Të fundit

Prokuroria ndryshon akuzën në rastin “Stenta 1”

Në fjalën përfundimtare për rastin e njohur si “Stenta 1”, prokuroria të premten ka bërë ndryshimin e dispozitivit të aktakuzës duke e ulur vlerën e dëmit prej mbi 4 milionë e gjysmë sa ishte më parë në aktakuzë, në 11 mijë e 450 euro, raporton Betimi për Drejtësi.

Prokuroria ka kërkuar dënimin e ish-ministrit të Shëndetësisë, Ferid Agani dhe ish-sekretarit të kësaj ministrie, Gani Shabani të akuzuar për korrupsion.

Ndryshimi i dispozitivit të aktakuzës, sipas prokurores Florie Shamolli është bërë konform nenit 350 të Kodit të Procedues Penale dhe atë për sa i përket pjesës ku thotë se “nuk ju kanë nënshtruar ligjit të prokurimit” dhe vlerës së dëmit të shkaktuar.

“Arsyeja pse unë jam tërhequr nga pjesa ku thotë se ‘nuk ju kanë nënshtruar ligjit të prokurimit’, ne kemi një ekspertizë të prokurimit e cila konstaton se subvencionet nuk i nënshtrohen ligjit të prokurimit dhe kjo ka qenë arsyeja pse unë e kam bërë tërheqjen në atë pjesë”, ka thënë prokurorja Shamolli.

Ndërsa, vlera e dëmit sipas saj nuk është 4 milionë e 555 mijë e 553 euro siç ishte përcaktuar më parë në aktakuzë, por 11 mijë e 450 euro, shumë kjo për të cilën prokurorja ka deklaruar se ishte sipas ekspertit financiar.

Shamolli ka thënë se nga provat të cilat janë prezantuar dhe administruar në shumë shqyrtime gjyqësore, në mënyrë të qartë është vërtetuar se dy të akuzuarit kanë kryer veprën penale për të cilën ngarkohen.

Ajo ka thënë se prokuroria e mbështet këtë në dy marrëveshjet e nënshkruara me dy spitalet private IMH dhe EDA, e të cilat marrëveshje, sipas saj, ishin nënshkruar për një periudhë kohore njëvjeçare, ndërsa shumë pacientë ishin dërguar deri më 31 dhjetor 2015 edhe pse ministri i Shëndetësisë në atë kohë, tani i akuzuari Ferid Agani si dhe Gani Shabani, kishin marrë informacione nga Inspektorati Shëndetësor se këtyre dy spitaleve iu ka kaluar licenca dhe personat të cilët kryenin operimin nuk kishin kualifikim adekuat.

“Por, të njëjtit nuk ndërmorën asnjë veprim në mënyrë që të ndalojnë këta persona që të mos kryejnë intervenime mjekësore dhe gjitha mjetet të derdhen në këto dy spitale private”, ka shtuar tutje prokurorja.

Ajo i ka propozuar gjykatës që të akuzuarit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit.

Pas dryshimit të dispozitivit të aktakuzës, kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Kujtim Krasniqi i ka pyetur të akuzuarit pas këtij ndryshimi të deklarohen rreth fajësisë, mirëpo dy të akuzuarit

Agani dhe Shabani u deklaruan të pafajshëm.

Mbrojtësi i të akuzuarit Agani, avokati Adem Vokshi në fjalën e tij përfundimtare i ka propozuar gjykatës që në mungesë të provave të mbrojturin e tij ta lirojë nga akuza.

Vokshi ka deklaruar se gjatë shqyrtimit gjyqësor trupi gjykues ka argumentuar përmes provave të administruara se përveç marrëveshjeve me dy spitalet Inter-Med dhe EDA, jashtë institucioneve publike janë nënshkruar marrëveshje edhe me 8-9 spitale tjera me afat 1-vjeçar edhe para se i mbrojturi i tij Ferid Agani të ishte ministër i Ministrisë së Shëndetësisë.

Ai ka thënë se fakti që ministri i Shëndetësisë është njohur me udhëheqësit e këtyre dy institucioneve, nuk e ngarkon të njëjtin për ofrimin e ndonjë privilegji të këtyre dy institucioneve. Kjo ngase, sipas tij, si ministër i MSH-së nuk është njohur vetëm me këta dy persona, por është njohur me të gjithë udhëheqësit e institucioneve shëndetësore private në kohën sa ka qenë ministër.

I akuzuari Agani sa i përket pjesës së ndryshuar të dispozitivit të aktakuzës, ka deklaruar se është i befasuar me këtë ndryshim pasi që, sipas tij, ky fakt ka qenë i qartë qysh në ditët e para të këtij procesi gjyqësor.

