Të fundit

Osmani takon Macronin në Samitin e Frankofonisë

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka shpërndarë fotografi nga Samiti i Frankofonisë, ku morën pjesë 88 liderë të vendeve pjesëmarrëse të këtij samiti.

Osmani, gjatë pjesëmarrjes në këtë samit u pa të ketë takuar edhe presidentin e Francës, Emmanuel Macron.

Presidentja Vjosa Osmani në fjalimin e saj në Samitin e Frankofonisë, ka deklaruar se Kosova po punon me këmbëngulje që ta reduktojë edhe më hendekun ndërmjet burrave dhe grave në të gjitha fushat e jetës, përfshirë edhe zhvillimin teknologjik.

Në sesionin e parë plenar të këtij samiti i cili iu kushtua zhvillimeve në fushën e digjitalizimit, Osmani ka thënë se shteteve iu takon të përcjellin mesazhe të rëndësishme, jo vetëm për paqen në botë, por edhe për mundësitë e zhvillimit në epokën digjitale.

“Presidentja Osmani mbajti një fjalim në sesionin e parë plenar të Samitit të Frankofonisë i cili iu kushtua zhvillimeve në fushën e digjitalizimit. Në fjalimin e saj, Presidentja theksoi se si anëtare e familjes së madhe 88-anëtarëshe të Frankofonisë, shteteve iu takon të përcjellin mesazhe të rëndësishme, jo vetëm për paqen në botë, por edhe për mundësitë e zhvillimit në epokën digjitale, të cilat janë bërë të domosdoshme sidomos pas sfidave që na përcollën gjatë pandemisë”, thuhet në njoftimin e Presidencës.

Tutje, bëhet e ditur se Osmani ka theksuar se vlerat e përgjithshme, siç janë solidariteti, diversiteti dhe barazia, të promovuara nga Organizata Ndërkombëtare e Frankofonisë, mund të ndikojnë në krijimin e një qasjeje të përbashkët si përgjigje ndaj sfidave.

“Më tej, Presidentja Osmani foli mbi digjitalizimin, si vektor i rëndësishëm i zhvillimit të qëndrueshëm, duke u përqëndruar në ndikimin që ai ka në përshpejtimin e zhvillimit ekonomik dhe social. Ajo theksoi se Kosova përbën histori suksesi në zhvillimin e sektorit të teknologjisë informative dhe të komunikimit dhe shtoi se Kosova po punon me këmbëngulje që ta reduktojë edhe më hendekun ndërmjet burrave dhe grave në të gjitha fushat e jetës, përfshirë edhe zhvillimin teknologjik. Sipas Presidentes Osmani, zhvillimi i shpejtë teknologjik duhet të na përgatisë për përgjigjet ndaj sfidave të së ardhmes”, thuhet mes tjerash në komunikatën për media.

Osmani ka shtuar se “ne duhet të sigurohemi se do ta përdorim drejt dijen tonë, duke u kujdesur që përdorimi teknologjik t’i shërbejë afrimit dhe solidaritetit ndërmjet njerëzve dhe popujve”.

Presidenca gjithashtu njoftoi se në këtë samit Osmani ka takuar një numër të krerëve të shtetit e të delegacioneve të vendeve të ndryshme që ishin prezent.

“Në hapje të samitit u diskutua mbi vlerat e përbashkëta të cilat i kultivon Organizata e Frankofonisë, përfshirë diversitetin kulturor, etnik e gjuhësor, si dhe parimet bazë të saj, sikur janë zhvillimi i qëndrueshëm ekonomik, politik e social. Në samit, Presidentja u mirëprit nga Presidenti i Tunizisë Kais Saied dhe kryeministrja e Tunizisë, Najla Bouden dhe nga sekretarja e Përgjithshme e Frankofonisë, Louise Mushikiëabo”.

“Ndërkaq, në margjina të samitit, Presidentja kishte diskutime me Justin Trudeau, kryeministër i Kanadasë, Emmanuel Macron, President i Francës, Charles Michel, President i Këshillit Evropian, Alexander De Croo, kryeministër i Belgjikës, Macky Sall, President i Senegalit, Paul Kagame, President i Ruandës, Mohamed Ould Ghazouani, President i Mauritanisë, Nikol Pashinyan, kryeministër i Armenisë, presidentin e Sllovenisë, Borut Pahor, me zëvendëskryeministrin dhe ministrin e Shtetit të Katarit, z. Hamad Bin Abdulaziz Al Kaëari, me Ioannis Kasoulides, ministër i Jashtëm i Qipros, me Sylvie Baïpo Temon, ministre e Punëve të Jashtme të Republikës së Afrikës Qendrore, me Moussa Faki, kryetar i Komisionit të Unionit Afrikan, si dhe me liderë të tjerë pjesëmarrës”.

Samiti i Frankofonisë ka mbledhur krerët e shteteve anëtare dhe anëtarëve të asociuar të Organizatës Ndërkombëtare të Frankofonisë për të diskutuar mbi sfidat e përbashkëta politike dhe ekonomike, forcimin e bashkëpunimit frankofon, avancimin e të drejtave të njeriut, arsimit, kulturës dhe demokracisë.

Kosova është anëtare e asociuar e Organizatës së Frankofonisë nga viti 2018.

Video nga Paradoks

"E di përdorimin e shpatave": Jo veç Tai Chi e Përparim Ramës, Ramush Haradinaj flet për arte të tjera marciale që ai i di - "Yoseikan Budo, Viet Vo Dao"

Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Paparacit në Viber.

Subscribe në kanalin zyrtar të Paparacit - Kliko KËTU

Të fundit

TË TJERA

Qëndro i informuar

Për të mos ju ikur asnjë lajm, regjistrohu në Paparaci