Të fundit

Shtatë vite burgim ndaj të akuzuarës për vrasjen e motrës në Fushë Kosovë

Gjykata Themelore në Prishtinë, ka shpallur aktgjykim dënues ndaj të akuzuarës F.S., lidhur me akuzën për vrasjen e motrës T.S në Fushë-Kosovë, duke e dënuar me 7 vite burgim. Po ashtu, të akuzuarës iu shqiptua edhe masa e trajtimit të detyrueshëm psikiatrik.

Aktgjykimi ndaj të akuzuarës F.S., u shpall të mërkurën, nga kryetari i trupit gjykues, Kushtrim Shyti.

Sipas aktgjykimit, dënimi me burgim në kohëzgjatje prej 7 vitesh, do të ekzekutohet 15 ditë pas plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi.

Në këtë dënim, të akuzuarës do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim nga 9 prilli 2021.

Sipas aktgjykimit, e njëjta u lirua nga pagesa e shpenzimeve të procedurës penale, pasi që rrezikohet gjendja materiale e saj.

Gjykatësi Shyti gjatë shpalljes së aktgjykimit tha se e akuzuara F.S., do të ndalohet për trajtim të detyrueshëm psikiatrik nga dita e sotme e derisa institucioni të konstatojë se më nuk është e nevojshme që e njëjta të jetë aty për atë trajtim.

Po ashtu, kryetari i trupit gjykues konstatoi se nëse koha e mbajtur në ndalim për trajtim të detyrueshëm psikiatrik është më e shkurtër se dënimi me burgim, e akuzuara F.S do të dërgohet në burgim për ta mbajtur pjesën tjetër të dënimit.

Gjykatësi Shyti shtoi se institucioni përkatës ka për detyrë që çdo 6 muaj t’i dërgojë gjykatës raportin mbi gjendjen shëndetësore të të akuzuarës dhe suksesin e trajtimit ndaj saj.

Kujtojmë se në të njëjtën ditë, në sesionin e paraditës, u dha fjala përfundimtare në këtë rast, ku avokati i të akuzuarës F.S., Halit Shaljani, tha se nuk ka asnjë dyshim që e mbrojtura e tij vuan nga një sëmundje mendore, ndërsa prokurori Ilaz Beqiri, deklaroi se mbetet pranë fjalës përfundimtare të dhënë me 9 gusht 2022.

Ndryshe, më 11 gusht 2022 pritej të bëhej shpallja e aktgjykimit për këtë rast, por që nga ana e trupit gjykues për të njëjtin rast është rihapur shqyrtimi gjyqësor me arsyetimin se trupi gjykues ka vlerësuar se duhet të administrohen provat, përkatësisht dokumentet mjekësore të paraqitura nga ana e mbrojtësit të të akuzuarës, avokatit Halit Shaljani për shëndetin e të njëjtës.

Prokuroria Themelore në Prishtinë më 9 maj 2021 ka ngritur aktakuzë ndaj F.S., me arsyetimin se derisa ishte në dhomën e fjetjes së tani të ndjerës T.S që gjendet në Fushë-Kosovë, në gjendje të përgjegjësisë esencialisht të zvogëluar, nga motive të panjohura e kishte privuar nga jeta motrën e saj T.S.

Sipas aktit akuzues, derisa tani e ndjera ishte e shtirë në krevatin e dhomës së saj e pandehura fillimisht e kishte shtrënguar në qafë dhe fyt e më pas e kishte lidhur edhe shaminë në fyt, me ç’rast nga ngufatja kishte ndërruar jetë, ndërsa e pandehura kishte ikur nga vendi i ngjarjes duke kërcyer nga dritarja.

Lidhur me këtë, F.S po akuzohej për veprën penale “Vrasje e rëndë” nga neni 173, par 1, pika 1.3 të Kodit Penal./BetimipërDrejtësi

Të fundit

TË TJERA

Qëndro i informuar

Për të mos ju ikur asnjë lajm, regjistrohu në Paparaci