Të fundit

Kusari-Lila paralajmëron gjetjen e një zgjidhjeje për targat

Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, paralajmëron gjetjen e një zgjidhje për targat ilegale në veri. Ajo thotë se është një intensitet dhe dinamikë e shtuar për arritjen e një zgjidhjeje për targat para datës 21 nëntor, pasi është në interes të të gjithëve që mos të ketë eskalim të situatës së sigurisë në atë pjesë.

Megjithatë, shefja e deputetëve të LVV-së, thekson se gjendja në teren në veri, nuk mund të nxjerr nga binarët procesin e dialogut, i cili pashmangshëm duhet të përmbyllet me një marrëveshje finale me njohje reciproke.

Kusari-Lila në një intervistë për KosovaPress, thotë se kundërshtimi i ashpër i serbëve lokal në veri për targat është shkaktuar si rrjedhojë e ikës së ballafaqimit të presidentit serb, Aleksandër Vuçiq me dispozitat e marrëveshjes finale me Kosovën.

“Është në interesin e të gjithëve, përfshirë institucionet e Kosovës dhe qytetarëve që mos të kemi një eskalim të situatës. Cilët do të jenë hapat e radhës mbetet të shihet, pasi është një dinamikë dhe intensitet i shtuar.

Megjithatë kjo çka ka ndodhur aktualisht nuk mund të nxjerr nga binarët një proces i cili pashmangshëm duhet të përmbyllet me një marrëveshje finale dhe normalizim të raporteve që do të vjen përmes njohjes reciproke.

Prandaj çka do që është shkaktuar në teren si rrjedhojë e më shumë ikjes së ballafaqimit të vet Vuçiqit me dispozitat e marrëveshjes finale me të pashmangshëm që Kosova duhet njohur dhe është shtet sovran dhe i pavarur, nuk bënë të humbin fokusin me çështje të situatës së krijuar. Krejt në fund kjo ka të bëjë me rend dhe ligj në Kosovë.

Prandaj institucionet e Kosovës, Qeveria e Kosovës, përfaqësuesit legjitim të Kosovës janë ata që duhet maksimalisht të angazhohen, por të tregojnë se kanë trajtimin e njëjtë për gjithë qytetarët pa dallim”, thekson Kusari-Lila.

Duke komentuar betimin e deputetëve të Listës Serbe, Kusari-Lila thotë se ata po përfaqësojnë Vuçiqin dhe jo komunitetin serb në Kosovë.

“Deputetët e Listës Serbe deri më tash shumë pak, apo fare nuk kanë përfaqësuar komunitetin serb në Kosovë. Fatkeqësisht ata kanë përfaqësuar komplet politikën e Vuçiq dhe interesat e tij, në këtë rast përmes Kuvendit të Kosovës. Ne do të donim të kishim një kuvend që është pasqyrë e komuniteteve që jetojnë në Kosovë, përfshirë edhe serbët.

Të këtë dialog dhe komunikim të mirëfilltë. Me një grupim polik si Lista Serbe ka qenë shumë e vështirë, gati e pamundur që të ketë normalitet të komunikimit…Ata morën mandatet sipas Kushtetutës, përtej asaj që kemi parë nuk mund të komentojë tjetër se çka ka tjetër në prapaskenë. Komunikimet të tjerë të përfaqësuesve të tjerë që do të ishin në listë, sikur këta mos të merrnin mandatet thonë se këta kanë marrë mandatet që mos të vijnë të tjerët. Megjithatë është hera e parë ndër vite që tashmë shohim zëra ndryshe edhe nga komuniteti serb, kjo është e shëndosh për demokracinë”, shton ajo.

Sa i përket kritikave për prishje të raporteve me ShBA-në, Kusari-Lila, thotë se të njëjtat janë të paqëndrueshme.

Sipas saj, në dy vitet sa është në krye Qeveria Kurti, ka pasur momente të tjera kur ekzekutivi ka marrë një vendim i cili fillimisht nuk është mbështetur nga partnerët, por më pas është pranuar si vendim i një vendi sovran.

“Qeveria e Kosovës, institucionet dhe ne pastaj si deputetë kemi kontakt të vazhdueshëm me Ambasadën Amerikane, por edhe përfaqësues të tjerë amerikanë. Ka pasur momente të tjera në këtë dinamikën më pak se dy vite, ku Qeveria ka pasur një vendim që nuk është mbështetur nga partnerët tanë, por i cili pastaj është pranuar si vendim i një vendi sovran në raport me zhvillimet me Serbinë.

Aktualisht situata është si të dakordohemi që të kemi një normalitet e para dhe e dyta që mos të eskalojë situata e sigurisë në veri, e cila është në interes të të gjithëve. Këtu jemi në pikën e njëjtë me bashkëpunëtorët dhe partnerët strategjikë, përfshirë ShBA-në. Ndoshta kemi ide të ndryshme, por që ne konsiderojmë se gjithmonë si parti në pozitë, por edhe si grupim politik që duhet të jemi proaktivisht të angazhuar, gjë që po e bënë kryeministri, zëvendëskryeministri dhe ne të tjerët, që të arrijmë tek zgjidhja më e mirë. Edhe nuk duam të kemi kompromis ndërmjet demokracisë, rendit dhe ligjit për një grupim të caktuar, pasi është treguar shumë raste se nuk ka jetëgjatësi një stabilitet i përkohshëm për shkak se prapë dikur nëse nuk ka rend dhe ligj mund të ekslaojë situata”, deklaron Kusari-Lila.

Krahas këtyre, shefja e deputetëve të LVV-së për KosovaPress, flet edhe për procesin e liberalizimit të vizave, për të cilin thotë se ka paqartësi, pasi varet nga dinamika që nuk lidhen me Kosovën.

“E shohim si të ndjeshme situatën ndaj të cilës kemi pasur kujdes qysh në fillim të këtij procesi, muaj më parë kur na është kërkuar vazhdimisht të flasim për datën, duke ditur mundësinë e komplikimeve sikur këto të fundit. Por ende ka shpresë të besohet se mund të kemi një vlerësim para përfundimit të vitit, i cili nuk do të shtynte më tutje. Por prapë po e them se nuk është një rrethanë që mund të ketë ose ka qartësi. Prapë varet nga shumë dinamika të tjera që jo gjithmonë lidhen me Kosovën dhe në veçanti që me radhë presidencës e Bashkimit Evropian do të ketë Suedia dhe Spanja”, përfundon Kusari-Lila.

Ndryshe, kryeministri Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, të premten janë ftuar në Bruksel nga kryediplomati evropian, Josep Borrell, për të gjetur një zgjidhje për ngërçin e krijuar në veri të vendit.

Pas fillimi të zbatimit të vendimit të Qeverisë së Kosovës më 1 nëntor, ku ishte faza e parë e qortimit, serbët lokal në veri, të mbështetur nga Beogradi zyrtar, kanë filluar të japin dorëheqje nga institucionet e Republikës së Kosovës.

Video nga Paradoks

Duda Balje komenton kolegët deputetë, tregon edhe analistin e saj të preferuar

Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Paparacit në Viber.

Subscribe në kanalin zyrtar të Paparacit - Kliko KËTU

Të fundit

TË TJERA

Qëndro i informuar

Për të mos ju ikur asnjë lajm, regjistrohu në Paparaci