Të fundit

Reagon zv/ministri Durmishi: Rruga nuk kalon afër livadheve të babait tim

Hysen Durmishi ka thënë se aksi rrugor Mushtisht-Brezovicë, investim të cilin disa ditë më parë ai e vlerësoi si projekt “me interes të veçantë”, nuk kalon në afërsi të një prone tre hektarëshe në emër të babait të tij, Ilazit.

Në një reagim ndaj shkrimit të publikuar të enjten në Paparaci.com, i cili dëshmon afërsinë e pronës së babait të zëvendësministrit Durmishi pranë projektit rrugor Mushtisht-Brezovicë, numri dy i Ministrisë së Infrastrukturës i ka cilësuar të pavërteta argumentet e mediumit.

Durmishi, në një adresim publik në Facebook lidhur me artikullin, ka deklaruar se rruga që do të lidh Mushtishtin e Suharekës me Brezovicën – projekt të cilit ai i ka dhënë prioritet si zv/ministër – kalon “larg atyre livadheve” të cilat janë pronë e babait të tij. Ndryshe dëshmojnë faktet e publikuara nga Paparaci.com.

“Rrugën pra unë nuk e kam filluar sepse ajo ka nisur shumë para se unë të vij në ministri si zëvendësministër dhe e dyta rruga nuk kalon afër livadheve të babait tim por larg atyre livadheve”, ka thënë Durmishi.

Zëvëndësi i ministrit Liburn Aliu ka nënkuptuar se për parcelën prej tre hektarëve tokë që ndodhet në afërsi të aksit rrugor Mushtisht-Brezovicë dihet publikisht pronësia në emër të babait të tij.

“Ato livadhe janë blerë në vitin 2011, pra para 10 viteve dhe i kam të deklaruara në deklarimin e pasurisë, ashtu siç janë, pra pronë të babait tim”, vijion Durmishi.

Durmishi, që disa javë më parë e cilësoi me “interes të veçantë” projektin që çon kah “livadhet” e të atit, sot nuk pretendon dorë mbi projektin.

“Rruga Mushtisht – Shtërpce është kontratë e Komunës së Suharekës e nënshkruar me 19 korrik 2018 dhe me memorandum me Ministrinë e Infrastrukturës”, deklaroi Durmishi.

Paparaci, në bashkëpunim me portalin Periskopi, raportoi sot ishte viti 2011, dhe në Lëvizjen Vetëvendosje po mbretëronte harmoni e vërtet. Asokohe, kjo harmoni gati familjare i kishte joshur disa prej figurave kryesore të kësaj partie që të investonin së bashku edhe në pasuri të patundshme.

Planifikonin të ndërtonin vila në një zonë malore për vete dhe për biznes.

Toka ishte gjetur, çmimi ishte i leverdishëm, dhe miqësia mes bashkëpronareve të ardhshëm dukej e përjetshme.

Mes Mushitishtit dhe Brezovicës, në zonën e Dollocit, në vitin 2011, u blenë 3 hektarë tokë.

Burime të Paparacit, kanë treguar se kjo sipërfaqe toke ishte blerë bashkërisht nga disa nga figurat më të njohura të Lëvizjes Vetëvendosje.

Por, për t’ju ikur komplikimeve toka e blerë u bartë në emër të një pronari të vetëm. Pronari i ri, i ra për hise të jetë, Ilaz Durmishi, babai i Hysen Durmishit.

Hysen Durmishi, tokën e blerë e kishte deklaruar edhe në Agjensionin Anti Korrupcion (AKK).

Durmishi e ka deklaruar këtë pronë me emrin “livadhet”, dhe i ka vënë vlerën e 40 mijë eurove. Çmimi i saj nuk ka ndërruar as në raportimin e tij më 2014 e as në raportimin e tij në vitin 2021.

Vendndodhja e kësaj parcele tre hektarësh, e posaçërisht pronësia e saj, dyshohet se është shkaku kryesor se pse Ministria Infrastrukturës e ka kaq ngut përfundimin e saj.

Vet zv/ministri i Infrastrukturës Hysen Durmishi, më 6 tetor të këtij viti, në shoqërimin e Salih Zybës, kandidat i VV-së për kryetar të Suharekës, mori pjesë në fillimin e punimeve për rrugën që lidh Mushtishtin me atraksionin më të madh turistik të Kosovës, Brezovicës.

“…prandaj, po investojmë në ndërtimin e kësaj rruge me interes të veçantë. Shpejt do të zgjidhen disa probleme të vogla pronësore në mënyrë që të shtohet dinamika, që rruga të përfundojë vitin e ardhshëm [2022]”, shkoi zv/ministri Durmishi në një postim në Facebook.

Kur Qeveria Kurti mori vendim për ndërprerjen e punimeve në rrugën që lidh Deçanin me Plavën, zëvendësministri, Hysen Durmishi e arsyetoi duke thënë se kjo rrugë nuk është në interes të vendit, por çon në stane të atyre që e kanë nisur.

Me këtë aludonte tek Ramush Haradinaj, kryeministër i asaj kohe. Tash, Durmishi rrugën Suharekë – Brezovicë që kalon skaj pronës së tij, si të interesit të veçantë. /Paparaci.com

Video nga Paradoks

Duda Balje komenton kolegët deputetë, tregon edhe analistin e saj të preferuar

Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Paparacit në Viber.

Subscribe në kanalin zyrtar të Paparacit - Kliko KËTU

Të fundit

TË TJERA

Qëndro i informuar

Për të mos ju ikur asnjë lajm, regjistrohu në Paparaci