Të fundit

Hetimet kundër Agim Ademit: Dyshohet për dy vepra penale, rrezikon disa vite burgim

Me vendim të Prokurorit të Shtetit, kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi është ndaluar në mbajtje për 48 orë, pasi dyshohet për kryerjen e dy veprave penale.

I pari i shtëpisë së futbollit kosovarë dyshohet për “Keqpërdorimi i besimit”, nga neni 330 dhe “Shmangie nga tatimi”, nga neni 307 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Sipas Kodit Penal, Agim Ademi rrezikon deri në tre vjet burgim për shkak të dyshimit të kryerjes së veprës penale “Keqpërdorimi i besimit”.

“Kushdo që gjatë përfaqësimit apo kujdesit për interesat pasurore të personit tjetër nuk i
përmbush detyrimet e tij ose i keqpërdor autorizimet e tij me qëllim që vetes apo personit tjetër t’i sjellë dobi pasurore të kundërligjshme apo t’i shkaktojë dëm personit interesat pasurore të të cilit ai i përfaqëson ose pasuria e të cilit është nën kujdesin e tij, dënohet me gjobë dhe me burgim prej tre (3) muaj deri në tre (3) vjet”, thuhet në nenin 330 të  KPRK-së.

Varësisht nga vlera që dyshohet për shmangie tatimore, Agim Ademi rrezikon nga gjashtë muaj deri në tetë vite burgim, sipas nenit 307 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

“Kushdo që me qëllim që ai apo personi tjetër të fsheh apo t’i shmanget, pjesërisht apo
tërësisht, pagesës së tatimit, apo kontributeve të tjera që kërkohen me ligj, apo i shmanget tatimit duke përfituar rimbursimet tatimore apo kreditë tatimore të pajustifikuara, jep të dhëna të pavërteta për të ardhurat apo nuk i përfshin të dhënat lidhur me të ardhurat e tij, , gjendjen ekonomike apo fakte të tjera, ose përndryshe ofron informata false relevante për vlerësimin e detyrimeve të tilla, dënohet me gjobë dhe me burgim deri në katër (4) vjet”, thuhet në pikën 1 të nenit 307 të KPRK-së.

Pika 2 dhe 3 e këtij neni parasheh burgim deri në tetë vjet, varësisht nga vlera e shmangies tatimore.

“Kur detyrimi nga paragrafi 1. i këtij neni tejkalon shumën prej pesëmbëdhjetëmijë (15.000) Euro, kryesi dënohet me gjobë dhe me burgim prej gjashtë (6) muaj deri në pesë (5) vjet. Kur detyrimi nga paragrafi 1. i këtij neni tejkalon shumën prej pesëdhjetëmijë (50.000) Euro, kryesi dënohet me gjobë dhe me burgim prej një (1) deri në tetë (8) vjet”, thuhet në pikën 2 dhe 3 të nenit 307 të KPRK-së.

Agim Ademi ishte intervistuar sot nga Policia e Kosovës, ndërsa është ndaluar për 48 orë me vendim të Prokurorit të Shtetit.

Dje gjatë ditës ishte intervistuar edhe zyrtari i financave në Federatën e Futbollit të Kosovës, Agim Gashi.

Në prill të vitit të kaluar, Prokuroria e Shtetit, Policia e krimeve ekonomike dhe Inteligjenca doganore kishin nisur një hetim për donacionet e marra nga Federata e Futbollit e Kosovës në Ministrinë e Sportit.

Hetimet kishin nisur pas dyshimeve se udhëheqësit e FFK-së janë të përfshirë në evazion fiskal, shmangie të detyrimeve tatimore e keqpërdorim të fondeve të FFK-së.

Video nga Paradoks

Duda Balje komenton kolegët deputetë, tregon edhe analistin e saj të preferuar

Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Paparacit në Viber.

Subscribe në kanalin zyrtar të Paparacit - Kliko KËTU

Të fundit

TË TJERA

Qëndro i informuar

Për të mos ju ikur asnjë lajm, regjistrohu në Paparaci