Të fundit

Kosova triumfon kundër kapitalit financiar rus – historia e IuteCredit dhe Monego-s në Kosovë

Republika e Kosovës e ka fituar rastin ndaj “IuteCredit” në Gjykatën Ndërkombëtare të Arbitrazhit. Kjo kompani është mbyllur nga BQK-ja më 2019-ën me dyshimet se ka marrë para me fajde në vlerë totale prej 600 mijë euro nga 16 persona në Kosovë me kamatë 12 për qind.

Suada Qorraj

Lajmi është bërë i ditur nga ish-zëvendësguvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Sokol Havolli përmes një postimi në Facebook.

“Kosova e fitoi rastin kundër IUTE CREDIT në arbitrazh ndërkombëtar. Insistimi jonë për ligjshmëri dhe vetëm ligjshmëri në vendimet tona u konfirmua si i drejtë edhe nga arbitrazhi ndërkombëtar”, ka shkruar ndër të tjera ai në Facebook.

Ndryshe, Banka Qendrore e Kosovës më 2019-ën krahas “IuteCredit,” ka mbyllur edhe institucionin tjetër mikorfinanciar “Monego”. Në llogaritë bankare të kësaj të fundit kanë hyrë mbi pesë milionë euro të dyshimta, raporton Paparaci.

Këto dy institucione financiare që kanë qenë të hapura në Kosovë janë të lidhura direkt me njerëz të fuqishëm të Rusisë të cilët janë në listën e sanksioneve të Amerikës.

Lidhur me këtë ka reaguar edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, raporton Paparaci.

Ai ka thënë se fitorja ndaj “IuteCredit” i ka shpëtuar buxhetit të vendit mbi 30 milionë euro.

“Ministria e Drejtësisë, së bashku me Avokaturën Shtetërore, janë siguruar që Kosova të përfaqësohet dhe mbrohet denjësisht gjatë gjitha fazave të procedurës në arbitrazh, duke ia përkushtuar të gjitha resurset e nevojshme ekipit mbrojtës për ta bërë të mundur këtë rezultat. Si pasojë e kësaj fitore, Ministria e Drejtësisë, i ka shpëtuar buxhetit të taksapaguesve mbi 30 milionë Euro”, shkruan ai në Facebook.

Fajdetë, milionat dhe transaksionet e dyshimta të lidhura me Rusinë – historia e “IuteCredit” dhe “Monego”

Institucioneve financiare, “Monego”, “IuteCredit” janë mbyllur në Kosovë që nga vitit 2019-të për shkak të rrezikut që paraqisnin për sigurinë kombëtare.

Në një hulumtim të publikuar nga Vehbi Kajtazi në mediumin Insajderi zbulohej se si prapa “IuteCredit” dhe “Monego” qëndronte “Mintos”, me pronar Martins Valters, i cili është i lidhur me shërbimin rus.

Pjesë e këtij rrjeti është edhe “Mogo”, por ky institucion që nga ajo kohë nuk është mbyllur nga ana e institucioneve të Kosovës.

Krahas lidhjes me Rusinë hulumtimi zbulonte se këto institucione ishin të lidhura edhe me Rusinë, Qipron dhe aferën e Panamasë.

“Mintos”, kompania amë dy institucioneve financiare të hapura në Kosovë, krahas Valters, është në pronësi edhe të disa aksionarëve të tjerë. Kurse, vetë platforma përdoret nga investitorë rusë përmes institucioneve financiare nga Rusia.

Lidhjen e Valter me Rusinë e bënë më të sigurt një vulë në pasaportën e tij, e cila sipas institucioneve kosovare është e shërbimit sekret rus, përcjell Paparaci.

“IuteCredit JCS” është regjistruar në Kosovë me 13 shkurt 2017, si shoqëri aksionare, me kapital të përgjithshëm 200,000 euro. Sipas dokumenteve të Agjencisë për Regjistrimin e Bizneseve, pronar i subjektit është subjekti juridik “AS IuteCredit Europe”, i regjistruar në Talinn të Estonisë si shoqëri aksionare.

Sipas statutit të subjektit juridik “IuteCredit Kosovo JSC”, kjo shoqëri do të menaxhohet nga bordi menaxhues i cili përbëhet nga: Allar Niinepuu, kryetar i Bordit të Drejtorëve – Shtetas i Estonisë, Tarmo Sild, anëtar i Bordit të Drejtorëve, po ashtu shtetas i Estonisë, Mari-Liis Sammul, Anëtar i Bordit të Drejtorëve.

Drejtori ekzekutivi i shoqërisë aksionare “IuteCreditKosovo JCS”, ishte Shpend Maxhera.

