Të fundit

Skandal: Agjentë të AKI-së dëshmitarë të rrejshëm – përmenden Thaçi, Veseli, Kurti e Konjufca

Një hulumtim i Paparacit ka zbuluar skandalin më të madh të përfshirjes së AKI-së, Prokurorisë në veprime që rrezikojnë rëndë sigurinë juridike në Kosovë. Ish-prokurori special, Sylë Hoxha në një marrëveshje gojore me ish-drejtorin e AKI-së, Driton Gashi, kanë përfshirë dy agjentë në këtë skandal. Dëshmitë e tyre janë bërë sebep që ish-presidenti, Hashim Thaçi ta akuzonte Albin Kurtin dhe Glauk Konjufcën për lidhje me organizatën e shpallur terroriste “Syri i Popullit”. Paparaci, zbulon prapaskenat e krijimit të këtyre dëshmitarëve.  

Vehbi Kajtazi

A mund të imagjinohet një situatë komploti për vrasjen e mbi 50 personaliteteve në krye me presidentin e vendit, të mbështetur në dy dëshmitarë – njëri cigareshitës dhe tjetri i pa punë?

Kjo ka ndodhur në Kosovë, në procesin e ashtuquajtur “Syri I Popullit”.

Këta dy dëshmitarë të koduar A2, A3, nuk janë cigareshitës e as pa punë. Ata janë pjesëtarë të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë.

Një hulumtim i Paparacit ka zbuluar skandalin më të madh të përfshirjes së AKI-së, Prokurorisë dhe organeve tjera në veprime që rrezikojnë rëndë sigurinë juridike në Kosovë duke prodhuar dëshmitarë fiktivë për të dhënë dëshmi të pambështetura.

Paparaci, ka zbuluar se ish-prokurori special, Sylë Hoxha në një marrëveshje gojore me ish-drejtorin e AKI-së, Driton Gashi, kanë përfshirë dy agjentë në këtë skandal. Ata kanë dhënë dëshmi të rrejshme në gjykatë kundër anëtarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Sadri Ramabaja, i cili akuzohet për dhënie të ndihmës në kryerjen e veprës terroriste nga Murat Jashari.

Marrëveshja e Hoxhës dhe Gashit pa u njoftuar gjykata me këtë fakt, ka rezultuar me dhënien e identiteteve fiktive për ta dhe shpalljen dëshmitarë të mbrojtur në këtë proces.

Gjykata, kurrë nuk është njoftuar me këto veprime. Thjeshtë ka miratuar kërkesën e prokurorit për t’ju dhënë statusin e dëshmitarit.

Paparaci e di identitetin e vërtetë dhe atë fiktiv të këtyre dy agjentëve të përfshirë në këtë rast.

Se kanë dhënë dëshmi të rrejshme dëshmohet me raportin e AKI-së të datës 16 mars 2017 që i ishte dërguar kryeprokurorit të Shtetit, Aleksandër Lumezi, mbi rrezikun që përbënte një grup njerëzish për të cenuar rendin juridik dhe kushtetues të Kosovës, në krye me Murat Jasharin, i cili kishte plagosur avokatin, Azem Vllasi, në banesën e tij në Prishtinë.

Në atë raport që ka siguruar Paparaci, gjatë gjurmimit në shkresat e lëndës së Prokurorisë, njoftohej institucioni i Prokurorit të Shtetit për veprimtarinë e dyshimtë të grupit. Mes tjerash përshkruhej një bisedë e Sadri Ramabajës me një të akuzuar tjetër në një lokal në periferi të Prishtinës.

Por, në raportin e AKI-së që për autorë kishte dy agjentët nuk përmendeshin vrasje, as emra njerëzish se kush duhej të vritej.

Ndërsa në dëshmitë e tyre të dhëna në Gjykatë, agjentët tashmë me identitet fiktiv dhe të mbrojtur, kishin dëshmuar se si është planifikuar vrasja e ish-presidentit Hashim Thaçi, ish-kreut të Kuvendit, Kadri Veseli, ish-kryeministrit – Isa Mustafa, ish-ministrit – Hajredin Kuçi, Xhavit Haliti, Fatmir Limaj etj, duke vazhduar me komandantë të luftës së UÇK-së, drejtorin e ATK-së, klerikët fetarë etj.

