Të fundit

Opozita e konsideron Ligjin e Pagave zhgënjyese dhe turpëruese – LVV-ja krenohet

Partia në pushtet po konsideron që me vlerën e koeficientit prej 105 eurove, punëtorëve shëndetësor u është dyfishuar paga. Mirëpo ndryshe është duke e konsideruar opozita, të cilët Ligjin e Pagave po e quajnë mashtrim të Qeverisë.

Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, thonë se vlera e koeficientit është zhgënjyese dhe turpëruse.

Ndërsa Lëvizja Vetëvendosje thotë se me këtë ligj, po fillon të vlerësohet punëtori shëndetësor.

Deputetja e Vetëvendosjes, Fatmire Mulhaxha Kollçaku, tha për Ekonomia Online se për herë të parë në Kosovë mjekut i’u është dyfishuar paga. Sipas saj në të ardhmen inkurajojnë që paga të jetë më e madhe edhe për stafin tjetër.

Ajo shtoi se mjekët nuk janë duke ikur nga Kosova vetëm për shkak të pagës por edhe për shkak të kushteve të tjera.

“Për herë të parë mjekut është duke ju dyfishuar paga, kjo është një që duhet ta konstatojmë. Unë inkurajoj që në të ardhmen të jetë paga edhe me e lartë për stafin, për infermierët, për stafin tjetër sepse unë i vlerësojë shumë punën e punëtorëve shëndetësorë. Por ne do të punojmë edhe për përmirësimin e kushteve të punës dhe krijimin e mundësive për edukim të vazhdueshëm profesional që është tepër e rëndësishme, ndarja e specializimeve, kjo është një pako. Mjekët nuk është se janë larguar vetëm për shkak të pagës po kanë pasur edhe kërkesa të tjera. Nuk është e lehtë të jemi konkurrues me sektorin privat që është duke ofruar paga marramendëse dhe shtrohet pyetja  si është e mundur kjo të ndodhë, për shembull me Gjermanin e cila tash po i liberalizon masat, tash njihen diplomat, jepen specializimet”, tha ajo.

Kollçaku, e cila është edhe kryetare e Komisionit për Shëndetësi, tha se me ligjin për paga ka filluar që të vlerësohet punëtori shëndetësor.

Ajo ka thënë se janë duke punuar në përmirësimin e kushteve të punës.

“Unë mendoj se kjo që ka ndodhur me ligjin e pagave sidomos për sektorin e shëndetësisë me thekës te mjekët ku dyfishohet paga është inkurajuese që ka filluar që të vlerësohet punëtori shëndetësorë dhe ne do të angazhohemi në vazhdimësi për përmirësimin edhe kushteve të punës normal që të gjithë të kontribuojmë në zhvillim ekonomik gjë që do ta determinoj të ardhmen edhe rritjen e koeficientit”, ka thënë ajo.

Por ndryshe mendon deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu. Ai thotë se vlera e koeficientit e përcaktuar nga Qeveria është zhgënjyes edhe turpëruese për punëtorët shëndetësor.

Ai u shpreh se për këtë arsye këtë vit do të ketë edhe më shumë ikje të profesionistëve shëndetësorë.

“Vlera e koeficientit e përcaktuar nga qeveria është një lajm zhgënjyes edhe turpërues për punëtorët e sektorit shëndetësisë. Jo që do të ndaloj mirëpo për shkak të dëshpërimit dhe zhgënjimit këtë vit do të ketë edhe më shumë ikje të profesionisteve shëndetësorë nga Kosova. Përtej atyre propagandave të qeverisë nëpër rrjete sociale dhe mediale do ta shohin të gjithë profesionistët shëndetësorë se sa do at marrin pagën neto në fund të muajit”.

Ai tha se qeveri është duke bërë propagandë për rritje të pagës dhe se tani mjekëve, gjitha shtesa të cilët i kanë marr në të kaluarën i janë grumbulluar në një vend, në një pagë.

“Nuk do të ketë dallim në rritjen e pagës së mjekëve, bile për disa profesionistë shëndetësorë do të ketë edhe ulje të pagës, në këtë kohë të krizës e të inflacionit të madh do të duhet që të ishte një casje shumë më pro aktive dhe më serioze e qeverisë për të ndaluar ikjen e profesionistëve shëndetësorë nga Kosova. Tani të gjitha ato shtesa të cilët ata i kanë marr në të kaluarën i janë grumbulluar në një vend në një pagë dhe këtë ata po e vlerësojnë si rritje të pagës. Mjekët dhe profesionistët shëndetësorë nuk mund të mashtrohen me propaganda të rrjeteve sociale”, tha ai.

E deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Shemsedin Dreshaj, tha se ky ligj është mashtrim i madh në punën jashtë orarit për punëtorët shëndetësorë, dhe se në të ardhme do të ketë problem që të organizohet shërbimi 24 orësh.

“Puna e ikjes nuk është vetëm puna e rrogës ka shumë faktorë brenda që ndikojnë, njëri prej tyre pa dilemë që është edhe të hyrat. Ky ligj ka një mashtrim të madh, mashtrimi i madh është në punë jashtë orarit dhe unë mendoj që do të ketë problem që të organizohet shërbimi 24 orësh, si me stafin mjekësor si me stafin mbështetës. Pra do të thotë me infermier dhe të tjerë për shkak se aty lejohet 30 për qind mbi vlerën e rrogës totale që nënkupton që ne kemi shërbime që diku me 3 kujdestari e mbërrin 30 përqindëshin dhe pastaj ne ballafaqohemi me ditë të lira. Kjo nënkupton që të funksionalizohet, arsim dhe shërbimet emergjente në nivel vendi do të kemi nevojë për staf shtesë”, tha ai për EO.

Dreshaj po ashtu tha se ky ligj është diskriminues edhe për stafin arsimorë shëndetësorë.

“Ky ligj është shumë diskriminues për stafin arsimor sepse Universiteti i Prishtinës dhe Qendra Klinike Universitare kanë dy funksione. E kanë funksioni edukativo arsimor dhe misioni shëndetësorë, që të jesh asistent klinik duhet që të jesh së pari specialistë. Ndërsa specialisti e ka indeksin 12, ndërsa asistenti që është edhe specialistë e ka indeksin shumë më të vogël. Duhet që të ju them që ky ligj deri diku e benificon specialistin por në esencë kategorinë arsimore të specialistëve i ndëshkon rëndë edhe njëkohësisht komplet stafin arsimorë që i takon segmentit të shëndetësisë dhe jo shëndetësisë”, tha ai.

Video nga Paradoks

"Kundër faljes së tokave", "Dhuratë e Millosheviqit": Krejt çka thoshte Kurti për vendimin që tash po e zbaton për Manastirin e Deçanit

Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Paparacit në Viber.

Subscribe në kanalin zyrtar të Paparacit - Kliko KËTU

Të fundit

TË TJERA

Qëndro i informuar

Për të mos ju ikur asnjë lajm, regjistrohu në Paparaci