I dërguari i posaçëm i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, tha se SHBA pret që procesi i normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë të përfundojë sa më shpejt që të jetë e mundur dhe se palët duhet të angazhohen për zbatimin e obligimeve për të cilat kanë rënë dakord.
Ai tha se procesi i dialogut paraqet zhvillimin historik të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
“Marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve, e cila në kushtet evropiane krijon një marrëdhënie paqësore, të qëndrueshme dhe të parashikueshme ndërmjet dy shteteve fqinje armiqësore, është një arritje e jashtëzakonshme. U desh shumë guxim politik si nga presidenti Vuçiq, ashtu edhe nga kryeministri Kurti për të arritur këtë marrëveshje”, shtoi ai.
Sipas diplomatit amerikan, kemi të bëjmë me një marrëveshje që është ligjërisht e detyrueshme.
“Zëvendëspresidenti i Komisionit Evropian, Josep Borrell, tha se marrëveshja është ligjore dhe ligjërisht e detyrueshme. Dhe të dy liderët e kanë konfirmuar. Tani pyetja është se si të zbatohet plotësisht”, tha Escobar për agjencinë malazeze të lajmeve “Mina”, transmeton Paparaci.
Ai tha se është optimist se “do të arrihet qëllimi”, si dhe se beson se të dy liderët mund të tregojnë vullnetin politik të nevojshëm për të hedhur hapat e duhur.
“Me Serbinë janë disa elemente që duhet të plotësohen sa i përket njohjes së targave të veturave, kartave të identitetit dhe disa gjërave tjera. Kosova pritet të formojë edhe Asociacionin e Komunave Serbe. Më vjen keq, kjo nuk është pritje, është një detyrim”, tha ai, teksa shtoi se SHBA dëshiron që këto procese të zhvillohen sa më shpejt.
“Nuk shoh ndonjë arsye pse nuk mund të përfundojë deri në fund të verës”, tha Escobar.
Duke folur për “Ballkanin e Hapur” , Escobar tha se e sheh këtë iniciativë si një mundësi për integrimin dhe përparimin e të gjitha vendeve të rajonit.
Escobar përsëriti se SHBA do të mbështesë të gjitha nismat që afrojnë Ballkanin Perëndimor me Evropën, si dhe nismat që afrojnë vendet e rajonit me njëri-tjetrin dhe që janë të hapura për të gjithë.
“Me fjalë të tjera, për sa kohë që “Ballkani i Hapur” është plotësisht i lidhur me procesin e Berlinit, nuk shoh asnjë arsye për ta kundërshtuar atë”, tha Escobar.
Kjo, shtoi ai, nuk do të thotë se SHBA është më pak mbështetëse për procesin e Berlinit apo tregun e përbashkët rajonal.
“Për sa kohë që ata qëndrojnë për të njëjtat gjëra, nuk ka asnjë arsye për të mos i mbështetur ata. Dhe nëse dy, tre, katër ose pesë vende vendosin individualisht të shkojnë drejt disa prej atyre prioriteteve nga procesi i Berlinit, pse duhet t’i ndalojmë nëse ata duan të përgatiten paraprakisht? Kjo është në rregull, por duhet të jetë në përputhje me procesin e Berlinit”, beson Escobar./Paparaci.com