Të fundit

Murati për tatimin: LDK-ja e ka hallin e biznesmenëve dhe ndërtimtarëve

Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka thënë se propozimi i Lidhjes Demokratike të Kosovës për ta pezulluar rivlerësimin e pronave dhe faturat e tatimit në pronë për vitin 2023 të llogariten sipas vlerësimeve të mëhershme, është që të përfitojnë “qindra biznesmenë, ndërtimtarë e tregtarë, ku me vlerësimin që po kërkon opozita, secili do të paguante mijëra euro më pak”.

Qe disa ditë qytetarët janë alarmuar pasi faturat e tatimit në pronë për vitin 2023 u rritën në vlerë të konsiderueshme në raport me vitet e kaluara. Pas reagimit, ministri Murati propozoi që secilit tatimpagues t’i falen deri në 100 euro të tatimit të pronës.

Ndërkaq, të shtunën LDK-ja kundërshtoi propozimin e Qeverisë duke dhënë vetë propozim që të pezullohet aplikimi i rivlerësimit dhe që faturat e vitit 2023 të llogariten sikur të një viti më herët e që Qeveria të procedojë me ligjin e ri.

Në kundërpërgjigje, Murati ka thënë se me propozimin e tij do të fitonin 85 për qind e tatimpaguesve.

“Është shumë e thjeshtë, me propozimin tim, që secilit tatimpagues t’i falen deri në 100 euro të faturës së tatimit në pronë: 85% e tatimpaguesve nuk do të paguanin ASGJË për vitin 2023 (ata që tashmë kanë paguar, u llogaritet si parapagim për vitin vijues); 10% të tjerë do të paguanin më pak se 100 euro për vitin 2023; Pra vetëm Top 5% e tatimpaguesve (që përfshin edhe bizneset) do t’u binte të paguanin më tepër se 100 euro për tërë vitin 2023”, ka shkruar Murati në Facebook.

Sipas tij, opozita po e kundërshton këtë propozim duke aluduar në mbrojtje të “bizneseve ndërtimore”.

“Mirëpo opozita e kundërshton këtë propozim që do të lironte 95% të tatimpaguesve, dhe kërkon që të kthehet vlerësimi i vjetër. A e dini pse? Sepse janë me qindra biznesmenë, ndërtimtarë e tregtarë, ku me vlerësimin që po kërkon opozita, secili do të paguante mijëra euro më pak. Sidomos bizneset ndërtimore, të cilat kanë në pronësi me qindra banesa që i mbajnë pa shitur, në mënyrë që artificialisht të mbajnë çmimet e larta për banesa”, ka thënë Murati.

Sipas tij, “me propozimin e opozitës/LDK-së: 95% e tatimpaguesve nuk do të përfitonin nga falja e tatimit në pronë; Nëse e marrim vetëm një rast të një biznesmeni ndërtimtar, me vlerësimin e vjetër do të paguante 27 mijë euro më pak tatim sesa me vlerësimin e ri – raste të tilla ka shumë; Një tjetër pronar marketesh, me vlerësimin e vjetër që po e kërkon LDK, do t’i binte të paguajë rreth 70 mijë euro më pak”.

“Pra, qytetarë të dashur, kushdo që me të vërtetë ka hallin e qytetarëve, e mbështetë propozimin që secilit t’i falen deri në 100 euro nga fatura e tatimit në pronë. E ata që kanë hallin e biznesmenëve e ndërtimtarëve, e mbështesin propozimin e opozitës që të MOS u lehtësohet barra 95%-shit, por të mbrohen ndërtimtarët e tregtarët”, ka thënë ai tutje.

Murati ka thënë se Qeveria shumë shpejt do ta dërgojë ligjin e ri në Kuvend.

“Në ligjin e ri do të përfshijmë edhe dispozitën e faljes së faturës së tatimit deri në 100 euro për vitin 2023, si dhe do të rrisim fleksibilitetin e komunave dhe do të bëjmë tatimin progresiv për vitin 2024 e tutje, ashtu që, ata që kanë më pak të paguajnë më pak, ndërsa ata që kanë më shumë, të paguajnë më shumë”, ka shkruar tutje Murati.

Video nga Paradoks

"Sa ma budallë mashkulli ma shumë dhunë", "Fejohen për ni t'shkume n'deti": Valon Syla flet për dhunën ndaj grave, u drejtohet Vjosa Osmanit e Albulena Haxhiut - "Siguria financiare zgjidh shumë sene"

Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Paparacit në Viber.

Subscribe në kanalin zyrtar të Paparacit - Kliko KËTU

Të fundit

TË TJERA

Qëndro i informuar

Për të mos ju ikur asnjë lajm, regjistrohu në Paparaci