fbpx

Të fundit

Prokuroria kërkon dënim maksimal për Naser Pajazitajn

Me fjalën përfundimtare të palëve, ku prokurorja Valbona Disha-Haxhosaj kërkoi dënimin maksimal ndaj Naser Pajazitajt, i cili akuzohet për vrasjen e Donjeta Pajazitajt, kurse avokati Gëzim Kollçaku kërkoi lirimin e të mbrojturit të tij nga akuza, ka përfunduar të martën gjykimi i katërt në këtë rast.

Ky rast kishte marrë epilog dy herë në Gjykatën Themelore në Pejë, ku pas gjykimit të parë Pajazitaj ishte shpallur i pafajshëm, kurse pas gjykimit të dytë, ai ishte dënuar me burgim të përjetshëm. Por, në të dy rastet, aktgjykimet ishin anuluar nga Gjykata e Apelit, përkatësisht Gjykata Supreme dhe lënda ishte kthyer në rigjykim, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ndërsa, më 27 maj 2021, Gjykata Themelore në Ferizaj, e kishte dënuar Pajazitajn me burgim të përjetshëm për vrasje të rëndë, kurse Gjykata e Apelit më 29 tetor 2021 këtë çështje e ktheu në rivendosje në Gjykata Themelore në Ferizaj.

Në seancën e së martës, në fjalën e saj përfundimtare, prokurorja Valbona Disha-Haxhosaj kërkoi nga Gjykata Themelore në Ferizaj, që të akuzuarin ta shpall fajtor dhe ndaj tij të shqiptojë dënim maksimal.

“Mbetem në tërësi pranë fjalës përfundimtare të dhënë në këtë gjykatë më 24 maj 2021, shtoj se përgjatë këtij rigjykimi është vërtetuar përtej dyshimit të bazuar se Naser Pajazitaj ka kryer veprën penale të vrasjes së rëndë”, ka deklaruar prokurorja Disha-Haxhosaj.

Pala e dëmtuar në këtë rast, Shkëlqim Pajazitaj, në fjalën e tij përfundimtare tha se kërkon kompensim dëmi, duke shtuar se e përkrah fjalën e prokurores që i akuzuari të dënohet me dënim maksimal.

Kurse, mbrojtësi i të akuzuarit, avokati Gëzim Kollçaku në fjalën e tij përfundimtare tha se kjo aktakuzë është e bazuar në dy prova materiale që sipas tij asnjëra nuk ka qenë kontestuese.

“Gjykata të vendos në bazë të gjitha provave që janë administruar dhe propozoj që i mbrojturi im të lirohet në mungesë të provave” tha avokati Kollçaku.

Ndërsa, i akuzuari Naser Pajazitaj tha se e përkrah fjalën e mbrojtësit të tij, dhe se tjetër nuk ka asgjë për të shtuar.

Pas përfundimit të fjalës përfundimtare nga ana e palëve, kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Ibrahim Idrizi, konstatoi se çështja është shqyrtuar mjaftueshëm, andaj edhe e shpalli të përfunduar gjykimin për këtë çështje.

Shpallja e aktgjykimit për këtë rast u caktua të bëhet më 23 qershor 2022.

Fillimisht, Gjykata Themelore në Pejë, në mars të vitit 2018, të akuzuarin Naser Pajazitaj, në mungesë të provave e kishte liruar nga akuzat për vrasjen e Donjeta Pajazitaj, por pas ankesës së prokurorisë, Gjykata e Apelit e kishte kthyer këtë lëndë në rigjykim.

Pas kthimit në rigjykim, Gjykata Themelore në Pejë, në mars të vitit 2019, e kishte shpallur fajtor të akuzuarin dhe e kishte dënuar me burgim të përjetshëm. Ky dënim ishte vërtetuar pastaj edhe nga Gjykata e Apelit në korrik të vitit 2019.

Por, në nëntor të vitit 2019, Gjykata Supreme i kishte prishur të dy aktgjykimet e Gjykatës Themelore në Pejë dhe të Gjykatës së Apelit dhe lëndën e kishte kthyer në rigjykim.

Pas kthimit të rastit në rigjykim, Gjykata Themelore në Pejë ishte përjashtuar nga ky rast dhe lënda ishte deleguar në Gjykatën Themelore në Ferizaj, me arsyetimin për të mënjanuar dyshimet ndaj sistemit të drejtësisë.

Vendimi për delegimin e lëndës në Ferizaj ishte marrë nga Gjykata e Apelit.

Gjykata Themelore në Ferizaj, më 27 maj 2021, e kishte dënuar Pajazitajn me burgim të përjetshëm për vrasje të rëndë. Më pas, Gjykata e Apelit e ka kthyer çështjen në rigjykim.

Sipas aktakuzës së ngritur më 8 qershor 2017 nga prokurorja Valbona Disha- Haxhosaj, Naser Pajazitaj po akuzohet se më 9 nëntor 2015, në bjeshkët e Strellcit, Komuna Deçan e pikërisht në vendin e quajtur te “Kroni i Lajthisë”, i pandehuri edhe pse më parë ka qenë i dënuar për vrasje, me dashje dhe me armë dhe atë revole të tipit të panjohur në mënyrë mizore e ka privuar nga jeta viktimën Donjeta Pajazitaj nga po i njëjti fshat.

Një gjë të tillë, sipas aktakuzës, Pajazitaj e ka bërë në atë mënyrë që derisa viktima ditën kritike ka qenë duke shkuar në punë në këmbë së bashku me axhën e saj dhe kur kanë arritur tek bunari i fshatit janë ndarë, ashtu që viktima ka vazhduar rrugën në drejtim të Strellcit të Epërm dhe kur afrohet përafërsisht 150 metra afër shtëpisë së Nedi Jusaj, aty pari kalon i pandehuri Naser Pajazitaj me veturën e tij të tipit xhip sheroke me ngjyrë të kaltër i cili ndalet e merr viktimën me veturë, e më pas vazhdon në drejtim të bjeshkëve të Strellcit dhe kur arrin tek “Kroni i Lajthisë” fillimisht e privon me armë duke shtënë dy herë në kokë, e më pas për të humbur gjurmë të njëjtën e mbulon me disa drunjë dhe largohet nga vendi i ngjarjes, kurse viktima më 27 dhjetor 2015 është gjetur pa shenja jete në vendin e ngjarjes nga disa kalimtarë të rastit.

Sipas aktakuzës, Pajazitaj akuzohet se më parë e deri më 9 nëntor 2015, në fshatin Strellc Komuna e Deçanit, pa autorizim ka poseduar armën dhe atë një revole të tipit të panjohur dhe një pushkë gjuetie me numër serik 0193117 si dhe 12 fishekë të kësaj pushke, në atë mënyrë që më revole ditën kritike ka kryer veprën penale të cekur si më lartë.

Gjithashtu, sipas aktakuzës më parë dhe gjerë më 23 maj 2017, në fshatin Strellc i Ulët, Komuna e Deçanit, i akuzuari pa autorizim ka poseduar armën dhe atë një armë AK-47 dhe 2 karikatorë të zbrazet, ashtu që policia gjatë bastisjes dhe kontrollit në shtëpinë e të pandehurit në dhomën e fjetjes ka gjetur dhe sekuestruar armën e cekur si më lartë.

Me këto veprime, prokuroria e ngarkon të akuzuarin se ka kryer veprën penale të “Vrasjes së rëndë” nga neni 179 i KPRK–së dhe për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 374 i KPRK–së.

Të fundit

TË TJERA

Qëndro i informuar

Për të mos ju ikur asnjë lajm, regjistrohu në Paparaci