Të fundit

Djathtistët në Serbi me fushatë kundër planit evropian për marrëveshjen Kosovë-Serbi

Që nga fillimi i vitit, partitë e djathta dhe politikanët në Serbi kanë investuar të paktën 7.000 euro në reklama në Facebook kundër planit evropian për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Një analizë e Radios Evropa e Lirë tregoi se janë paguar gjithsej 48 reklama kundër këtij plani.

Reklamat me pagesë kundër planit evropian u shfaqën midis 8.1 dhe 9.4 milionë herë në Facebook dhe Instagram, kryesisht për audiencën mashkullore.

Reklamat u publikuan në faqet në Facebook të lëvizjes së djathtë Dveri, liderit të kësaj lëvizje Boshko Obradoviq, liderit të Partisë së Re Demokratike të Serbisë (Novi DSS) Milosh Jovanoviq, Lëvizjes për Rivendosjen e Mbretërisë së Serbisë (POKS), si dhe faqen e POKS Beçej, e cila është degë e POKS-it.

Dveri, POKS dhe Novi DSS janë tri nga katër partitë parlamentare që organizuan protesta në mars, ku kërkuan refuzimin e Marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën.

Reklamat me pagesë në rrjetet sociale ndodhin në momentin kur është duke u pranuar Marrëveshja për rrugën e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të cilën partitë e djathta e kundërshtuan – si në rrjetet sociale ashtu edhe në rrugë.

Marrëveshja u pranua për herë të parë nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në fund të shkurtit në Bruksel, dhe për Aneksin për zbatimin e Marrëveshjes u pajtuan më 18 mars në Ohër.

Shuma e saktë nuk dihet, pasi Meta, kompania amë e rrjeteve sociale Facebook dhe Instagram, tregon vetëm rangun në të cilin është shuma e shpenzuar.

Bojan Perkov, studiues në fondacionin joqeveritar të Beogradit, SHARE, i cili merret me monitorimin e të drejtave digjitale të qytetarëve në Serbi, thotë për Radion Evropa e Lirë se, duke pasur parasysh se këto janë shifra tentative, mund të shtrohet pyetja se sa transparente janë në fakt pagesat e reklamave që bëhen në Facebook.

Megjithatë, ai thekson se kushdo që dëshiron të paguajë reklamat politike përmes platformës Meta, duhet të regjistrohet në atë sistem dhe t’i nënshtrohet një lloj verifikimi.

Studiuesi Bojan Perkov thotë për Radion Evropa e Lirë se partitë shpesh vendosin të reklamojnë në rrjetet sociale për shkak të numrit të madh të përdoruesve të tyre.

Sipas faqes së internetit Statista, në korrik të vitit 2021, kishte 4.2 milionë përdorues të Facebook-ut në Serbi, që ishte 61 për qind e popullsisë në atë kohë.

Shfaqja e reklamave nga partitë e djathta në përgjithësi nuk u fokusua ekskluzivisht në Facebook, por përfshinte edhe Instagramin, një tjetër rrjet social brenda kompanisë Meta.

“E njëjta kompani, d.m.th Meta, i menaxhon ato sisteme dhe në këtë mënyrë sigurohen mekanizma të caktuar kontrolli përmes atij sistemi të unifikuar reklamimi. Supozimi im është se ata i kanë zgjedhur ato rrjete sociale thjesht sepse ka shumë përdorues të të dyja rrjeteve sociale”, thotë Perkov.

Në përgjigjen për REL-in Dveri tha se mediat më të mëdha në Serbi janë nën kontrollin e Qeverisë dhe se ato nuk i japin hapësirë punës së opozitës.

Kjo parti përsëriti qëndrimin se është kundër propozimit evropian, duke shtuar se presidenti i Serbisë “e ka pranuar atë ultimatum dhe zbatimin e tij, dhe opozita shtetformuese nuk ka pothuajse asnjë hapësirë në media për t’u shpjeguar qytetarëve se marrëveshja përfaqëson kapitullimi i Serbisë”.

Dveri vlerësoi gjithashtu se e vetmja mënyrë për ta bërë këtë është sponsorizimi i postimeve në rrjetet sociale.

Disa nga reklamat që kundërshtonin planin evropian për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë bënin thirrje për protesta që u mbajtën në Beograd, por edhe në qytete të tjera të Serbisë.

Në faqet e Facebook-ut të partisë së djathtë Zavetnici (Të betuarit), e cila gjithashtu mori pjesë në organizimin e protestave gjatë muajit mars, nuk u gjet asnjë reklamë me pagesë.

As Partia Popullore dhe as lideri i saj, Vuk Jeremiq, nuk paguanin për reklama në Facebook. Ata, gjithashtu, kundërshtojnë planin evropian dhe Jeremiq mori pjesë në një protestë të partive të krahut të djathtë në Beograd më 17 mars.

Perkov shton se partitë e djathta kanë një “luftë të vazhdueshme për ruajtjen e Kosovës” në programet e tyre politike.

“Kështu është e qartë pse u përpoqën ta shfrytëzonin këtë moment. Mund të supozojmë se ka ndonjë lidhje, pse e përdorën atë moment për reklamim më masiv dhe për të investuar disa burime për të shprehur pakënaqësinë apo kundërshtimin ndaj atij plani”, përfundon Perkov.

REL-i ka analizuar edhe reklamat me pagesë të Partisë Progresive Serbe (SNS) në pushtet, të kryesuar nga Aleksandar Vuçiq, i cili mbështeti planin evropian.

Në faqen e saj zyrtare në Facebook, ajo parti nuk ka pasur reklama me pagesë që nga fillimi i prillit 2022, kur filloi heshtja parazgjedhore përpara zgjedhjeve parlamentare, presidenciale dhe lokale, në të cilat SNS-ja fitoi. /REL/

Video nga Paradoks

“S’ka vend ma t’fortë se Bellaqefci”: Valon Syla imiton e flet për turqit – “Si mongol, si Samurai”, këndon Poçarin e Ilir Shaqirit e tregon rastin komik me shqiptarët në Turqi.

Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Paparacit në Viber.

Subscribe në kanalin zyrtar të Paparacit - Kliko KËTU

Të fundit

TË TJERA

Qëndro i informuar

Për të mos ju ikur asnjë lajm, regjistrohu në Paparaci