Këto dëshmi mbi të cilat është mbështetur aktakuza janë përdorur më vonë nga ish-presidenti Thaçi për ta akuzuar kryeministrin aktual, Albin Kurti dhe kryetarin e Kuvendit, Glauk Konjufca për lidhje me terrorizmin, përkatësisht organizatën “Syri i Popullit”.

Sipas aktakuzës, ky grup kishte planifikuar sulme dhe vrasje të personaliteteve të larta shtetërore të konsideruar si ish-funksionarë të viteve 1980-1991 si tradhtarë të vendit.

Pretendohej se ky grup me qëllim të vrasjes së këtyre personave që i konsideronin si tradhtarë kishin themeluar fondin “Liria e Atdheut” dhe si organizatë “Syri i Popullit” kishin një strukturë të ndarë në bazë të hierarkisë, kishin emra të koduar dhe detyra të ndara thuhet ndër tjera në aktakuzë.

Por si ndodhi përfshirja e dy agjentëve dhe ndërrimi i identiteteve?

Në kuadër të punës së tyre operative, ata kishin nën vëzhgim grupin. Cak kryesor ishte Murat Jashari dhe Sadri Ramabaja. E kishin vëzhguar në restaurantin “Panorama” në Zllatar të Prishtinës gjatë një takimi me Murat Jasharin dhe Avni Llumnicën.

Në atë takim ishte edhe ish-deputeti i Vetëvendosjes, Faton Topalli. Por ai, asnjëherë nuk ishte përmendur nga Prokuroria dhe nuk ishte ftuar si dëshmitar.

Më 23 shkator 2021, prokurori i special i rastit ka kërkuar gojarisht nga Agjencia Kosovare e Inteligjencës vazhdimin e rastit me dy agjentët e AKI-së me identitete të rrejshme. Ishin ftuar si dëshmitarë të mbrojtur në Gjykatë pas kthimit në rigjykim.

Udhëheqësit e rinj të AKI-së kishin kërkuar takim me prokurorin e ri të rastit, Burim Qerkini për të sqaruar situatën. Atëherë është kuptuar se çfarë ka ndodhur.

Pas hetimit dhe gjurmimit është zbuluar për marrëveshjet e ish-prokurorit Sylë Hoxha dhe ish drejtorit të AKI-së Driton Gashi.

Për këtë marrëveshje nuk kishte ditur as pasardhësi i Gashit, Shpend Maxhuni.

Paparaci, ka zbuluar se në janar të vitit 2018, Sylë Hoxha dhe Driton Gashi ishin marrë vesh gojarisht që AKI t’i pajisë me identitete të rrejshme dy zyrtarët të cilët kishin vëzhguar Sadri Ramabajën në restaurantin Panorama në Zllatar më datë 11 mars 2017.

Këtë e kanë thënë dy agjentët e AKI-së të cilët kanë raportuar para eprorëve të tyre rreth këtij rasti.

AKI ka të drejtë me ligj dhe rregullore t’i pajisë agjentët me identitete fiktive, por pas përfundimit të misionit, ato identitete fshihen nga sistemi.

Në rastin konkret, identitetet e tyre janë ende aktive. Sipas Ligjit për AKI-në, puna e agjentëve përfundon me rastin e dorëzimit të raporteve në Prokurori apo tek kryeministri.

Këto raporte nuk janë dhe nuk mund të përdoren si prova materiale në Gjykatë.

Në rastin e misionit të “Syrit të Popullit” në janar të vitit 2018, atyre u ishin dhënë identitete fiktive. Me ato identite ishin prezantuar si dy qytetarë të thjeshtë – njëri cigareshitës, e tjetri i papunë.

Si ka ndodhur kjo?

Prokurori Sylë Hoxha, i kishte propozuar Gjykatës që të shpallen dëshmitarë të mbrojtur.

