Të fundit

Sa fitojnë “pensionistët në politikë”: Shuma e Merkelit është marramendëse, Thaçi e Gjukanoviqi janë histori tjetër

Milo Gjukanoviq, presidenti aktual i Malit të Zi, e fitoi statusin e presidentit të nderit deri në moshën 66-vjeçare – kur i jepet mundësia ligjore për të dalë në pension. Ndërkohë nga shteti do të marrë një pagë prej 1680 eurove. Kjo shumë është pak më e lartë se dy paga mesatare në Mal të Zi, dhe pak më e lartë sesa paga që përfitojnë ish-presidentët e Kosovës. Kjo praktikë është e përfaqësuar kudo në botë. Disa ish-zyrtarë të rangut të lartë, si Angela Merkel në Gjermani apo Liz Truss në Britaninë e Madhe, marrin deri në 10 herë më shumë nga shteti sesa Gjukanoviqi në Mal të Zi e Thaçi, Jahjaga e Sejdiu në Kosovë.

Konkretisht, sipas ligjit, Milo Gjukanoviqit i takon 70 për qind e pagës nga muaji i fundit prej përfundimit të detyrës si president.

Këtë të drejtë e ushtron si president nderi i shtetit dhe zgjat deri në pensionimin e tij.

Prandaj, Gjukanoviqi do të fitojë 1680 euro për pesë vitet e ardhshme.

Përveç pagës, Gjukanoviqi vendosi të “rrëmbejë” edhe përfitimet e tjera që i takojnë si president nderi, si për shembull një zyrë të veçantë, mbështetje administrative dhe një polic në shoqërim.

Këto të drejta i takojnë të gjithë ish-presidentëve të Malit të Zi, të cilët e kanë ushtruar atë detyrë që nga shpallja e pavarësisë së Malit të Zi në vitin 2006.

Përfitimet e presidentëve në Kosovë

Megjithatë, ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i cili po përballet me një proces gjyqësor në Hagë, merr pagë më të ulët sesa Gjukanoviqi.

Sipas Ligjit për Përfitimin e ish-Zyrtarëve të Lartë në Kosovë, ish-Presidenti i Kosovës përfiton pagën prej 70 për qind të pagës aktuale të presidentit.

Llogaritur me pagën aktuale të presidentit, e cila është 2,160 euro, ish-presidentët e Kosovës, Hashim Thaçi, Atifete Jahjaga e Fatmir Sejdiu përfitojnë pagë mujore prej 1,512 eurove.

Që prej dorëheqjes nga detyra, ish-Presidentit Hashim Thaçi i ka vazhduar paga mujore dhe nga nëntori 2020 deri në mars 2023 rezulton se ai ka përfituar shumën prej 83 mijë euro.

Merkeli ka fitime rekord

Edhe pse shumëkujt i duket se ish-presidentët e Kosovës mund të jenë të mbi paguar, ata në fakt nuk janë më të paguarit nga ish-zyrtarët e lartë shtetërorë në Evropë. Për shembull, ish-kancelarja e Gjermanisë, Angela Merkel, ka 20 muaj që merr gjysmën e pagës së mëparshme të saj, pra 12,500 euro.

Kjo shumë nuk përfaqëson pensionin e saj zyrtar dhe përfundimtar, pasi ajo ka të drejtë ta marrë këtë pagë si ish-kancelare vetëm deri në korrik të këtij viti.

Pas kësaj, autoritetet kompetente në Gjermani do të marrin parasysh aktivitetin e saj dhe do të llogarisin shumën për pensionin përfundimtar të saj.

Kryeministre vetëm për 45 ditë

Një tjetër rast i një ish-zyrtareje, e cila në bazë të pozicionit të saj të mëparshëm, merr një shumë marramendëse parash nga shteti, është rasti i ish-kryeministres së Britanisë së Madhe, Liz Truss.

Edhe pse Truss kaloi vetëm gjashtë javë ose 45 ditë si kryeministre, ajo merr 115,000 paund (rreth 132,000 euro) në vit nga shteti, që është shuma e rezervuar për ish-kryeministrat.

Përkatësisht, Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar miraton një kompensim vjetor për të gjithë ish-kryeministrat, i cili synon rimbursimin e tyre për shpenzimet e bëra gjatë kryerjes së detyrave publike në atë rol.

Përveç kësaj, Truss ka të drejtë për një pension deri në 10 për qind të shtesës – që arrin në rreth 13,000 euro.

Truss është kryeministrja e gjashtë britanike që merr këtë kompensim, i cili u prezantua në vitin 1991 nga ish-kryeministri John Major pas dorëheqjes së Margaret Thatcher. /Paparaci.com

Video nga Paradoks

Duda Balje komenton kolegët deputetë, tregon edhe analistin e saj të preferuar

Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Paparacit në Viber.

Subscribe në kanalin zyrtar të Paparacit - Kliko KËTU

Të fundit

TË TJERA

Qëndro i informuar

Për të mos ju ikur asnjë lajm, regjistrohu në Paparaci