Të fundit

‘Heshtet’ konsulenca e dyshimtë e Luan Dalipit në MDA

Shefi i Stafit në Zyrën e Kryeministrit, Luan Dalipi, gjatë vitit 2021 krahas detyrave në Qeveri, kreu punë edhe tek një biznes privat. Rrafsh 6 mijë euro janë të hyrat vjetore që ka realizuar Dalipi si konsulent, në kompaninë Management Development Associates (MDA) në Prishtinë.

Këto të hyra, Dalipi i ka deklaruar në Agjencinë Kundër Korrupsionit me rastin e deklarimit të pasurisë, mirëpo ai nuk i ka treguar punët që ka kryer gjatë kësaj kohe në MDA dhe projektet për të cilat ka qenë i angazhuar.

Buletini Ekonomik për gati një vit rresht ka kërkuar opinion nga Agjencia Kundër Korrupsionit për mundësinë e konfliktit të interesit në këtë rast, por ende nuk ka marrë përgjigje.

Përkundër insistimit të Buletinit Ekonomik, këtë rast nuk e ka sqaruar as vetë Dalipi. Ai nuk ka pranuar ta sqarojë për publikun nëse punët e kryera në MDA bien ndesh me Ligjin për Konflikt të Interesit, marrë parasysh faktin se kjo kompani është e njohur për kontrata me qeverinë.

Njëjtë sqarime nuk kanë dhënë as nga kompania MDA.

Për më tepër, Dalipi është bashkë-themelues i MDA-së dhe ka qenë aksionar në këtë firmë deri në vitin 2017.

Ligji per Konflikt të Interesit ka dispozita të veçanta për zyrtarët e lartë, që para se të emërohen në detyra publike, kanë qenë drejtues të bizneseve private.

Kështu, në nenin 15, pika 6, shprehimisht thuhet: “Gjatë kohës kur të drejtat për administrim dhe drejtim të ndërmarrjes i janë transferuar personit të besuar, zyrtari i lartë nuk ka të drejtë të përfaqësojë biznesin, të deklarohet për biznesin, të japë informata, udhëzime, urdhëresa apo të ushtrojë ndikim në ndonjë mënyrë tjetër, të qëndrojë në lidhje me personin e besuar ashtu që të ketë ndikim në realizimin e të drejtave dhe përmbushjen e detyrave që dalin nga administrimi dhe drejtimi i ndërmarrjeve të tilla”.

Ndërsa në nenin 13, thuhet se “ndërmarrja në të cilën zyrtari i lartë ka pronësi apo pjesë të pronësisë, e drejtuar nga personi i besuar apo i afërm, nuk kanë të drejtë të lidhin kontratë ose të përfitojnë ndihmë nga institucionet qendrore ose lokale, në të cilat zyrtari i lartë ushtron detyra publike”.

Mirëpo, ajo që nuk dihet ende është koha kur Dalipi i ka kryer këto punë në biznesin ku ishte aksionar deri në vitin 2017. Ai është emëruar si shef i Stafit në Kryeministri më 1 prill të vitit 2021. Nuk dihet po ashtu nëse gjatë kësaj periudhe, kompania MDA ka përfituar ndonjë kontratë me qeverinë e Kosovës, çka do të mund të binte ndesh me nenin 13 të Ligjit për Konflikt të Interesit.

Video nga Paradoks

Duda Balje komenton kolegët deputetë, tregon edhe analistin e saj të preferuar

Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Paparacit në Viber.

Subscribe në kanalin zyrtar të Paparacit - Kliko KËTU

Të fundit

TË TJERA

Qëndro i informuar

Për të mos ju ikur asnjë lajm, regjistrohu në Paparaci