Të fundit

Shteti thotë se Berishaj i shkaktoi dëm 73 mijë euro buxhetit, ambasadori nuk e pranon – kapet me mediat

Ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, të mërkurën është deklaruar publikisht pas akuzave për përfshirje në një skandal financiar, e që u publikua në prillin e kaluar në Slloveni.

Ai dyshohej se ia ka bartur para kesh rreth 600 mijë euro nga kompania e tij në Mal të Zi te politikani slloven, Robert Golob, i cili tash është kryeministër atje, raporton Paparaci.

Megjithatë, diplomati kosovar i ka hedhur poshtë të gjitha akuzat ndaj tij. Është shprehur se nuk ka asnjë biznes në emër të tij, qoftë në Kosovë, Mal të Zi apo kudo tjetër.

Berishaj duke tentuar ta mbyllë skandalin milionësh që e implikon atë dhe jo vetëm, shkroi në Facebook se pretendimet që ka fshehur apo deklaruar rrejshëm pasurinë nuk qëndrojnë dhe janë të pavërteta.

Ndër të tjera, Berishaj e ka cilësuar si të paqenë edhe akuzën se kompania GEN është ndërmarrje serbe, duke thënë se është tërësisht në pronësi të Sllovenisë.

“Ndërmarrja GEN-I, trgovanje in prodaja električne energije, d.o.o. Krško, Slloveni, është kompani me të cilën kam pasur marrëdhënie kontraktuale si këshilltar në kohën kur nuk isha as shtetas i Republikës së Kosovës. Kjo kompani është kompani sllovene e cila për themelues ka kompaninë GEN ENERGIJA d.o.o. e cila është në pronësi të plotë të Republikës së Sllovenisë, dhe ka filiale nëpër shumë shtete në rajon, ngjashëm sikurse ka ta zëmë edhe NLB Banka, e cila përveç filialeve në Slloveni, ka degë edhe në Prishtinë, Shkup, Beograd, etj. Prandaj pretendimi se GEN-I është kompani serbe, është gënjeshtër e pastër, që për qëllim ka mjegullimin e opinionit publik, dhe krijimin e situatave të paqena, me synimin e vetëm, sulmin dhe denigrimin e karakterit tim”, shkroi Berishaj.

Po ashtu, ai duke u marrë me mediat në Kosovë dhe Slloveni që janë marrë me këtë skandal, tha se “MB consulting d.o.o”, si person juridik ka pranuar të hyra në periudhën 2017-2020 dhe sipas tij, të gjitha transaksionet janë bërë në mënyrë transparente përmes llogarisë bankare, dhe janë paguar të gjitha tatimet sipas legjislacionit në fuqi.

Por, kështu nuk thuhet në një raport të siguruar nga Paparaci brenda organeve të sigurisë, e që ishte publikuar ditë më parë.

Bazuar në gjetjet e Paparacit, kompania “MB Consulting” i është shmangur obligimeve tatimore nga viti 2017 deri në vitin 2022 dhe ka dëmtuar buxhetin e Republikës së Kosovës në shumë prej 73 mijë eurove.

Provat që ka siguruar Paparaci, brenda Administratës Tatimore të Kosovës, tregojnë se hetuesit tatimorë kanë konstatuar se kompania e ambasadorit Berishaj ka vetë deklaruar obligime tatimore të papaguara në vlerë prej 73.701 euro.

Ai, përmes kompanisë “MB Consulting”, ka zhvilluar transaksione të dyshimta milionëshe në Kosovë dhe Mal të Zi.

Kompania “MB Consulting” në Kosovë dhe filiali i saj “MB Consulting Doo” në Mal të Zi, kanë zhvilluar transaksione në vlera disa milionëshe në shtatë vitet e fundit.

Në Kosovë, kompania e ambasadorit të Kosovës në Kroaci ka regjistruar transfere në vlerë prej 1 milion e gjysmë me kompaninë “GEN Doo” në Beograd.

Të gjitha të dhënat për këto transaksione i posedon Paparaci. Rreth 900 mijë euro që kompania e tij “MB Consulting” i kishte shënuar si të hyra nga “GEN doo” në Beograd, Martin Berishaj i kishte tërhequr personalisht përmes xhirollogarisë së tij bankare mes viteve 2016-2021.

Berisha po hetohet në Kosovë për tri vepra penale: shpëlarje parash, shmangie nga tatimi dhe fshehje të pasurisë.

Pavarësisht kësaj, ai vazhdon ta përfaqësojë Kosovën në Kroaci nën mbrojtjen e kryeministrit dhe presidentes./Paparaci.com

Video nga Paradoks

Duda Balje komenton kolegët deputetë, tregon edhe analistin e saj të preferuar

Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Paparacit në Viber.

Subscribe në kanalin zyrtar të Paparacit - Kliko KËTU

Të fundit

TË TJERA

Qëndro i informuar

Për të mos ju ikur asnjë lajm, regjistrohu në Paparaci