Të fundit

Ish-bashkëpunëtori i Danica Marinkoviqit i jep përkrahje pushtetit për vettingun

Një ish-bashkëpunëtor profesional në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë në periudhën e viteve 90′, tash ushtrues i detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, i ka dhënë përkrahje zhvillimit të procesit të vettingut në drejtësi. Burimet i kanë thënë Paparacit se – pak para luftës në Kosovë – Kelmendi ka punuar si bashkëpunëtor i gjyqtares serbe, Danica Marinkoviq. Kelmendi e ka mohuar. Ka thënë se nuk ka qenë kurrë bashkëpunëtor i saj.

Paparaci

Ish-bashkëpunëtori profesional i Gjykatës së Qarkut në Prishtinë në periudhën e viteve 90′ të përjashtimit të shqiptarëve nga institucionet dhe vendet e tyre të punës, i ka dhënë mbështetje të fortë vettingut në sistemin e drejtësisë.

Ai është Besim Kelmendi, Ushtrues Detyre i Kryeprokurorit të Shtetit, i cili deri në përfundim të luftës në Kosovë më 1999, ka qenë bashkëpunëtor profesional në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë.

Burimet e Paparacit kanë bërë me dije se Kelmendi ka qenë edhe bashkëpunëtor i gjyqtares në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë, Danica Marinkoviq.

Megjithatë, Kelmendi e ka mohuar lidhjen me Marinkoviqin. Ka thënë se nuk ka qenë asnjëherë bashkëpunëtor i gjyqtares famëkeqe serbe. Ka thënë se në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë, ka punuar vetëm në cilësinë e bashkëpunëtorit profesional.

“Lidhur më pyetjen tuaj që ndërlidhet më ish-gjyqtaren e Gjykatës së Qarkut në Prishtinë, dua t’ju falënderoj që po më jepni mundësinë për t’u përgjigjur dhe për t’ju njoftuar së unë kurrë nuk kam qenë asistent i ish-gjyqtares së asaj gjykate, Danica Marinkoviq”, ka deklaruar u.d. i Kryeprokurorit të Shtetit, në një përgjigje me shkrim për Paparacin.

Prokurori ka thënë se gjatë periudhës së paraluftës, në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë ka shërbyer edhe si kryesindikalist i Punëtorëve Shqiptarë.

“Asnjëherë nuk kam rënë në kundërshtim më kërkesat e subjekteve politike shqiptare të asaj kohe, përkundrazi, së bashku edhe më punëtorët e tjerë, kam dhënë kontributin tim maksimal për realizimin e të drejtave të punëtorëve shqiptarë në atë kohë”, u shpreh Kelmendi.

Danica Marinkoviq ka qenë gjyqtare hetuese në rastin e Masakrës së Reçakut. Pjesë e grupit hetues për këtë masakër ishte edhe zëvendësi i asokohe Prokurorit Publik Komunal të Prishtinës, Ismet Shufta, dëshmon një shënim zyrtar i kohës, të cilin e posedon Paparaci. Shufta, tash ushtron funksionin e avokatit në Kosovë.

Gjyqtarja serbe, Marinkoviq shërbeu në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë gjatë viteve 90′, në kohën e okupimit të Kosovës nga regjimi i Sllobodan Millosheviqit. Në një paraqitje publike tre vjet më parë në Serbi, Marinkoviq kishte rrëfyer se si më 1999 e kishte dënuar Albin Kurtin, ish-udhëheqësin e unionit të studentëve të Universitetit të Prishtinës, një kundërshtar të regjimit të atëhershëm, raporton Paparaci.

Në përgjigjen për Paparacin, përveç se ka mohuar afërsinë me Marinkoviqin, Kelmendi ka thënë se pasluftës në Kosovë ka qenë i përfshirë në një gjykim të një rasti rreth masakrës së Reçakut.

