Të fundit

Rrenat pa kripë në Facebook dhe milionat e marra nga Martin Berishaj prej Beogradit

Një hulumtim i gjerë i Paparacit, zbuloi se ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj është i lidhur fort me një kompani të energjisë me seli në Beograd, raporton Paparaci.

Ai mori pagesa të shumta me vlera milionëshe nga Beogradi. Por, Berishaj sot doli me një deklaratë ku mohoi të gjitha akuzat që janë ndaj tij tash e një kohë të gjatë.

Berishaj, u mundua t’i përgënjeshtrojë raportimet e mediave kosovare dhe atyre sllovene lidhur me të.

Mes tjerash, ai përmendi edhe raportimet që janë bërë rreth kompanisë së tij në Mal të Zi “MB Consulting” dhe transaksioneve bankare nga dega e GEN-it në Beograd, duke thënë se kjo ndërmarrje ka pranuar të hyra financiare nga 2017 deri më 2020 dhe se të gjitha janë kryer përmes bankës.

Diplomati kosovar citoi Prokurorinë Speciale të Malit të Zi të cilët kanë thënë se kanë mbyllur procesin pasi sipas tij, nuk ka bazë.

“MB consulting d.o.o. si person juridik ka pranuar të hyra në periudhën 2017-2020, dhe të gjitha transaksionet janë bërë në mënyrë transparente përmes llogarisë bankare, dhe janë paguar të gjitha tatimet sipas legjislacionit në fuqi. Në lidhje me pretendimet e ngritura, Prokuroria atje ka zhvilluar hetimet, dhe ka mbyllur rastin sepse nuk ka gjetur asgjë nga pretendimet. Prandaj, akuza se jam nën hetime në Mal të Zi është e pavërtetë, sepse kjo është një çështje e mbyllur tashmë”, shkroi ai në Facebook.

Sidoqoftë, edhe në këtë aspekt, Berishaj nuk po e thotë të vërtetën.

Paparaci raportoi se ai, përmes kompanisë “MB Consulting”, ka zhvilluar transaksione të dyshimta milionëshe në Kosovë dhe Mal të Zi.

Kompania “MB Consulting” në Kosovë dhe filiali i saj “MB Consulting Doo” në Mal të Zi, kanë zhvilluar transaksione në vlera disa milionëshe në shtatë vitet e fundit.

Në Kosovë, kompania e ambasadorit të Kosovës në Kroaci ka regjistruar transfere në vlerë prej 1 milion e gjysmë me kompaninë “GEN Doo” në Beograd.

Të gjitha të dhënat për këto transaksione i posedon Paparaci.

Rreth 900 mijë euro që kompania e tij “MB Consulting” i kishte shënuar si të hyra nga “GEN doo” në Beograd, Martin Berishaj i kishte tërhequr personalisht përmes xhirollogarisë së tij bankare mes viteve 2016-2021.

Paparaci, ka siguruar hetimin e Qendrës së Inteligjencës Financiare të Malit të Zi. Raporti zbulon se afaristi Martin Berishaj nëpërmjet kompanisë së tij, “MB Consulting”, me filial në Mal të Zi ka bërë transaksione të dyshimta me elemente të shumta të shpëlarjes së parave.

Veprimtaria e biznesit “MB Consulting” të ambasadorit Martin Berishaj, është kryer duke iu shmangur tatimeve në Kosovë për pesë vite me radhë.

Bazuar në gjetjet e Paparacit, kompania “MB Consulting” i është shmangur obligimeve tatimore nga viti 2017 deri në vitin 2022 dhe ka dëmtuar buxhetin e Republikës së Kosovës në shumë prej 73 mijë eurove.

Provat që ka siguruar Paparaci, brenda Administratës Tatimore të Kosovës, tregojnë se hetuesit tatimorë kanë konstatuar se kompania e ambasadorit Berishaj ka vetë deklaruar obligime tatimore të papaguara në vlerë prej 73.701 euro.

“Pas shpifjes që është bërë ndaj meje me datën 21 prill 2022 nga Vitomir Petroviq në Planet TV, i cili po citohet nga mediat tona, kam bërë padi në Gjykatën e Qarkut në Lubjanë dhe lënda është në proces gjyqësor”, u shpreh Berishaj.

Gjithashtu, ai tha se firma “Zaslon L.C.C” dhe “Myloja sh.p.k nuk janë në pronësi të tij dhe thotë se për këtë gjë e ka njoftuar Agjencinë Kundër Korrupsionit të Republikës së Kosovës përmes një emaili zyrtar më 5 korrik 2022.

Por, Martin Berishaj, e ka të regjistruar në Kosovë firmën “Myloja L.L.C”, me adresë në Hajvali, të Prishtinës. Ajo u regjistrua në 2008.

Një gjë e tillë mund të vërtetohet lehtë nga Agjencia për Regjistrimin e Bizneseve në Kosovë.

Sipas përshkrimit në ARBK,  “ndërmjetësimet e tjera monetare”, është aktiviteti kryesor i këtij biznesi, ku 33% të aksioneve i posedon Martin Berishaj bashkë me Janez Bukovnikun  e Anton Eerne.

Po ashtu, edhe ndërmarrja tjetër e cila me adresë është në Hajvali “Zaslon Kosova L.L.C”, një prej pronarëve ka Berishajn, me 15 për qind të aksioneve. E njëjta është regjistruar më 2008. Aktiviteti i saj mbetet i njëjtë.

Berishaj në këtë biznes e ka ortak Benjamin Erazem Pintar, gjithnjë sipas informacioneve publike në ARBK.

Kësisoj, kjo ishte një nga gënjeshtrat e shumta të Berishajt në Facebook. Për këto biznese, Anti-korrupsioni kishte nisur hetimet ndaj Berishajt për mos-raportim apo raportim i rremë i pasurisë.

Megjithatë, Berishaj i mohon akuzat dhe thotë se është i ‘pastër si loti’.

“Pretendimi se unë kam fshehur apo deklaruar rrejshëm pasurinë, nuk qëndron dhe është i pavërtetë. Sa i përket firmës Zaslon L.C.C. dhe Myloja sh.p.k., nuk janë në pronësinë time dhe për këtë e kam njoftuar edhe Agjencionin Antikorrupsion të Republikës së Kosovës në email zyrtar me datën 5 korrik 2022”, shkroi Berishaj tutje.

Berisha po hetohet në Kosovë për tri vepra penale: shpëlarje parash, shmangie nga tatimi dhe fshehje të pasurisë.

Megjithëkëtë, vazhdon ta përfaqësojë Kosovën në Kroaci nën mbrojtjen e kryeministrit dhe presidentes./Paparaci.com

Hulumtimi i Paparacit zbulon lidhjet e zyrtarëve të lartë të Kosovës me mafinë energjetike të Ballkanit

Video nga Paradoks

"Sa ma budallë mashkulli ma shumë dhunë", "Fejohen për ni t'shkume n'deti": Valon Syla flet për dhunën ndaj grave, u drejtohet Vjosa Osmanit e Albulena Haxhiut - "Siguria financiare zgjidh shumë sene"

Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Paparacit në Viber.

Subscribe në kanalin zyrtar të Paparacit - Kliko KËTU

Të fundit

TË TJERA

Qëndro i informuar

Për të mos ju ikur asnjë lajm, regjistrohu në Paparaci