Të fundit

“Një lojë shumë e rrezikshme” – alarmi i Kurteshit për mandatet e deputetëve që votuan Osmanin

Dy deputetët që janë zgjedhur në Kuvendin e Kosovës përmes zgjedhjeve të jashtëzakonshme të 14 shkurtit të vitit 2021, është raportuar në media se mund të shpallen të jashtëligjshëm nga Gjykata Kushtetuese. Kështu vlerësonte para rreth dy vitesh edhe Sami Kurteshi i Lëvizjes Vetëvendosje. 

Bëhet fjalë për Albert Kinollin dhe Veton Berishën, që vinë nga komuniteti rom dhe egjiptian. Të dy pretendojnë se deputetët e zgjedhur, Fadil Gashi dhe Adem Gashi kanë manipuluar me vota, raporton Paparaci.

Lista Serbe pretendohet se ka obliguar qytetarët e komunitetit serb të votojnë për kandidatë besnikë ndaj tyre brenda listave të komuniteteve tjera pakicë. E para që kishte fituar betejën, ka qenë deputetja nga komuniteti boshnjak, Duda Balje.

Ajo kishte kontestuar votat e Adriana Hoxhiq sepse të njëjtat ishin konstatuar që vinin nga lokalitete ku nuk ka komunitet boshnjak. Kësisoj, si Balje po presin të fitojnë të drejtën për ta kthyer mandatin e tyre si ligjvënës edhe Berisha bashkë me Kinollin.

Por, para se Kushtetuesja ta shpall vendimin e saj mbi këtë, është raportuar se të dy deputetët kontestues kanë marrë pjesë në raundin e parë të zgjedhjes së Vjosa Osmani si presidente e Kosovës.

Rrjedhimisht, më 4 prill të 2021-s, ishin plotë 81 deputetë të pranishëm në sallë, duke përfshirë edhe dy deputetët e kontestuar. Sipas Kushtetutës, kërkohet që në votim të marrin pjesë 2/3 e deputetëve të Kuvendit apo 80 sosh.

Megjithatë, para se të ndodhte votimi për presidenten Osmani, KQZ-ja kishte ngritur dyshimet për manipulimin e votave nga ana e Listës Serbe, kundrejt subjekteve politike nga komuniteti rom dhe boshnjak, shkruan Paparaci.

Të paktën kështu kishte pretenduar anëtari i atëhershëm i KQZ-së, Sami Kurteshi, më 25 shkurt të para dy viteve. Ndërsa, në mbledhjen e radhës të KQZ-së veçse ishin shpallur rezultatet përfundimtare më 4 mars, kurse 9 ditë më vonë edhe certifikimi i tyre.

Prandaj, Kurteshi deklaronte se ajo se çfarë kishte ndodhur në ditën e zgjedhjeve parlamentare është “devijim kristal i qartë i votës për komunitetet”.

“Në bazë të dëshmive, fakteve që dalin nga Qendra e Numërimit, nga formularët, shihet qartë se në disa komuna që janë të banuara me shumicë serbe, Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan, pjesën veriore të Mitrovicës, por edhe në Graçanicë, kemi një devijim kristal të qartë të votës për komunitetet. Në cilën formë? Kur merren parasysh statistikat nga Enti Statistikor i Kosovës, kur merren parasysh votimet e viteve të kaluara, shihet qartë se kemi një orientim të qëllimshëm të votave nga një komunitet, në këtë rast e kemi komunitetin serb, nga Lista Serbe, që ka numër më të madh të votuesve, në drejtim të subjekteve politike nga komuniteti rom dhe nga komuniteti boshnjak”, thoshte Kurteshi.

Sipas tij, “kjo shihet edhe më qartë kur shihen disa vendvotime se kjo është e orientuar politikisht dhe një strategji, ku vetëm subjekti ka vota dhe kandidatët jo”.

“Domëthënë, me rëndësi ka qenë që të kalohet subjekti i caktuar, e për kandidat mandej rregullohet. Pse po e ngriti këtë çështje? Po e ngriti për një arsye, se kjo është një lojë shumë e rrezikshme që mund të kthehet kundër komuniteteve. Pse po e them këtë? Sepse komuniteti shumicë i hapet rruga që ta thyejë sistemin e përfaqësimit të komuniteteve me vende të garantuara. Nuk mund të garantojë askush që në zgjedhjet e ardhshme, që komuniteti shumicë (shqiptarët) t’i ndajë anash 100.000 vota dhe me thy këtë parim, me ba copa-copa, duke i dhënë vota vetëm subjekteve, përfaqësuesit e të cilëve, janë të interesuar që t’i kenë në Kuvend”, shprehej ai, teksa fajësonte Listën Serbe duke e bërë përgjegjës për situatën e krijuar.

Ai shprehej se ky precedent i krijuar tash nga Lista Serbe është jashtëzakonisht i rrezikshëm.

“Vota për vendet e garantuara në Kuvend dhe vota demokratike për përfaqësuesit e shumicës kanë dy karaktere të ndryshme. Dhe nëse fillon të luhet me votën, ka të drejtë secili qytetarë, është një zonë zgjedhore Kosova, secili qytetarë të votojë për kënd të dojë, kjo është në rregull, por për vendet e garantuara kjo nuk është kështu. Ato janë vende të garantuara që marrin votat e komuniteteve që ka nevojë në mënyrë jodemokratike të përfaqësohen në Kuvendin e Kosovës, edhe në këtë institucion, për të mbrojtur interesat e tyre. Përndryshe, komuniteti shumicë, varësisht nga rrethanat, mund të krijojë precedentë të tilla, që t’i ketë krejt njerëzit që përfaqësojnë vetëm interesat e atij subjekti apo vetëm atij komuniteti”, vijonte Kurteshi me deklaratat e tij, ndonëse kërkesa e tij që vinte disa ditë pas mbajtjes së zgjedhjeve, nuk ishte hedhur në votim.

