të cilin rast tha se kërcënuesi ishte dënuar.

I pyetur se me datën 28 apo 29 shtator Nysret Cena dhe Besnik Hasani a i kishin shkuar në shtëpi në ora 2:30 pas mesnatës ai ka thënë se kjo nuk ka ndodhur asnjëherë.

Në fund ai ka thënë se asnjëherë nuk e ka telefonuar dikush për të ndikuar tek ai për hetimet e këtij rasti.

“Me plot përgjegjësi penale dhe morale e them se asnjëherë nuk më ka telefonuar dikush për të ndikuar te un për hetimet e këtij rasti, përveç mesazheve kërcënuese që përmenda më lart” shtoi ai.

Tutje, mbrojtësi i të akuzuarit Agron Dalloshi, avokati Ahmet Ahmeti ka pasur vërejtje pasi që sipas tij, në seancën e kaluar ishte aprovuar i prokurorit që sot të bëhej ballafaqimi i këtyre dëshmitarëve ndërsa sot janë marrë në pyetje nga prokuroria.

“Intencat e vendimit kanë qenë që të bëhet ballafaqimi në mes tyre e që në rastin konkret nuk është bërë por vetëm janë marrë në pyetje në cilësi të dëshmitareve e që më tepër i kanë ngja zhvillimit të hetimeve”, tha Ahmeti.

Po ashtu, edhe mbrojtësja e të akuzuarit Afet Dalloshi, avokatja Kosovare Kelmendi ka pasur vërejtje për mënyrën e procedimit të dëshmitarëve pasi që sipas saj është shkelur në tërësi dispozita ligjore për ballafaqim.

Seanca e radhës lidhur me këtë rast është caktuar të mbahet më 12 korrik.

Në lidhje me këtë rast, Prokuroria Speciale kishte ngritur aktakuzë më 2 nëntor 2009 ndaj të akuzuarve Besnik Hasani, Shpend Qerimi dhe Nysret Cena për veprat penale të vrasjeve, kurse Hasanit dhe Qerimit edhe për veprën penale të armëmbajtjes pa leje.

Lidhur me këtë, Gjykata e Qarkut në Prishtinë, me aktgjykimin e 7 shkurtit 2011, të akuzuarit Hasani dhe Qerimi i ka shpallur fajtor duke iu shqiptuar dënim me burgim afatgjatë, çdo njërit nga 33 vite, kurse të akuzuarin Nysret Cena e ka liruar nga aktakuza në mungesë të provave.

Pas shpalljes së këtij aktgjykimi, i akuzuari Hasani ka dashur të jap deklaratë në prokurori lidhur me vrasjet e datës në mes 27 e 28 shtator 2007, andaj prokuroria pas dëgjimit të tij, kishte ngritur aktakuzë më 13 shtator 2011 ndaj Nysret Cenës, Agron Dalloshit dhe Afet Dalloshit.

Por që me aktakuzën e ngritur nga Prokuroria Speciale më 5 mars 2012, është ndryshuar përshkrimi i dispozitivit të aktakuzës së 13 shtatorit 2011, ashtu që sa u përket veprave penale nën pikën I të aktakuzës, Nysret Cena nuk e ka cilësinë e të akuzuarit.

Ndërsa, të akuzuarit Agron Dalloshi e Afet Dalloshi akuzohen se sipas marrëveshjes paraprake të tyre dhe Shpend Qerimit, më 28 shator 2007, rreth orës 00:10-20, për shkak se Nysret Cena kishte pasur fjalosje me N.B. për shkak të një borxhi dhe i akuzuari Afet Dalloshi kishte pasur fjalosje më parë me N.B., për një femër, ashtu që me qëllim që të privojnë nga jeta atë, i akuzuari Afet Dalloshi me veturën e tipit “Audi A4” pronë e Nysret Cenës, ka bartur Nysret Cenën dhe të akuzuarin Agron Dalloshin, që të dy të armatosur me pushkë automatike, deri tek ura mbi lumin Lepenc në fshain Soponicë, ku kanë zënë vend afër gardhit të gjallë.

Tutje në aktin akuzues thuhet se sipas marrëveshjes të akuzuarit Besnik Hasani e Shpend Qerimi, me veturën e të akuzuarit Afet kanë shkuar në restorantin “Mani” i cili ndodhet në magjistralen Ferizaj-Kaçanik, për të parë momentin kur N.B. do të hyjë në veturën e tij për të shkuar në shtëpi, ashtu që me të rëna të burisë së veturës të informojnë Nysret Cenën dhe të akuzuarin Agron se N.B. ka arritur te ura mbi lumin Lepenc.

Gjithnjë sipas aktakuzës, në veturë të N.B. kanë qenë edhe S.B., U.B. dhe Bujar e Safik Baftiu, dhe i akuzuari Agron me Nysret Cenën, kur e kanë parë veturën, me dashje që t’i privojnë nga jeta, me pushkë automatike kanë shtënë me rafalë të gjata 40 fishekë.

Tutje, thuhet se N.B., është goditur me shumë predha në anën e djathtë të trupit dhe me një predhë në anën e djathë të kokës dhe ka ardhur deri te vdekja e tij, ndërsa S.B. dhe U.B. për shkak të dëmtimit të zemrës, mushkërive dhe mëlçisë kanë vdekur, ndërsa Bujar Baftiu nga predha e goditur ka pësuar lëndime të rënda trupore të rrezikshme për jetë, kurse Sadik Baftiu ka shpëtuar i pa lënduar.

Me këtë të akuzuarit Agron dhe Afet Dalloshi, në bashkëkryerje me të akuzuarit Besnik Hasanin, Shpend Qerimin dhe Nysret Cenën sipas aktit akuzues kanë kryer veprat penale: të vrasjes së rëndë nga neni 147, paragrafi 1, nën paragrafi 3.9 dhe 11 lidhur me nenin 23 të Kodit Penal të Kosovës dhe veprën penale të vrasjes së rëndë në tentativë nga neni 147, paragrafi 1, nën paragrafi 3 e 11 lidhur me nenin 20 dhe 23 të Kodit Penal të Kosovës.

Në dispozitivin e dytë, të akuzuarit Nysret Cena dhe Agron Dalloshi akuzohen se më 27 dhe 29 shtator 2007, pa autorizim kanë poseduar dhe bartë çdo njëri nga një pushkë automatike “AK-47”, me ç’rast me ndihmën e tyre, tek ura e lumit Lepencë në fshatin Soponicë, privuan nga jeta N.B., S.B. dhe U.B., kurse tentuan të privojnë nga jeta edhe Sadik dhe Bujar Baftiun.

Me këtë sipas aktakuzës, kanë kryer çdo njëri veç e veç veprën penale “mbajtja në pronësi, kontroll, posedim ose në shfrytëzim të paautorizuar të armëve” nga neni 328, paragrafi 2 të KPK-së.

Skandal: Prokurorja speciale dyshohet se i zhduku provat për vrasjen e trefishtë

Video nga Paradoks

Duda Balje komenton kolegët deputetë, tregon edhe analistin e saj të preferuar

Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Paparacit në Viber.

Subscribe në kanalin zyrtar të Paparacit - Kliko KËTU

Të fundit

TË TJERA

Qëndro i informuar

Për të mos ju ikur asnjë lajm, regjistrohu në Paparaci