Të fundit

Krejt çka ndodhi dje në mbledhjen e përbashkët Kosovë-Shqipëri

Deputetë të Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe të ata të Shqipërisë dje për nder të 110-vjetorit të Pavarësisë Shqipërisë, mbajtën mbledhjen e parë të përbashkët midis dy parlamenteve, ​duke shënuar kështu nivelin më të lartë të bashkëpunimit në historinë e parlamentarizmit të të dyja shteteve.

Bashkëkryesuesit e kësaj mbledhjeje, kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca dhe kryetarja e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, Lindita Nikolla, në fjalimet e tyre përshëndetëse theksuan rëndësinë e kësaj mbledhjeje të përbashkët, si gurthemel të një tradite të re të bashkëpunimit ndërparlamentar.

Kryeministri Edi Rama e cilësoi ditën e djeshme një ditë të bukur, duke shtuar se marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Kosovës nuk janë vetëm të shkëlqyera, por edhe produktive.

Rama shtoi gjithashtu se dy shtetet duhet t’i japin vendin e duhur në libra dhe hapësirat publike 40 firmëtarëve të Deklaratës së Pavarësisë së shqiptarëve.

Gjithashtu theksoi se njohja përfundimtare e Kosovës do të vijë.

“Kosova nuk do pres aq sa ka pritur për t’u njohur dhe për të qenë e pranishme në çdo instancë të organizimit të botës ku ne jetojmë. Marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Kosovës sot nuk janë vetëm të shkëlqyera, por janë edhe produktive më shumë seç kanë qenë ndonjëherë. Mjafton të shohim të dhënat e shkëmbimeve tregtare apo lirinë e lëvizjes që deri dje dukej e pamundur, apo abetaren e përbashkët, apo punën e përbashkët për fjalorin enciklopedik”, tha Rama.

Kryeministri Albin Kurti, tha se Kosova dhe Shqipëria duhet të jenë më shpesh bashkë.

“Na duhet të jemi më shpesh bashkë dhe jo vetëm në kremte dhe jo vetëm ne politikanët. Na duhet të punojmë bashkë, të ndajmë ide me njëri-tjetrin, t’i pranojmë kritikat njëri-tjetrit, pra të punojmë së bashku. Hapësira jonë publike, politika, kultura e ekonomia, nuk janë çifligje të bllokuara me tapi, por e përbashkëta, kalaja ku e vëmë të gjithë nga një gur”, tha kryeministri Kurti.

Ai tha tutje se Shqipëria ka bërë hapa të mëdhenj përpara, është anëtare e NATO-s, ka nisur negociatat me BE-në dhe ka ecur para në shumë fusha.

Kurti tha se Kosova u gëzohet sukseseve të Shqipërisë dhe Shqipëria u gëzohet sukseseve të Kosovës.

“Urojmë që sukseset e Shqipërisë të mos ndalen, por vetëm të shtohen çdo ditë. Jam i bindur se ashtu siç gëzohemi ne edhe Shqipëria gëzohet për Kosovën”, tha Kurti.

Kyreparlamentarja e Shqipërisë, Lindita Nikolla tha se sa më shumë të koordinohemi aq më shumë përparon bashkësia shqiptare në Ballkan.

“Dikur as si ëndërr nuk mund të na shfaqej ky moment për shkak të pengesave të historisë. Shqipëria dhe Kosova janë sot dy shtete të pavarura me miq dhe aleatë të mëdhenj dhe me aspiratë të përbashkët drejt Brukselit. Sa më shumë të koordinohemi aq më shumë përparon bashkësia shqiptare në Ballkan. Sa më e qëndrueshme bashkësia shqiptare, aq më i qëndrueshëm do të jenë Ballkani dhe Evropa. Dy Kuvendet tona duhet të japin kontribut në fushën e legjislacionit për një jetë më të mirë”, tha Nikolla.

Kurse kryekuvendari Glauk Konjufca tha se historia jonë kombëtare është sikurse një substancë e vetëdijshme e cila shpaloset përmes 28 Nëntorit.

“Pikërisht në këtë ditë lindi heroi i madh i Kosovës e i shqiptarisë, Adem Jashari, i cili duke luftuar për komb e atdhe së bashku me Hamzën e bacën Shaban, u sakrifikua me familjarë e bashkëfshatarë në Prekazin legjendar. Kjo rënie heroike i dha hov epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës e cila u shfaq në Drenicë më 28 nëntor. Lufta e lavdishme çlirimtare e popullit tonë e largoi okupatorin serb nga Kosova dhe kjo i hapi rrugë shpalljes së pavarësisë së Kosovës, ashtu sikurse një shekull më parë Lidhja e Prizrenit i hapi rrugë shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë”.

“Hasan Prishtina e Shaban Polluzha, Jusuf e Bardhosh Gervalla e Kadri Zeka, Rexhep Mala e Nuhi Berisha, Afrim Zhitia e Fahri Fazliu, Zahir Pajaziti e Fehmi Lladrovci, e të gjithë dëshmorët tanë, luftuan e ranë për lirinë e kombit shqiptar meqë në zemër e kishin 28 nëntorin. Atëherë kur ishim të shtypur e jetonim nën terrorin jugosllav, atëherë kur ecnim nëpër tehun e hollë të ekzistencës, popullin tonë të pamposhtur e mbajti gjallë lidhja e fuqishme me 28 nëntorin, dashuria e madhe për kombin, për tokën dhe gjuhën tonë shqipe”, tha Konjufca.

Video nga Paradoks

"Në VV s'mundesh me pasë mendim privat": Valon Syla flet edhe për 'përzierjen' e fesë në politikë - "Ibrahim Rugova i ka fitu 68% me fotografi të Nënës Terezë e Papa Gjon Palit"

Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Paparacit në Viber.

Subscribe në kanalin zyrtar të Paparacit - Kliko KËTU

Të fundit

TË TJERA

Qëndro i informuar

Për të mos ju ikur asnjë lajm, regjistrohu në Paparaci