“Është për t’u habitur se si është e mundur një

prej rasteve të shenjëstruara, si një prej aferave më të mëdha korruptive në Kosovën e pasluftës me mbi 4.5 milionë dëm në buxhetin e shtetit të pretenduar nga PSRK-ja, për 6 vite arrijnë në dëm të pretenduar prej 11 mijë euro, duke e anashkaluar plotësisht mundësinë e shkeljes së ligjit të prokurimit publik nga ana ime”, ka thënë Agani.

Agani deklaroi se gjatë këtij procesi gjyqësor është dëshmuar se në asnjë mënyrë dhe në asnjë moment nuk ka keqpërdorur pozitën e tij zyrtare, pasi që, sipas tij, çdo gjë që ka ndërmarrë e ka ndërmarrë në pajtim me dispozitat ligjore në fuqi.

Ai tha se ka bërë maksimunim e tij për të zhvilluar shërbimet publike të kardiologjisë invazive dhe kardiologjisë në vend. Ka shprehur keqardhje se kjo aktakuzë në mënyrë flagrante është ndryshuar nga PSRK-ja dhe shtoi se me një ndryshim të tillë të aktakuzës u vërtetua se nuk ka shkelur ligjin për prokurim publik.

Agani ka thënë po ashtu se marrëveshjet e bashkëpunimit si detyrim ligjor iu kanë ofruar të gjitha spitaleve private të licencuara në vend pas ftesës që u është dërguar me e-mail zyrtar për takim të përbashkët në MSH, për çka ai tha se ekzistojnë edhe procesverbalet e këtyre takimeve.

Po ashtu, ai ka deklaruar se gjatë këtij procesi gjyqësor është dëshmuar qartë se spitalet në fjalë kanë qenë të licencuara gjatë tërë kohës së ushtrimit të mandatit të tij si ministër.

Mbrojtësi i të akuzuarit Gani Shabani, avokati Skender Musa ka thënë se prokurorja e PSRK-së është thirrur në nenin 17, paragrafi 1 dhe nenin 53, paragrafi 3 të ligjit 03/2L në mënyrë të drejtë, sepse sipas tij pikërisht kjo dispozitë ligjore parasheh formën e lidhjes së marrëveshjeve për subvencione.

Sa i përket ndryshimit të shumës së dëmit të pretenduar, Musa ka thënë se PSRK-ja nuk e ka analizuar ekspertizën e ekspertit financiar, sepse, sipas tij, qartë është sqaruar se kompetencë ekskluzive e bordit ekzekutiv ka qenë përcaktimi i shumave të pagesës për shërbime të marra nga pacientët në institucione jopublike.

Ndërsa sa i përket pretendimit për ndryshim të aktakuzës se i mbrojturi i tij ka nënshkruar marrëveshje me spitale pa licencë, tha se është e pasaktë pasi, sipas tij, spitalet kanë pasur licencë.

Edhe Shabani i kërkoi gjykatës që të lirohet nga akuza. Sipas tij, marrëveshjet e bashkëpunimit janë nënshkruar në bazë të udhëzimit administrativ 03/2010 që obligon të nënshkruajë marrëveshje dhe në rregulloren e thesarit 02/2009, ku sipas tij theksohet decidivisht se për t’u paguar subvencionet duhet të ketë vendim, marrëveshje, vendim nga organet qeveritare për themelimin e bordit ekzekutiv.

Ai ka shtuar se marrëveshjet janë nënshkruar nga ai dhe janë vazhduar për një vit, kurse, sipas tij, asnjëherë nuk është cekur se marrëveshjet kanë ekzistuar edhe në vitin 2011 në afatin 6-mujor.

Shpallja e aktgjykimit për këtë çështje penalo-juridike do të bëhet më 1 gusht 2022.

Ish-ministri i Shëndetësisë, Ferid Agani, dhe ish-sekretari i Ministrisë së Shëndetësisë (MSH), Gani Shabani ishin shpallur fajtorë për keqpërdorim të pozitës zyrtare, në prill të vitit 2019. Agani ishte dënuar me dy vite e gjashtë muaj burgim, kurse Shabani me dy vite burgim. Por pas ankesave, ky aktgjykim ishte anuluar nga Gjykata e Apelit në dhjetor të vitit 2019 dhe lënda ishte kthyer në rigjykim në shkallë të parë.

Prokuroria e Shtetit, më 15 qershor 2016, pati ngritur aktakuzë kundër Aganit, Shabani dhe 62 personave të tjerë, për veprat penale “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “marrje e ryshfetit”, “dhënie e ryshfetit”, “trajtimi i pandërgjegjshëm mjekësor”, “ushtrimi i kundërligjshëm i veprimtarisë mjekësore dhe farmaceutike” dhe “shmangia nga tatimi “.

