Derisa vendimi i Qeverisë së Kosovës për pezullimin e certifikatës së biznesit të Klan Kosovës ndodhet ende në fuqi, disa eksponentë të Lëvizja Vetëvendosje kanë bërë vet shkelje të parimeve kushtetuese.
Një ministre e ekzekutivit dhe disa deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje, vazhdojnë ta kenë të regjistruar Prishtinën si pjesë të Serbisë në profilet e tyre në platformën Scopus.
Scopus është një nga platformat më të rëndësishme në botë e cila përmban të dhëna mbi publikimet shkencore të autorëve ndërkombëtarë. Shkencëtaret e sferave të ndryshme i publikojnë aty botimet e tyre.
Platforma nuk e njeh Kosovën. Në këtë linjë kanë vepruar ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli dhe disa deputetë të LVV-së, të cilët në profilet e tyre në Scoupus kryeqytetin e Kosovës e kanë regjistruar si vendbanim në Serbi, bazuar në të dhënat publike të platformës.
Ata kanë vepruar kështu, ndonëse në data-bazën e Scopus ka edhe shembuj të tjerë të cilët tregojnë se mund të mënjanohet mundësia e përdorimit të Serbisë si lokacion për Prishtinën. Ndryshe nga ministrja Rizvanolli dhe deputetët e VV-së ka vepruar presidentja Vjosa Osmani, e cila gjithashtu posedon llogari në Scopus. Lokacioni i cili figuron në vendbanimin e presidentes Vjosa Osmani në Scopus është “Prishtinë, Turqi”.
Paraqitja e Prishtinës si pjesë të Serbisë përbën shkelje të parimeve kushtetuese, sipas Kushtetutës së Republikës së Kosovës.
Me këtë argument, qeveria e udhëhequr nga Lëvizja Vetëvendosje nxori vendim të paprecedentë për pezullimin e certifikatës së biznesit të televizionit kombëtar Klan Kosova.
Rreth dy javë më pare, Agjencia për Regjistrimin e Bizneseve, e cila funksionon në kuadër të Ministrisë së Tregtisë, nxori vendim për pezullimin e ceritifikatës së biznesit të Klan Kosovës për shkak të regjistrimit të afarizmit në kundërshtim me parimet kushtetuese, vetëm pse pronari i saj në një shtet tjetër, ku nuk funksiononte kodi “xk” për Kosovë, regjistroi KGO Median me pasaportë të Serbisë.
Vendimi, nga i cili qeveria nuk është tërhequr ende pavarësisht prej reagimeve të përfaqësive të huaja diplomatike në vend e organizatave ndërkombëtare, është ende në fuqi.
Klan Kosova, sipas Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, është regjistruar në kundërshtim me parimet kushtetuese, vetëm pse pronari i saj në një shtet tjetër, ku nuk funksiononte kodi “xk” për Kosovë, regjistroi KGO Median me pasaportë të Serbisë.
Paparaci, raportoi sot se si deputeti i LVV–së, Fitim Uka, punimin e fundit në Scopus e ka publikuar në vitin 2023.
Punimi i Ukës nxjerr në shesh edhe një të pavërtetë të thënë vitin e kaluar nga ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arberie Nagavci, e cila u ngut të marrë merita të ndërrimit të kodit të Serbisë me atë të Kosovës në këtë platformë.
Në një postim në shtatorin e vitit 2022, Nagavci tha se falë punës së MASHT-it, Scopus e ka njohur Kosovën dhe vonesa, sipas saj, kishte ardhur nga neglizhenca e paraardhësve të saj.
“Platforma Scopus e njeh Kosovën. Përkundër nismave individuale të hulumtuesve që Kosova të jetë e listuar në një nga platformat më të rëndësishme shkencore në botë, siç është platforma Scopus, deri më tani ka munguar pjesa institucionale e veprimit”, kishte thënë ministrja Nagavci, vitin e kaluar.
“Si rezultat, e gjithë puna e hulumtuesve tanë nga Kosova deri më tani i është faturuar Serbisë. MASHTI ka marrë masa, duke e adresuar këtë problem dhe sot kam kënaqësinë të ndaj lajmin e mirë me gjithë komunitetin hulumtues se tashmë puna hulumtuese e tyre i njihet Kosovës”.
Suksesi i proklamuar nga ministrja Nagavci nuk është konfirmuar nga Scopus. Në këtë platformë, Kosova vazhdon të figurojë pjesë e Serbisë.