Ai ka deklaruar se në cilësinë e gjyqtarit të Qarkut në Prishtinë në vitin 2000 ka qenë anëtar i trupit gjykues në një rast ku është gjykuar dhe është shpallur fajtor një person që ka marrë pjesë në kryerjen e masakrës së Reçakut.

“Ky rast është vërtetuar në të gjitha instancat e gjykatave në Kosovë”, ka thënë ai.

Të mërkurën, ministrja Albulena Haxhiu i ftoi në takim përfaqësuesit e Këshillit Prokurorial dhe Këshillit Gjyqësor të Kosovës, por ata bojkotuan takimin. I vetmi që pranoi ftesën e ministres Haxhiu është u.d. i Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi.

Në këtë takim, Kelmendi ka shprehur mbështetje të plotë për procesin e vettingut e udhëhequr nga Qeveria e Kosovës, ka mësuar Paparaci nga burime të afërta me organin e akuzës.

Edhe Kelmendi e ka konfirmuar këtë. Ai i ka thënë Paparacit se nuk ka arsye t’i frikësohet procesit të vettingut, një premtimi elektoral dhe prioriteti të qeverisjes së Albin Kurtit.

“Ju njoftoj se lidhur me vetingun, unë kam dhënë opinionin tim si Kryetar i Shoqatës së Prokurorëve dhe vazhdoj të mbes pranë atij opinioni edhe tani si Ushtrues i Detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit. Ky opinion është plotësisht në përputhje me opinionet e Këshillit Prokurorial dhe Këshillit Gjyqësor të Kosovës, ndërsa në takimin më Ministren e Drejtësisë, znj.Albulena Haxhiu, unë vetëm e kam konfirmuar edhe një herë ketë opinion, ndërsa para këtij takimi jam takuar edhe më Kryesuesin e Këshillit Prokurorial të Kosovës, të cilin e kam njoftuar për takimin që do të zhvillohet më Ministren e Drejtësisë”, ka thënë ai.

“Personalisht nuk kam asnjë arsye t’i frikësohem cilitdolloj të vetingut, sepse puna dhe integriteti im janë vlerësuar disa herë nga komisionet për vlerësim të performancës në kuadër të Këshillit Prokurorial të Kosovës dhe në vetingun e vitit 2010”.

Ndërkaq, Ministria e Drejtësisë, në një njoftim drejtuar mediave të mërkurën, tha se ministrja Haxhiu u dakordua me u.d. të Kryeprokurorit të Shtetit për “vazhdim të bashkëpunimit dhe takimeve edhe në të ardhmen”.

Ndërkaq, Këshilli Prokurorial i Kosovës nuk është përgjigjur në pyetjet e mediumit lidhur me (mos)autorizimin e Kelmendit për takimin e tij me ministren Haxhiu.

Këshilli Prokurorial dhe Ministria e Drejtësisë kanë zhvilluar një marrëdhënie të tensionuar që prej kur Ministria e Drejtësisë inicioi ndryshime ligjore në Ligjin për Këshillin Prokurorial.

KPK-ja, tha të enjten e kaluar se ky ligj cenon rëndë pavarësinë e këshillit. Ndërkaq, Ministria e Drejtësisë e ka cilësuar të domosdoshëm ndryshimin e Ligjit për KPK-në, i cili është miratuar në Kuvendin e Kosovës saktësisht një javë më parë. /Paparaci.com

Video nga Paradoks

"Sa ma budallë mashkulli ma shumë dhunë", "Fejohen për ni t'shkume n'deti": Valon Syla flet për dhunën ndaj grave, u drejtohet Vjosa Osmanit e Albulena Haxhiut - "Siguria financiare zgjidh shumë sene"

Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Paparacit në Viber.

Subscribe në kanalin zyrtar të Paparacit - Kliko KËTU

Të fundit

TË TJERA

Qëndro i informuar

Për të mos ju ikur asnjë lajm, regjistrohu në Paparaci