Kjo pasi, KQZ-ja nuk kishte kompetencë për të bërë interpretime të tilla, transmeton Paparaci.

Atëkohë, Valdete Daka në pozitën e kryetares së KQZ-së e pati përmendur Gjykatën Kushtetuese që mund ta trajtojë këtë temë të ngritur nga ish-deputeti Kurteshi.

Për çështjen e dy deputetëve të kontestuar, Avokati i Popullit nuk ka dashur të lëshohet në vlerësimin dhe komentimin e vendimeve të PZAP dhe Gjykatës Supreme, transmeton Paparaci.

“Përkundër këtij fakti, Avokati i Popullit vlerëson se për raste të njëjta organet vendimmarrëse duhet të nxjerrin vendime të njëjta. Në këtë mënyrë garantohet realizimi pa dallim i të drejtave zgjedhore dhe të pjesëmarrjes, të garantuara me Kushtetutë dhe instrumente ndërkombëtare, në të kundërtën, nëse për raste të njëjta nxjerrën vendime të ndryshme, atëherë krijohet situatë e pabarazisë dhe standardeve të dyfishta të vendosura nga organet vendimmarrëse. Në rastin e ankuesve, Avokati i Popullit vëren se PZAP dhe Gjykata Supreme kanë përdorur argumentet e paraqitura nga ankuesit, dhe në bazë të tyre kanë nxjerrë vendimet sipas të cilave disa janë aprovuar pjesërisht, ndërsa disa të tjera janë refuzuar”, konstatonte Avokati i Popullit.

Nga ana tjetër, Ehat Miftaraj nga IKD-ja e ka dhënë një opinion se a mund të rrëzohet Vjosa Osmani nga posti i shefes së shtetit.

Sipas tij, nuk mund të rrëzohet mandati i Osmanit edhe nëse Kushtetuesja vendos pozitivisht ndaj kërkesës së Veton Berishës dhe Albert Kinollit.

“Edhe nëse Gjykata Kushtetuese vendos pozitivisht sipas kërkesës së deputetëve Berisha dhe Kinolli të cilët kanë kontestuar kushtetutshmërinë e Aktgjykimit AA.nr.29/2021 të Gjykatës Supreme të Kosovës, si dhe Vendimit Anr.736/2021 të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), sipas praktikes së ndërtuar nga vet Gjykata Kushtetuese por edhe standardet ndërkombëtare lidhur me parimin e sigurisë juridike, nuk mund të rrezikohet mandati i Presidentes së Republikës apo qeverisë”, shkroi ai sot në Facebook.

“Në rradhe të parë, ankesa e dorëzuar nga dy kandidatët për deputetë nëse rezulton e suksesshme, potencialisht mund të revokohet mandati i një deputeti nga partia Romani Iniciativa në dobi të kandidatit për deputet Veton Berisha, për shkak të dyshimeve potenciale për deformim të mekanizmit të ulëseve të garantuara, duke mos anuluar të gjitha votat që subjektet politike të komuniteteve joshumicë kishin fituar nga komunitetet tjera të cilave ata nuk i përkisnin”, shtoi ai.

Të enjten, Blerim Vela, shefi i kabinetit të presidentes Vjosa Osmani i ka quajtur tentim-puç ndaj institucioneve, raportimet se Gjykata Kushtetuese mund ta rrëzojë shefen e shtetit.

“Pretendimet se gjoja Gjykata Kushtetuese do ta “rrëzojë” Presidenten, është synim perfid për t’i bërë presion Gjykatës dhe për të krijuar huti në publik. GjK është institucion i pavarur, e cila ka detyrim të qartë ligjor për të ruajtur integritetin e vendimmarrjes gjyqësore”, ka shkruar Vela në Twitter.

Raportimet se Osmani mund të rrëzohet, presidenca: Tentim-puç

“E kemi plotësisht të qartë se dezinformatat dhe propaganda që bëhet gjoja duke u thirrë “në burime brenda Gjykatës”, janë pjesë e luftës speciale të realizuar sipas skemës së përgatitur nga Beogradi dhe të realizuar përmes kriminelëve të veriut dhe sekserëve të tyre, të cilët ndodhen në listën e zezë të ShBA-ve. Çfarëdo skenari eventual për të shkaktuar kriza institucionale në Kosovë dhe për ta nxjerrë nga binarët procesin e dialogut (në veçanti për ta parandaluar zbatimin e nenit 4, të marrëveshjes), është vetëm skenar i vetë Serbisë”.

“Pra, kjo është përpjekje për ndikim të vendimmarrjes gjyqësore dhe tentim puç ndaj institucioneve legjitime të Republikës së Kosovës, dhe si e tillë do të dështojë”, shtoi ai./Paparaci.com

Video nga Paradoks

"Sa ma budallë mashkulli ma shumë dhunë", "Fejohen për ni t'shkume n'deti": Valon Syla flet për dhunën ndaj grave, u drejtohet Vjosa Osmanit e Albulena Haxhiut - "Siguria financiare zgjidh shumë sene"

Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Paparacit në Viber.

Subscribe në kanalin zyrtar të Paparacit - Kliko KËTU

Të fundit

TË TJERA

Qëndro i informuar

Për të mos ju ikur asnjë lajm, regjistrohu në Paparaci