Të fundit

Kosova ndan sovranitetin e saj energjetik me Serbinë

Qeveria e Kosovës nuk ka arritur ta shtrijë në tërësi sovranitetin energjetik në gjithë territorin e vendit, pas nënshkrimit të udhërrëfyesit për zbatim të Marrëveshjes me Serbinë për energjinë në veri.

Sipas ujdisë së miratuar sot mes dy shteteve, energjinë elektrike në pjesën veriore të Kosovës do ta faturojë “Elektrosever D.O.O.”, një kompani e cila është pronë e shtetit serb.

“Elektrosever D.O.O” është një kompani e regjistruar në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve në Kosovë (ARBK) më 2018, tregojnë të dhënat publike të Qeverisë së Kosovës, raporton Paparaci.

Bazuar në të dhënat e regjistrit të bizneseve në Kosovë, “Elektrosever D.O.O” është një kompani private, 100 për qind të aksioneve të së cilës i menaxhon ndërmarrja shtetërore e Serbisë, “JP Elektroprivreda Srbije”.

“JP Elektroprivreda Srbije”, me bazë në Beograd, është ndërmarrje publike e themeluar dhe e menaxhuar nga Qeveria e Serbisë.

Kësisoj, përmes kompanisë simotre të saj në Kosovë, e cila sipas Marrëveshjes së Brukselit do të licencohet për furnizim të energjisë elektrike në veri, ndërmarrja publike serbe do të implikohet në faturimin e energjisë elektrike për konsumatorët në veri.

Lidhja e “Elektroseverit” në veri me ndërmarrjen shtetërore serbe në Beograd është përmendur si “fitore” nga Lista Serbe, subjekti më i madh politik i serbëve të Kosovës.

“Ne kemi kërkuar që kjo të bëhet në përputhje me marrëveshjen, përkatësisht të bëhet nga Elektrosever, që është simotër e EPS-it (Elektro Provreda Srbije)”, ka thënë sot Lista Serbe në një njoftim për media.

Udhërrëfyesi për zbatim të Marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë për çështjen e faturimit të rrymës në komunat veriore të Kosovës, të cilën e miratuan sot kryenegociatorët Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq në Bruksel, ishte arritur më 2013. Por, ajo nuk ishte vënë asnjëherë në zbatim.

I dërguari special i BE-së, Miroslav Lajçak, publikoi udhërrëfyesin e plotë për zbatimin e Marrëveshjes së arritur më 2013.

  1. ZRRE do t’ia lëshojë licencën e furnizimit Elektroseverit. ZRRE-ja do të sigurojë pajtueshmërinë me kushtet e përcaktuara me licencën e furnizimit, në përputhje me kornizën ligjore dhe rregullative të Kosovës.
  2. Brenda shtatë ditëve nga lëshimi i licencës për furnizim, Elektroseveri do t’i sigurojë KEDS-it dhe KOSTT-it të dhënat më të fundit të disponueshme për konsumatorët, nëpërmjet BE-së.
  3. Brenda 10 ditëve nga lëshimi i licencës për furnizim, Elektroseveri do të nënshkruajë teknikalitet e nevojshme të marrëveshjes me KOSTT-in dhe KEDS-in për të operuar në tregun energjetik të Kosovës, d.m.th. Marrëveshja Kornizë për pranimin e rregullave të tregut të energjisë elektrike me KOSTT-in, Marrëveshja mbi Detyrimin e Bilancit me KOSTT-in, Marrëveshjen e Kyçjes me KEDS-in dhe një marrëveshje komerciale me KEDS-in për ofrimin e shërbimeve të distribucionit (faturimi, arkëtimi, mirëmbajtja dhe lidhja fizike e konsumatorëve të rinj) në katër komunat veriore me shumicë serbe, sipas paragrafit 1 të Artikullit 5 të Marrëveshjes së 2013-s.
  4. Brenda 15 ditëve nga nënshkrimi i marrëveshjeve të nevojshme teknike me KOSTT-in, Elektroseveri do të marrë Kodin e Identifikimit të energjisë (EIC) për të kryer aktivitetet e parashikuara nga furnizimi me licensë.
  5. Në përputhje me Artikullin 14 të Marrëveshjes së Energjisë, brenda 30 ditëve nga nxjerrja e Licencës për furnizim, KEDS dhe KOSTT (nën lehtësimin e BE-së, nëse kërkohet) do të kenë qasje në Nënstacionin Valaq-Nallaq, si dhe në infrastrukturën tjetër të transmetimit dhe shpërndarjes.
  6. Brenda 45 ditëve nga dhënia e licencës për furnizim, KOSTT dhe KEDS, pas konsultimit me Elektroseverin, do të dorëzojë në ZRRE planin e investimeve dhe kostot e kërkuara të mirëmbajtjes dhe humbjet e rrjetit, bazuar në shqyrtimin e plotë të infrastrukturës ekzistuese.
  7. Brenda 21 ditëve pas dorëzimit të planit të investimit, shpenzimeve të kërkuara të mirëmbajtjes e humbjeve të rrjetit, ZRRE do t’i aprovojë në parim këto plane, kosto dhe humbje.
  8. Në rast të mospërputhjes së dispozitave të këtyre konkluzioneve të rëna dakord, pas 100 ditësh nga lëshimi i licencës për furnizim, ZRRE mund të vendosë të pezullojë dhe/ose të tërheqë licencën për furnizim dhënë Elektroseverit, subjekt i konsultimeve paraprake ndërmjet palëve, të lehtësuar nga BE, gjatë një periudhe maksimale prej 15 ditësh. BE-ja do të japë një opinion, nëse kërkohet nga të paktën njëra nga palët.
  9. Zbatimi i suksesshëm i udhërrëfyesit të rënë dakord është pa paragjykim ndaj detyrimeve të palëve për të zbatuar plotësisht Marrëveshjet e Energjisë nga 2013 dhe 2015.

Video nga Paradoks

Duda Balje komenton kolegët deputetë, tregon edhe analistin e saj të preferuar

Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Paparacit në Viber.

Subscribe në kanalin zyrtar të Paparacit - Kliko KËTU

Të fundit

TË TJERA

Qëndro i informuar

Për të mos ju ikur asnjë lajm, regjistrohu në Paparaci