Të fundit

Më 7 dhjetor shpallet aktgjykimi për vjedhjen e 2 milionë eurove të Thesarit

Prokurori Special, Valdet Gashi ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë që të akuzuarit për vjedhjen e mbi dy milionë eurove të Thesarit, Labinot Gruda dhe Kadri Shala të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit.

Këtë deklarim, prokurori Gashi e bëri gjatë dhënies së fjalës përfundimtare në rastin ku Gruda dhe Shala po akuzohen për vjedhjen e 2 milionë e 77 mijë e 995 eurove nga Thesari i Shtetit, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Shpallja e aktgjykimit për këtë rast është caktuar të mbahet më 7 dhjetor.

Prokurori Gashi fjalën e tij përfundimtare e dorëzoi në formën e shkruar, duke e elaboruar të njëjtën në pika të shkurta.

Ai tha se Prokuroria mbetet në tërësi pranë të gjitha pikave të aktakuzës kundër të akuzuarve, duke shtuar se pas administrimit të provave është provuar në tërësi gjendja faktike e përshkruar si në dispozitivat e akuzës.

Fjalën përfundimtare të prokurorit e mbështeti edhe përfaqësuesja nga Ministria e Financave, Fjolla Mikullovci, e cila ka paraqitur kërkesë pasurore juridike dhe atë në vlerën e përshkruar si në aktakuzë.

Në anën tjetër, mbrojtësi i të akuzuarit Gruda, avokat Tahir Rrecaj, po ashtu fjalën përfundimtare e dorëzoi në formë të shkruar, duke i propozuar gjykatës që i mbrojturi i tij të dënohet me burgim me kusht dhe gjobë.

Sipas tij, Prokuroria Speciale me asnjë provë të vetme nuk e ka vërtetuar pretendimin e vet të paraqitur në aktakuzë se i mbrojturi i tij të ketë ndërmarrë çfarëdo veprimi të drejtpërdrejt apo të tërthortë me qellim të kryerjes së veprës penale.

Këtë deklarim të avokatit Rrecaj e përkrahu edhe i akuzuari Gruda.

“E mbështes në tërësi, pranimin e fajësisë e kam bo për arsye familjare dhe kam pasur shpresa që pas pranimit të fajësisë do të dënohem më shpejt, do të më hiqet masa e paraburgimit, në atë kohë e kam pas babain e sëmurë i cili fatkeqësisht na la, kjo ka qenë arsyeja, pra me m’u ndërpre masa e paraburgimit”, ka thënë Gruda.

Ndërkaq, mbrojtësi i të akuzuarit Shala, avokat Florent Latifaj, në fjalën e tij përfundimtare i propozoi gjykatës që i mbrojturi i tij të lirohet nga akuza, pasi që sipas tij vetëm ky do të ishte aktgjykim i drejt.

Avokati Latifaj tha se prokurori teorinë e vetme të aktakuzës sa i përket të mbrojturit të tij e mbështet kryesisht në 5 pika, e sipas në këto pika nuk mund të mbështetet fajësia e të njëjtit.

I akuzuari Shala e përkrahi deklarimin e avokatit të tij.

Po ashtu, gjatë deklarimeve avokatët kanë propozuar që ndaj të mbrojturve të tyre të ndërpritet masa e paraburgimit.

Paraprakisht në seancën e sotme, në cilësi të palës së tretë është dëgjuar edhe Isak Mula, pronar i subjektit juridik “Dekor Knauf”, i cili tha se i lidhur me këtë çështje nuk i janë bllokuar llogaritë bankare./BpD

Video nga Paradoks

Duda Balje komenton kolegët deputetë, tregon edhe analistin e saj të preferuar

Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Paparacit në Viber.

Subscribe në kanalin zyrtar të Paparacit - Kliko KËTU

Të fundit

TË TJERA

Qëndro i informuar

Për të mos ju ikur asnjë lajm, regjistrohu në Paparaci