Më 26 shkurt 2018, rasti qe veçuar në tri pjesë, ashtu që të akuzuarit Agani dhe Shabani gjykohen veçmas, kurse mbi 40 mjekë të spitaleve publike akuzohen në rastin e njohur si “Stenta 2”, ndërsa pronarë e mjekë të spitaleve private akuzohen në rastin “Stenta 3”.

Agani e Shabani akuzohen se kishin keqpërdorur pozitat e tyre zyrtare me rastin e lidhjes së marrëveshjeve të bashkëpunimit me spitalet private, si dhe me ndarjen e mjeteve për pacientët që ishin trajtuar në këto spitale.

Sipas aktakuzës, e cila ishte ndryshuar në fjalën përfundimtare të mbajtur më 18 prill 2019, ekziston dyshimi i bazuar mirë se në periudhën kohore prej 22 prillit 2012 deri më 31 dhjetor 2015, Agani dhe Shabani, duke vepruar në bashkëkryerje me njëri-tjetrin dhe në bashkëpunim me të akuzuarit tjerë në këtë rast, Ali Hocaoglu dhe Borche Petrovski dhe duke shkelur ligjin e prokurimit publik kanë keqpërdorur pozitën e tyre. Një gjë të tillë, sipas prokurorisë, i akuzuari Shabani në cilësinë e sekretarit të përgjithshëm në MSH, e kishte bërë duke nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi për sigurimin e shërbimeve shëndetësore që nuk ofroheshin në institucione publike. Këto marrëveshje ai pretendohet se i kishte nënshkruar me spitalet private International Medicine Hospital (IMH) dhe Intermed EDA, pa e shpallur tenderin për sigurimin e këtyre shërbimeve.

Ndërsa Agani në cilësinë e Ministrit të Shëndetësisë pretendohet se nuk kishte penguar nënshkrimin e këtyre marrëveshjeve edhe pse kishin qenë në kundërshtim me ligjin e prokurimit publik. Mirëpo, sipas aktakuzës, Agani kishte ndikuar tek i akuzuari Shabani që të bëhej nënshkrimi i tyre dhe pas nënshkrimit të këtyre marrëveshjeve kishin vazhduar keqpërdorimin e pozitës dhe autoritetit zyrtar duke i tejkaluar kompetencat e tyre, ku me dashje dhe dijeni nuk kishin marrë veprime të nevojshme për të furnizuar me materiale kardiologjinë invazive në QKUK, por përkundrazi, në bashkëpunim me Hocaoglun dhe Petrovskin, u kishin paguar spitaleve private IMH dhe Intermed EDA shumën prej 4,555,553.00 euro.

Më ketë, sipas aktakuzës, Agani dhe Shabani kishin kryer veprën penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar, me çka kishin dëmtuar buxhetin e Kosovës në shumë prej 4,555,553.00 euro.

Të dy të akuzuarit, ishin deklaruar të pafajshëm në lidhje akuzat me të cilat ngarkohen në shqyrtimin fillestar të mbajtur më 26 shkurt 2018.

Tash kur janë bërë afër pesë vjet që nga ngritja e aktakuzës në këtë rast, epilogu gjyqësor i kësaj aktakuze nuk duket as afër.

Derisa rasti “Stenta 1” kishte marrë njëherë epilog në shkallë të parë dhe tashmë është kthyer në rigjykim, dy rastet e tjera, “Stenta 2” dhe “Stenta 3”, ende janë në gjykim në shkallë të parë. Për rastin “Stenta 3”, është mbajtur vetëm një seancë e shqyrtimit gjyqësor, kurse në rastin “Stenta 2”, janë mbajtur disa seanca, porse çështja ende mbetet në fazën e dëgjimit të dëshmitarëve.

Në ketë çështje penale hetimet fillimisht janë zhvilluar kundër 116 personave fizikë dhe 4 personave juridikë. Mirëpo, për 56 persona fizikë nuk janë plotësuar kushtet ligjore që të përfshihen në këtë aktakuzë, andaj për të njëjtit janë pushuar hetimet. Pas ngritjes së aktakuzës, prokuroria kishte hequr dorë nga ndjekja penale ndaj kardiologut Afrim Bekteshi, me arsyetimin se i njëjti është përfshirë gabimisht në aktakuzë. /BetimipërDrejtësi

Video nga Paradoks

Duda Balje komenton kolegët deputetë, tregon edhe analistin e saj të preferuar

Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Paparacit në Viber.

Subscribe në kanalin zyrtar të Paparacit - Kliko KËTU

Të fundit

TË TJERA

Qëndro i informuar

Për të mos ju ikur asnjë lajm, regjistrohu në Paparaci