Të fundit

Bislimi: Kryetarët në veri mund tё punojnë vetëm nga ndёrtesat e komunёs

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, rreth situatës në veri, ka thënë se është e rëndësishme që kryetarët e zgjedhur të fillojnë sa më parë me ofrimin e shërbimeve për qytetarët.

Sipas tij, kryetarët veriorë mund tё ushtrojnë pёrgjegjёsitё e tyre vetëm nga ndёrtesat e komunёs, nga ku dhe shërbejnë për interesat e secilit qytetar pa dallim, raporton Paparaci.

Kështu tha ai pasi priti në në takim gjatë ditës Raportuesen për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon.

Deklarata e tij vjen pavarësisht se përfaqësuesit e shteteve të QUINT-it në Kosovë – SHBA-së, Mbretërisë së Bashkuar, Italisë, Gjermanisë dhe Francës – kërkuan nga Qeveria e Kosovës që të ndërmarrë hapa që do të çonin në shtensionimin e situatës në veri të Kosovës.

Ambasadori i SHBA-së, Jeffrey Hovenier, i cili mori pjesë në takim, tha se “ka një marrëveshje se shtensionimi i situatës duhet të ndodhë, por nuk e di se si do të ndodhë”.

“Ne besojmë se nuk është e nevojshme që kryetarët e zgjedhur [të komunave në veri] të punojnë çdo ditë në ndërtesat komunale. Për një afat të shkurtër, ne rekomandojmë që kjo të mos bëhet”, tha diplomati amerikan.

Sipas tij, Qeveria e Kosovës ka qenë në gjendje të gjejë mënyra që kryetarët të betohen në ndërtesa alternative dhe ta shmangin konfliktin.

Megjithatë, Zyra e Kryeministrit tha se në fillim të takimit mes Bislimit dhe Cramonit, u shpreh mirënjohja për punën e kësaj të fundit në Parlamentin Evropian dhe mbështetjen e vazhdueshme për Kosovën, veçanërisht në liberalizimin e vizave, anëtarësimin në Këshillin e Evropës dhe BE.

ZKM-ja tha se raportet e fundit të publikuara, siç është edhe ai i PE-së për Kosovën, përmbante mesazhe pozitive për vendin dhe vlerësime në integrim evropian, ekonomi, financa, agjendën legjislative e arsim ndër shumë fusha të tjera të përfshira.

“Përkrahja që vjen nga Parlamenti Evropian, është i çmueshëm për rrugëtimin evropian të Kosovës, e cila ecën paralelisht dhe me vizionin e vendit tonë drejt BE-së dhe suportin e qytetarëve të Kosovës ndaj integrimit në BE. Zëvendëskryeministri Bislimi, theksoi se institucionet tona janë të maturuara, të gatshme dhe të përgatitura për të kontribuar pozitivisht në përmbushjen e hapave të nevojshëm në kuadër të procesit të integrimit dhe avancimit tutje në proces”, thuhet në njoftim.

“Zëvendëskryeministri Bislimi e informoi znj. Cramon edhe mbi procesin e dialogut dhe takimin e fundit të mbajtur në Bruksel me 15 maj”, thuhet në komunikatën e ZKM-së.

Video nga Paradoks

"I sheh kojshiket me paketa, me kaçika": Valoni flet për pulat e alkoolin, tregon rastin nga rinia e tij - "Gërditna prej mishit t'pulës".

Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Paparacit në Viber.

Subscribe në kanalin zyrtar të Paparacit - Kliko KËTU

Të fundit

TË TJERA

Qëndro i informuar

Për të mos ju ikur asnjë lajm, regjistrohu në Paparaci