Këtë të enjte është duke u mbajtur seanca plenare në Kuvendin e Kosovës, ku është duke u diskutuar për ndryshim plotësimin e projekt ligjit për fondin pensional, i cili ua mundëson tërheqjen e kursimeve pensionale qytetarëve të vendit.
Edhe në këtë seancë mazhoranca e përbërë nga LVV-ja, nuk do ta votojë këtë projektligj të propozuar nga Bekim Haxhiu, deputet i PDK-së.
Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila tha se tërheqja e një pjese të mjeteve nga Trusti nuk do të përkrahet nga mazhoranca në kuvend.
Deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu, në emër të Grupit Parlamentar të PDK-së, më 9 mars pati dorëzuar në Kuvend, Projektligjin për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për Fondin e Kursimeve Pensionale, i cili do të mundësonte tërheqjen e këtyre mjeteve.
Një tërheqje e ngjashme deri në 10 për qind është bërë në fund të vitit 2020, pas përkeqësimit të gjendjes financiare të familjeve, për shkak të pandemisë COVID-19.
Në raportin e gjashtëmujorit të parë të 2021-së, Trusti kishte njoftuar janë tërhequr rreth 200 milionë euro nga më shumë se 427 mijë kontribuues.