Të fundit

Ministria e Drejtësisë rendit ngjarjet kryesore të javës, “harrohet” shkelja e Kushtetutës

Ministria e Drejtësisë e udhëhequr nga ministrja Albulena Haxhiu, ka renditur disa prej ngjarjeve kryesore të javës për këtë dikaster. Cilat janë ato dhe pse u “harrua” vendimi anti-kushtetues për Ligjin e Këshillit Prokurorial të Kosovës?

Të dielën, ministria e Drejtësisë ka publikuar disa ndodhi që kanë ndodhur e që kanë të bëjnë kryesisht me aktivitetet e ministres Haxhiu.

Një nga ngjarjet e listuara aty është edhe takimi i zonjës Haxhiu me shefin e njësisë për Kosovë të BE-së, Vassilis Maragos.

Sipas njoftimit, ata kishin diskutuar rreth zhvillimeve të fundit rreth reformave në drejtësi, raporton Paparaci.

Si një ngjarje e suksesshme është parë edhe nënshkrimi i memorandumit me Mbretërinë e Bashkuar, ku përveç Haxhiut, prezent ishte edhe ministri i Brendhsëm, Xhelal Sveçla.

Qëllimi i memorandumit është shkëmbimi i informatave për ta luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin.

Gjithashtu, si ngjarje figuron edhe një deklaratë e Komisionit të Venecias, ku siç thotë MD-ja, i njëjti ka rikonfirmuar se  komentet lidhur me ligjin për Byronë janë adresuar saktë dhe “si i tillë do të ndikojë direkt në luftën kundër korrupsionit, dhe parave të fituara në mënyrë të paligjshme”.

Si u “harrua” vendimi i Gjykatës Kushtetuese? 

Ministria e Drejtësisë nuk e ka përmendur fare një vendim mjaft të rëndësishëm që u mor të premten nga Gjykata Kushtetuese. Atë ditë u shpall shpall antikushtetues Ligji për Këshillin Prokurorial të Kosovës.

Ndërkohë, dy ditë më vonë, ai vendim anashkalohet dhe injorohet pikërisht nga ministria e Drejtësisë, shkruan Paparaci.

Sipas vendimit të Kushtetueses, janë gjetur shkelje që kanë të bëjnë me Ndarjen e Pushtetit, Kompetencat e Kuvendit të Kosovës, Rolin dhe Kompetencat e Avokatit të Popullit e shumë shkelje të tjera Kushtetuese.

Në anën tjetër, ministria e Drejtësisë dhe qeveria e Kosovës ishin paralajmëruar nga Komisioni i Venecias kur kishin kërkuar rekomandimin e tyre për çështjen e Ligjit për Këshillin Prokurorial të Kosovës.

Pas opinionit të dhjetorit të vitit 2021 të Komisionit të Venecias, Ministria e Drejtësisë i rishikoi projekt-amendamentet dhe i adresoi rekomandimet e Komisionit dhe më datë 25 shkurt 2022, iu drejtua Komisionit të Venecias për t’i pyetur nëse projekt-amendamentet e rishikuara i zbatonin rekomandimet kryesore të opinionit të dhjetorit.

Megjithëse, sipas opinionit të Komisionit të Venecias, ndryshimet e fundit të bëra në këtë ligj e paraqesnin qartë progresin krahasuar me draft-amendamentet origjinale, të analizuara në opinionin e dhjetorit, përkundër kësaj Komisioni i Venecias kishte konstatuar ende hapësirë për përmirësime.

Akuzat e Haxhiut ndaj Kushtetueses

Pasi Kushtetuesja mori vendim, ministrja Haxhiu iu drejtua qytetetarëve ditën e nesërme.

Haxhiu kishte deklaruar para gazetarëve se duke mos i përfillur rekomandimet e Komisionit të Venecias, Kushtetuesja po i jep një goditje Kosovës.

Ajo para mediave ka thënë se reforma në sistemin e drejtësisë ka qenë aspiratë, zotim dhe premtim i qeverisë Kurti.

Haxhiu po ashtu tha se deri më tani Këshilli Prokurorial ka përbërje korporatiste dhe se nga kjo kanë fituar grupe të interesit të ngushtë dhe interesit politik dhe se qëllimi i MD-së me këtë ligj ka qenë “çkapja” e sistemit të drejtësisë.

“Absurditeti qëndron edhe me interpretimin jo-korrekt me standarde ndërkombëtare dhe respektimin e dispozitave kushtetuese me qëllim të pengimit të reformës në drejtësi. Për ta bërë të pavlefshëm një ligj kaq të rëndësishëm thuhet që është në kundërshtim me Kushtetutën, përderisa ky ligj sipas Komisionit të Venecias është në përputhje me standardet ndërkombëtare, pra jemi shkëputur nga bota demokratike dhe uniteti i standardeve ndërkombëtare kur bëhet fjalë për pengimin e reformës në drejtësi, kështu kemi interpretim kushtetues të veçantë nga një Kushtetutë që trupëzon standardet ndërkombëtare, prandaj nuk mund të funksionojmë ndaras nga bota demokratike.”, tha Haxhiu.