“IuteCredit” kishte zhvilluar veprimtari joligjore, kjo sepse si institucion mikrofinanciar, nuk ka pasur të drejtë të kryej veprimtari tjera pos dhënies së kredive. Mirëpo, ky institucion ka shkelur ligjin dhe ka marrë para fajde nga 16 persona në Kosovë, të cilët kryesisht punojnë në banka tjera komerciale me kamatë prej 12 për qind.

Vlera e përgjithshme e kësaj fajdeje, është 600 mijë euro. Këto para i ka dhënë kredi për klientë me kamatë që kalojnë edhe 100 për qind.
Sipas një raporti të inteligjencës Kosovare ishte zbuluar se “IuteCredit” po kryente aktivitet të dyshimtë duke bashkëpunuar me platformën “Mintos”, të themeluar nga pronari i “Monego”, Aigars Kesenfelds, por që tash drejtohet nga Martins Valters.

Kurse, “Monego” në Kosovë me pronar Aigars Kesenfelds, ka realizuar disa transaksione të cilat autoritetet kosovare i konsiderojnë të dyshimta.

“Monego”, ka huazuar afro 1,000,000.00 euro nga “AVOLE HOLDINGS AS”, me adresë “Antonijas Street 8-4, Riga, Latvia 2”, “NOVO HOLDINGS AS”, me adresë “Antonijas Street 8-4, Riga, Latvia” dhe “ ZS INVEST HOLDINGS AS” me adresa “Gertrudes str.30-27, Riga, Latvia”.

Transferet hyrëse janë realizuar në bazë të kontratave për huazim të lidhura në mes palëve. Si përfaqësues i “Monego” SHPK është nënshkruar i autorizuari në llogari, Egzon Halili.

Kontratat, përpos nënshkrimeve, nuk kanë ndonjë vulë por as nuk janë të noterizuara apo të përpiluara nga ndonjë zyre ligjore.

Dy prej kompanive huadhënëse kanë adresën e njëjtë “Antonijas Street 8-4, Riga”.

Këtë adresë ka edhe “AS Fenderson Properties”, me të cilën kanë pasur transaksione.

Njëri nga palët nënshkruese, Maris Keiss, është mik i afërt i pronarit të “Monego SHPK”, Aigars Kesenfelds. Bazuar në këto transaksione, “Monego”, ka pranuar pesë milionë euro. Këto para janë shfrytëzuar për pagesa të ndryshme, përfshirë kredi për klientët.

Mediat botërore e kanë lidhur pronarin e “Monego SHPK” në Kosovë, Aigars Kesendfelds, me oligarkun rus, Oleg Boyko, të cilit Aigars Kesenfelds, i ka shitur aksionet e biznesit “4 Finance”, biznes i cili ka pasur lidhje me vendet Offshore.

Kosova bën pjesë në territorin e minierës nga e cila njerëz të lidhur me regjimin e presidentit të Rusisë, Vladimir Putin, prej vitesh kanë siguruar miliarda euro nëpërmjet “kredive të shpejta”, viktima të të cilave janë kryesisht qytetarë me të ardhura të vogla. Bizneset e katër letonëve, që kishin ideuar dhe nisur këtë formë përfitimi, janë shtrirë edhe në Shqipëri e Maqedoni.

“Monego” dhe “IuteCredit”, janë pjesë e një rrjeti institucionesh që kanë ofruar kredi të shpejta me kamata ekstremisht të larta, të vëna jashtëligjshëm.

Kurse, siç raportonte Koha, biznesi i kredive të shpejta ka filluar në Letoni, një shtet postkomunist. “Dhjetë vjet më parë, katër shokë që vijonin mësimet në një shkollë elitare në kryeqytetin Riga themeluan një Start-up, ‘AS OC Finances’. Ishin Aigars Kesenfeld, Alberts Pole, Kristaps Ozols dhe Maris Keiss. Së paku tre prej këtyre janë përfIutes të fundit nga bizneset e kredive të shpejta, të vendosura në Kosovë e rajon”, shkruante “Koha Ditore”.

Të katërtit kishin formuar kompaninë “4Finance”, biznes ku më vonë bleu shumicën e aksioneve oligarku Oleg Boyko. Ky i fundit ndodhet në listën e personave kryesor që i shërbejnë Putinit. Kjo listë është lëshuar nga Thesari i Shteteve të Bashkuara./Paparaci.com

Video nga Paradoks

Duda Balje komenton kolegët deputetë, tregon edhe analistin e saj të preferuar

Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Paparacit në Viber.

Subscribe në kanalin zyrtar të Paparacit - Kliko KËTU

Të fundit

TË TJERA

Qëndro i informuar

Për të mos ju ikur asnjë lajm, regjistrohu në Paparaci