Të fundit

Vrasja e rëndë në Lipjan, ja çfarë ndodhi në gjyqin e sotëm

Në seancën e së premtes, në gjykimin ndaj Besnik dhe Bajram Bedrolli për vrasjen e rëndë në Lipjan, dy të akuzuarit kanë shfrytëzuar të drejtën e tyre që të mbrohen në heshtje.

Në lidhje me këtë mbrojtësi i të akuzuarit Besnik, avokati Berat Tmava tha se paraprakisht është konsultuar me të mbrojturin e tij, duke shtuar se i njëjti qëndron pranë deklaratave që i ka dhënë më parë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Ndërsa në këtë fazë të procedurës e shfrytëzon të drejtën e tij ligjore dhe i njëjti mbrohet në heshtje”, ka shtuar tutje avokati Tmava.

Po ashtu edhe mbrojtësi i të akuzuarit Bajram, avokati Skender Musa ka thënë se është konsultuar në mënyrë të mjaftueshme me të mbrojturin e tij.

“Të gjitha sqarimet lidhur me rastin janë të incizuara gjatë rikonstruimit të vendit të ngjarjes”, ka thënë avokati Musa.

Paraprakisht në këtë seancë është dëgjuar në cilësi të dëshmitarit, i dëmtuari Admir Dushullovci.

I njëjti duke u përgjigjur në pyetjet e prokurores Bukurie Gjonbalaj, ka deklaruar se mbetet pranë deklaratave të dhëna më herët.

Ndërkaq, prokurorja Gjonbalaj ka propozuar që të lexohen deklaratat e dëshmitarëve të dhëna më parë dhe të vazhdohet tutje me procesin gjyqësor, propozim me të cilin janë pajtuar edhe avokatët Tmava dhe Musa.

Andaj, trupi gjykues i udhëhequr nga Ngadhnjim Arrni e ka aprovuar propozimin e palëve që të lexohen deklaratat e dëshmitarëve të dhëna në të gjitha fazat e procedurës.

Po ashtu, në këtë seancë janë lexuar edhe provat materiale të propozuara si në aktakuzë, si dhe ato të administruara gjatë shqyrtimit gjyqësor, duke përfshirë edhe dy raportet e rikonstruimit të vendit të ngjarjes.

Kurse në lidhje me provat materiale, avokatët Tmava dhe Musa thanë se kanë vërejtje në kuptim të mbrojtjes, mirëpo se do ti paraqesin në fjalën përfundimtare.

Krejt në fund, gjykatësi Arrni ka konstatuar se ka ndodhur një zbatim i një urdhër arrestit ku është arrestuar një i akuzuar dhe për shkak të afateve kohore, i njëjti detyrimisht duhet të mbaj seancë dëgjimore dhe se duhet të caktohet një datë tjetër për të vazhduar më fjalën përfundimtare.

Andaj, seanca e radhës është caktuar me 5 qershor 2023.

Ndryshe, për këtë rast është vendosur dy herë, herën e parë Gjykata Themelore në Prishtinë më 27 nëntor 2018, të akuzuarin Besnik Bedrolli, për vrasje të rëndë e kishte dënuar me 14 vjet e 6 muaj burgim, ndërsa për armëmbajtje pa leje, me 1 vit burgim. Ndaj tij, gjykata kishte shqiptuar dënim unik prej 15 vjet burgim efektiv.

Ndërsa, i akuzuari Bajram Bedrolli, për ndihmë në kryerjen e veprës penale “Vrasje e rëndë”, ishte dënuar me 9 vite e 6 muaj burgim, kurse për armëmbajtje pa leje ishte dënuar me 1 vit burgim, mirëpo ndaj tij kjo gjykatë kishte shqiptuar dënimin unik prej 10 vite burgim.

Mirëpo, Gjykata e Apelit këtë rast e kishte kthyer në rigjykim, duke anuluar aktgjykimin e shkallës së parë.

Pas kthimit në rigjykim, Gjykata Themelore në Prishtinë më 24 korrik 2020 të akuzuarin Besnik Bedrolli për veprën penale “Vrasje e rëndë” e kishte dënuar me 11 vjet burgim, ndërsa për veprën penale të “Armëmbajtjes pa leje” me një vit e gjysmë burgim. Të njëjtit, gjykata i ka shqiptuar dënim unik me burgim në kohëzgjatje prej 12 vitesh.

Për të akuzuarin Bajram Bedrolli, gjykata ka bërë ricilësimin e veprës penale nga “Vrasje e rëndë” të kryer në bashkëkryerje, në veprën penale “Lëndim i lehtë trupor”, në dëm të të dëmtuarve Eroll Qyqalla dhe Skender Ademi.

“Nuk kemi gjetur që Bajram Bedrolli ka kryer veprën penale të vrasjes së rëndë nga neni 179, paragrafi 1 lidhur me paragrafin 1.5 të KPRK-së, në bashkëkryerje, nga neni 31. Në vështrim të nenit 360, gjykata ka gjetur se i njëjti ka kryer veprën penale “Lëndim i lehtë trupor”, nga neni 188, paragrafi 2 të KPRK-së, në dëm të të dëmtuarve Eroll Qyqalla dhe Skender Ademi”, kishte thënë gjykatësja Krasniqi- Jashanica.

Të akuzuarit Bajram Bedrolli, për kryerjen e veprës penale “Lëndim i lehtë trupor”, nga neni 188, paragrafi 2 të KPRK-së, i ishte shqiptuar dënim me burgim në kohëzgjatje prej 2 vite e 10 muaj. Pas ankesës së ushtruar nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, Gjykata e Apelit me aktvendimin e 11 marsit 2021, e ka anuluar vendimin e shkallës së parë dhe lëndën e ka kthyer në rigjykim.

Këtë vendim, Apeli e ka marrë me arsyetimin se vendimi i shkallës së parë është i përfshirë në shkelje esenciale të dispozitave të procedurës, i njëjti nuk është i përpiluar në pajtim me dispozitat e nenit 370, par. 7 të KPPK-së, si dhe për shkak të vërtetimit të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike.

Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur më 12 tetor 2015, pretendohet se Besnik Bedrolli dhe Bajram Bedrolli, më 14 shkurt 2015, në restorantin “Agoni” në fshatin Banullë të Lipjanit pas një mosmarrëveshje mes tyre, në bashkëkryerje e kanë privuar nga jeta tani të ndjerin U. D.

Sipas aktakuzës, të njëjtit fillimisht ishin fjalosur e pastaj e kishin sulmuar tani të ndjerin D. dhe të dëmtuarit Eroll Qyqalla dhe Skënder Ademi me mjete të forta, i ndjeri e kishte përdorur armën e tij për ta evituar sulmin, mirëpo i pandehuri Besnik Bedrolli, me revolen e tij në afërsi rreth një metër ka shtënë në drejtim të D. katër herë dhe nga plagët e marra, ai ka vdekur në vendin e ngjarjes, ndërsa të pandehurit kishin ikur nga vendi i ngjarjes.

Me këto veprime, prokuroria i ngarkon të akuzuarit me veprën penale të “Vrasjes së rëndë” nga neni 179 i Kodit Penal dhe për “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 374 i Kodit Penal.

Video nga Paradoks

Zana Avdiu shuan kurreshtjen, tregon se a ka të dashur - flet për martesë e fëmijë

Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Paparacit në Viber.

Subscribe në kanalin zyrtar të Paparacit - Kliko KËTU

Të fundit

TË TJERA

Qëndro i informuar

Për të mos ju ikur asnjë lajm, regjistrohu në Paparaci