Hoxha, tashmë në pension është njëri nga personazhet e “Klanit Pronto”. Ndërsa, ish-drejtori i AKI-së, Driton Gashi pas shkarkimit nga pozita ishte bërë sekretar në Presidencë.

Ai kishte shkuar personalisht në selinë e AKI-së. Në takim me ish-drejtorin, Driton Gashi, ishin të pranishëm edhe dy agjentët.

Gashi i kishte propozuar Sylës këtë formulë. Syla, kishte thënë: “Për mua nuk është problem”.

Kësisoj, ishte nisur procesi i bërjes së agjentëve dëshmitarë bashkëpunues.

Më 16 janar të vitit 2019, ata kanë dhënë dëshmi në Prokurori si dëshmitarë të mbrojtur me identitete të rrejshme dhe të koduar si A2 dhe A3.

Më 25 shkurt 2019, kanë dëshmuar edhe në Gjykatë.

Gjatë dëshmisë, ata kanë folur për njerëz dhe tema të cilët nuk ishin përmendur fare në takimin e Sadri Ramabajës në Panoramë.

Paparaci, ka siguruar dokumentin konfidencial të AKI-së që i ishte dorëzuar Prokurorisë. Raporti disa faqesh i ishte dërguar kryeprokurorit të Shtetit, Aleksandër Lumezi.

Raporti që mban datën 16 mars 2017 i cili ishte bërë nga dy agjentët e AKI-së, shpjegonte se çfarë kishin parë dhe dëgjuar në Panoramë.

Pos përshkrimit, kishte edhe fotografim. Në atë takim në tavolinë ndodhej edhe ish-deputeti i Vetëvendosjes, Faton Topalli.

Paparaci sjell të plotë dhe pa ndërhyrje përshkrimin e bisedës:

“Është dëgjuar se Sadri Ramabaja ka thënë: Identifikimi është i rrezikshëm. Nëse e publikon këtë. Biseda për formimin e Ushtrisë. Ti nuk mundësh nga ky kënd, sepse duhet me shku me nënshkru. Në Kosovë janë 38 shërbime. Kushdo që përdor banka nuk ka shanse. Me 10 veta duhet me u kry. 5 a 6 veta janë të besueshëm. Nuk guxon ashtu. Biseda për shërbime. Në vitin 93-94 bisedë me Ukshin Hotin, takim në Shqipëri me zyrtarë të lartë. Lufta Civile në Afrikë në shërbim të amerikanëve. Sa herë kam shku në Shqipëri më kanë prit dhe kemi biseduar. Ambasadori në Suedi. Ramushi. Sahiti më tha më përpara kisha shku partizan. Supozoj 40 blloqe, 40 vetë. Qita 40 vetë bahen 120 vetë. Pa e qitë dikush prej qatyne nuk ka shans. Për këtë po sugjeroj mos me u zgjeru ma shumë se 10 veta”, shkruan në raportin e AKI-së drejtuar kryeprokurorit të Shtetit në faqen 19.

Në këtë raport nuk përmendej fare vrasja e liderëve shtetërorë. Këtë e kishin thënë zyrtarët e AKI-së kur kishin dëshmuar si dëshmitarë të mbrojtur.

Rrjedhimisht, del se kanë shtuar gjëra që nuk janë në raport. Krejt çka kishin dëgjuar nga Ramabaja e kishin përshkruar në raport.

Këtë raport, kryeprokurori i Shteti e kishte adresuar në Prokurorinë Speciale. Sylë Hoxha ishte ngarkuar me hetimin.

Paparaci ka dërguar pyetje në AKI, në zyrën e Kryeministrit dhe në Prokurori, por ende nuk janë përgjigjur.

Çka kishin thënë agjentët e AKI-së me identitete të rrejshme në Gjykatë?

Paparaci sjell të plota dëshmitë e tyre në vazhdimin e radhës.

Video nga Paradoks

Duda Balje komenton kolegët deputetë, tregon edhe analistin e saj të preferuar

Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Paparacit në Viber.

Subscribe në kanalin zyrtar të Paparacit - Kliko KËTU

Të fundit

TË TJERA

Qëndro i informuar

Për të mos ju ikur asnjë lajm, regjistrohu në Paparaci