Të fundit

Kush (s)i ka meritat për vizat: Kurti i gazsjellësit apo Kurti i pushtetit?

Ende pa u liberalizuar vizat në Kosovë, qeveritarët mbase jo për herë të parë, kanë filluar t’ia atribuojnë vetes meritat për disa hapa pozitivë që i paraprijnë një procesi të tillë, raporton Paparaci.

Ndonëse ambasadorët e vendeve anëtare të BE-së u pajtuan të mërkurën për t’i dhënë mandatin Këshillit Evropian që të negociojë procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën me Parlamentin Evropian, menjëherë filloi debati se kush më shumë e kush më pak nga Prishtina zyrtare duhet të duartrokitet.

Sipas vendimit, lëvizja pa viza për qytetarët e Kosovës do të jetë e mundur kur të hyjë në fuqi sistemi evropian i udhëtimit, ETIAS, dhe data për këtë është 1 nëntori i vitit 2023.

Por, në rast se do të ketë vonesa për këtë sistem, liberalizimi i vizave për Kosovën do të hyjë në fuqi jo më vonë se më 1 janar të vitit 2024.

Megjithatë, nuk ishin të vonshme reagimet e krerëve të Qeverisë së Kosovës.

Fillimisht, qe kryeministri Albin Kurti i cili e ka mirëpritur vendimin e ambasadorëve të Bashkimit Evropian që t’i japin Kosovës dritën e gjelbër për liberalizimin e vizave, porse meritat kryesore për këtë ai i ka lënë qeverisjes së tij.

Kurti theksoi se kriteret teknike ishin plotësuar tash e një kohë të gjatë, por kërkesat e ndërkombëtarëve, sipas tij, ishin sundimi i ligjit, luftimi i krimit dhe korrupsionit, si dhe respektimi i institucioneve të pavarura.

Kreu i ekzekutivit thotë se këto nuk u përmbushën dot nga qeverisjet e kaluara, por nga qeverisja që e udhëheq nga fillimi i vitit 2021.

“Mirëpresim vendimin e rëndësishëm por edhe të vonuar të shteteve anëtare të BE-së për procesin e liberalizimit të vizave për qytetarët e Republikës së Kosovës. Ky vendim është njohje dhe konfirmim i përkushtimit tonë për sundimin e ligjit, luftën kundër korrupsionit, forcimin e kontrollit kufitar dhe menaxhimin e migrimit”, shkroi Kurti në Facebook nën petkun shefit të qeverisë.

Kush (s)i ka më shumë meritat për temën e vizave: Kurti i opozitës, Kurti i pushtetit, apo asnjëra?

Një diskurs i tillë u kritikua nga nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku, e cila risolli në publik opozitarizmit e dikurshëm të Kurtit.

Tentimi i Kurtit dhe zëvendësit të tij, Besnik Bislimi, që t’ia faturojnë vetes meritat për heqjen e vizave ndaj kosovarëve të cilët po vazhdojnë padrejtësisht të mbahen të izoluar, bëri që ish-ambasadorja e Kosovës në ShBA ta përmend gazin lotsjellës që dikur përdorej nga Lëvizja Vetëvendosje.

“Sa për kontributin tuaj në këtë proces, ai fillon dhe përfundon me gazin lotëshjellës në parlament”, shkroi Çitaku, kjo referuar kohës kur Kosova ishte në pako me Ukrainën dhe Gjeorgjinë për liberalizimin e vizave më 2016, e ku procesi ishte ndërlidhur me kriterin e Demarkacionit të kufirit me Malin e Zi.

“Kryeministri në një status të gjatë në facebook duke bërë përpjekje me ia dhanë vetes meritat për liberalizimin e vizave (në vitin 2024), paska thënë të pavërteta të mëdha, duke justifikuar kështu edhe vonesat e BE për liberalizimin e vizave”, shtoi ajo.

“Kryeministër, kriteret Kosova i ka përmbushur moti. Siç shpresoja ta kishit kuptuar së paku javën e kaluar kur çështja e liberalizimit të vizave për Kosovën u hoq nga agjenda, vonesat për Kosovën, së paku nga viti 2018 janë të pajustifikueshme dhe të natyrës politike”, përfundoi Vlora Çitaku.

Kësisoj, diskutimet të cilat nuk vinë për herë të parë në publik, shpërfaqin përpjekjen e pushtetarëve që t’i fryjnë gjërat e të vogla për t’i shndërruar ato në diçka të jashtëzakonshme.

Sidoqoftë, nga opozita e Kuvendit të Kosovës janë kategorikisht kundër që meritat kryesore t’i marrë Qeveria Kurti për çështjen e vizave, madje i fajësojnë ata që kjo ende nuk ka ndodhur pikërisht për shkak të LVV-së dhe opozitarizmit të egër të tyre.

Ndërkohë, nga partia në pushtet theksojnë se vendimi i sotëm nga ndërkombëtarët vjen, mes tjerash, për shkak të luftimit të korrupsionit në vend.

Nga ana tjetër, të mërkurën, ministri i Jashtëm çek, Jan Lipavsky deklaroi se “Sot ne kemi marrë një hap të rëndësishëm për Kosovën drejt lëvizjes së lirë pa viza dhe shpresojmë të arrijmë një marrëveshje me Parlamentin Evropian për ta bërë këtë premtim një realitet. Liberalizimi i vizave është bërë i mundur falë përpjekjeve të Kosovës për të forcuar kontrollin kufitar, për të menaxhuar migrimin dhe ne besojmë se ky bashkëpunim i mirë vetëm sa do të forcohet në të ardhmen”.

Vendi i tij udhëheq presidencën e bllokut evropian dhe ka përpiluar tekstin e vendimit që është miratuar nga ambasadorët e BE-së.

Kosova, aktualisht, është vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor, qytetarët e të cilit nuk mund të lëvizin lirshëm në këtë zonë.

Kjo, përkundër faktit se Komisioni Evropian, qysh në vitin 2018, ka konfirmuar disa herë se Kosova i ka përmbushur të gjitha kushtet për liberalizimin e vizave, por kanë qenë disa vende anëtare që vazhdimisht kanë shprehur rezerva./Paparaci.com

Video nga Paradoks

"Sa ma budallë mashkulli ma shumë dhunë", "Fejohen për ni t'shkume n'deti": Valon Syla flet për dhunën ndaj grave, u drejtohet Vjosa Osmanit e Albulena Haxhiut - "Siguria financiare zgjidh shumë sene"

Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Paparacit në Viber.

Subscribe në kanalin zyrtar të Paparacit - Kliko KËTU

Të fundit

TË TJERA

Qëndro i informuar

Për të mos ju ikur asnjë lajm, regjistrohu në Paparaci