Të fundit

Ambasadori Berishaj del me status të gjatë në FB, i mohon krejt akuzat ndaj tij

Ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj ka dalë me një tjetër shkrim të gjatë në llogarinë e tij në Facebook, pas skandalit financiar në Slloveni ku e përfshin edhe atë ndër të tjera.

Ai i ka mohuar të gjitha akuzat që po rëndojnë mbi të. Shtoi se nuk është as pronar dhe as aksionar i asnjë ndërmarrjeje në Kosovë ose në Malin e Zi apo kudo tjetër, raporton Paparaci.

Madje, ai mohoi se nuk ka fshehur apo deklaruar rrejshëm pasurinë, ndonëse për këtë ka hetim nga ana e Policisë së Kosovës.

Sidoqoftë, Berisha po hetohet në Kosovë për tri vepra penale: shpëlarje parash, shmangie nga tatimi dhe fshehje të pasurisë.

“Sa i përket firmës Zaslon L.C.C. dhe Myloja sh.p.k., nuk janë në pronësinë time dhe për këtë e kam njoftuar edhe Agjencionin Antikorrupsion të Republikës së Kosovës në email zyrtar me datën 5 korrik 2022. Ndërsa për dy kompanitë tjera, MB consulting d.o.o. në Mal të Zi, dhe MB consulting sh.p.k. në Kosovë, sqarimi dhe e vërteta është si vijon: MB consulting d.o.o.”, shkroi ai në Facebook.

Diplomati kosovar theksoi se “MB consulting d.o.o. në Mal të Zi nuk nuk ka pasur qarkullim që nga viti 2020 dhe mbyllja e saj fizike sipas organeve të Malit të Zi, pas kërkesës sime për mbyllje, ka qenë çështje ditësh, dhe meqenëse bëhet fjalë për një kompani që nuk ka pasur aktivitet që nga vitit 2020 dhe ka qenë në proces të mbylljes, nuk ka pasur arsye të deklarohet si pronë”.

Megjithatë, Berishaj e pohoi se ka pasur të hyra në periudhën 2017-2022 në ‘MB Consulting’. Sipas tij, të gjitha transaksionet janë bërë në mënyrë transparente përmes llogarisë bankare.

Berishaj shtoi se janë paguar të gjitha tatime, por ndryshe thotë Policia e Kosovës.

Sipas hulumtimit të Paparacit, Berishaj ka dëmtuar buxhetin e Kosovës mbi 70 mijë euro.

“MB consulting d.o.o. si person juridik ka pranuar të hyra në periudhën 2017-2020, dhe të gjitha transaksionet janë bërë në mënyrë transparente përmes llogarisë bankare, dhe janë paguar të gjitha tatimet sipas legjislacionit në fuqi. Në lidhje me pretendimet e ngritura, Prokuroria atje ka zhvilluar hetimet, dhe ka mbyllur rastin sepse nuk ka gjetur asgjë nga pretendimet. Prandaj, akuza se jam nën hetime në Mal të Zi është e pavërtetë, sepse kjo është një çështje e mbyllur tashmë”, vijoi Berishaj.

Mes tjerash, shtoi se padia e tij e ngritur në Gjykatën e Qarkut në Lubjanë ndaj mediumit ‘Planet TV’ që publikoi skandalin e madh financiar, është në proces gjyqësor.

“Pas shpifjes që është bërë ndaj meje me datën 21 prill 2022 nga Vitomir Petroviq në Planet TV, i cili po citohet nga mediat tona, kam bërë padi në Gjykatën e Qarkut në Lubjanë dhe lënda është në proces gjyqësor. MB consulting sh.p.k. Në këtë kompani, person juridik sipas legjislacionit në Kosovë, kam qenë aksionar deri me datën 13 tetor 2021, kur edhe kam bërë bartjen e të gjitha aksioneve të mia tek pala e tretë, përmes Kontratës për Dhurim”.

“Prandaj në datën e deklarimit të pasurisë me 13 janar 2022 (tre muaj pas heqjes dorë nga pronësia), unë nuk kam qenë aksionar në këtë kompani, dhe nuk kam pasur se si ta deklaroj si pronë timen. Ndërsa sa i përket deklarimit dhe pagesës së tatimeve, kompania MB consulting sh.p.k. ka deklaruar të gjitha detyrimet tatimore sipas legjislacionit në fuqi, në Adminsitratën Tatimore të Kosovës. Pagesa e një pjese të detyrimeve është bërë nga kompania që është person juridik, kurse pjesa tjetër vazhdon të paguhen nga kompania që tash është në pronësi të tjetërkujt”, shtoi ai.

Për Berishajn, ‘kushdo që kupton nga kontabiliteti, e din që borxhi tatimor nuk ka fare të bëjë me shmangie tatimore;, gjë për të cilën shprehet se po shpifet kundër tij.

“Prandaj edhe kjo e pavërtetë bie në ujë, sepse asnjëherë nuk ka pasur shmangje tatimore, por bëhet fjalë për borxh tatimor, i cili është deklaruar nga vetë ndërmarrja, dhe vazhdon të paguhet. Dhe për fund, akuza e insinuata se gjoja kompania GEN-I qenka ndërmarrje serbe, është tërësisht e pavërtetë gjithashtu”, deklaroi Berishaj.

“Ndërmarrja GEN-I, trgovanje in prodaja električne energije, d.o.o. Krško, Slloveni, është kompani me të cilën kam pasur marrëdhënie kontraktuale si këshilltar në kohën kur nuk isha as shtetas i Republikës së Kosovës. Kjo kompani është kompani sllovene e cila për themelues ka kompaninë GEN ENERGIJA d.o.o. e cila është në pronësi të plotë të Republikës së Sllovenisë, dhe ka filiale nëpër shumë shtete në rajon, ngjashëm sikurse ka ta zëmë edhe NLB Banka, e cila përveç filalave në Slloveni, ka degë edhe në Prishtinë, Shkup, Beograd, etj”.

Krejt në fund, Berishaj tha se pretendimi se GEN-I është kompani serbe, është gënjeshtër e pastër, që për qëllim thotë se ka mjegullimin e opinionit publik “dhe krijimin e situatave të paqena, me synimin e vetëm, sulmin dhe denigrimin e karakterit të tij”.

“Akuzat si këto më lart, por edhe të gjitha akuzat tjera, janë të pabaza, tendencioze dhe i hedhi poshtë si të tilla”, përfundoi Berishaj.

Të fundit

TË TJERA

Qëndro i informuar

Për të mos ju ikur asnjë lajm, regjistrohu në Paparaci