Si erdhi deri tek publikimi i vendimit të premtën e 24 marsit?

Paparaci kishte raportuar një muaj më parë se Gjykata Kushtetuese kishte marrë vendim për rrëzimin e Ligjit për Këshillin Prokurorial të Kosovës, derisa publikimi ishte i planifikuar për sot 1 muaj, do të thotë më 24 shkurt.

Më 1 korrik të vitit të kaluar, Ligjin për Këshillin Prokurorial, në Gjykatën Kushtetuese e ka dërguar Partia Demokratike e Kosovës, për siç thuhej “cenimin e rëndë të pavarësinë së gjyqësorit dhe shtrimin e ndikimit të politikës në KPK”.

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri kishte thënë se ligji binte ndesh me gjashtë nene të Kushtetutës.

Sipas tij, në mes të dy leximeve po ashtu nuk janë marrë parasysh në tërësi edhe rekomandimet e Komisionit të Venecias.

“Vendimmarrja e KPK-së është direkt e varur nga politika, pra KPK-ja me ligj të ri nuk mund të ketë as kuorum as vendimmarrje në zgjedhjen e drejtuesve të pozitave të larta, pa pjesëmarrjen e njerëzve të politikës që dërgon mazhoranca – Kuvendi”, kishte deklaruar Tahiri.

Ligji për Këshillin Prokurorial është miratuar në Kuvendin e Kosovës më 23 qershor të vitit 2022.

Mes dy leximeve në Kuvendin e Kosovës, Ligji për KPK-në ishte dërguar për shqyrtim në Komisionin e Venecias. Bazuar në dy rekomandime të Komisionit, Ministria e Drejtësisë e kishte dërguar në kuvend versionin final të projektligjit.

Ministrja Haxhiu kishte deklaruar se Projektligji për KPK-në ishte një nga më të rëndësishmit të iniciuar nga Ministria e Drejtësisë.

Projektligji i ri për KPK-në parasheh ridefinimin e përbërjes së Këshillit Prokurorial të Kosovës. Nga 13 anëtarë, nga sa përbëhet Këshillit Prokurorial bazuar në Ligjin aktual në fuqi, propozim-ligji i qeverisë synon të reduktojë përbërjen e KPK-së në shtatë anëtarë.

Katër prej tyre do të zgjidhen nga shumica parlamentare, momentalisht e Lëvizjes Vetëvendosje. Tre të tjerë parashihen të zgjidhen nga sistemi prokurorial.

Këto dispozita ligjore i kanë shqetësuar prokurorët, të cilët kanë hapur një “konflikt” me Ministrinë e Drejtësisë shkaku i ligjit.

Këshilli Prokurorial i Kosovës e kishte kundërshtuar ligjin

Pas miratimit të tij në lexim të dytë në Kuvendin e Kosovës, përmes një reagimi publik, KPK-ja kishte shprehur shqetësimin e saj se ligji cenon pavarësinë e prokurorëve.

KPK-ja kishte pretenduar se miratimi i këtij ligji ishte bërë me injorimin e komenteve shtesë të Komisionit të Venecias.

“Ky nxitim i Ministrisë së Drejtësisë për të proceduar me shpejtësi këtë draft të projektligjit, pa e ndarë draftin final me aktorët e këtij procesi dhe pa i pritur komentet shtesë të Komisionit të Venecias, si dhe pa i marrë parasysh edhe propozimet e dala nga Strategjia për sundimin e ligjit dhe ato të përfaqësuesve të sistemit prokurorial, është tendencë për të cenuar pavarësinë e Këshillit Prokorurial dhe Prokurorit të Shtetit, si institucione të pavarura dhe kushtetuese”, shkruhej në reagimin e KPK-së më 26 qershor të vitit të kaluar, ditën e miratimit të ligjit. ndër të tjera në reagim.

KPK-ja e ka akuzuar Ministrinë e Drejtësisë se me vetëdije “po bllokon dhe defunksionalizon sistemin prokurorial të Kosovës”. /Paparaci.com

Video nga Paradoks

"Sa ma budallë mashkulli ma shumë dhunë", "Fejohen për ni t'shkume n'deti": Valon Syla flet për dhunën ndaj grave, u drejtohet Vjosa Osmanit e Albulena Haxhiut - "Siguria financiare zgjidh shumë sene"

Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Paparacit në Viber.

Subscribe në kanalin zyrtar të Paparacit - Kliko KËTU

Të fundit

TË TJERA

Qëndro i informuar

Për të mos ju ikur asnjë lajm, regjistrohu në Paparaci