Të fundit

Zv/ministri shkaktoi dy aksidente, e fajësoi shoferin dhe e largoi nga puna

Shoferi i Shemsi Sylës është shkarkuar nga puna, pasi zbuloi dy aksidentet e zv/ministrit me veturë zyrtare, për të cilat tregon se i kishte mbajtur të fshehura. Thotë se u largua padrejtësisht nga puna dhe kundërligjshëm. E akuzon zv/ministrin e Mbrojtjes për rrena e mashtrime. Në një rrëfim për Paparacin, ai tregon se qysh u fajësua dhe mbi të gjitha u kërcënua nga Syla që mos të shkojë në seli të LVV-së, ndonëse është anëtar aty tash e 12 vjet. 

Besfort Veseli

Hetem Vrajolli, tash e tutje do të punojë si taksist, pasi ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, e ka larguar nga puna pa ndonjë arsye.

Vrajolli, 57-vjeçar nga Prishtina, për gati dy vite shërbeu si shofer i zëvendësministrit të Mbrojtjes, Shemsi Syla. Tash më 5 korrik, atij iu kumtua vendimi i firmosur nga Mehaj se është liruar nga puna.

Ai, ka hedhur akuza ndaj ministrit Mehaj dhe zv/ministrit Syla. Në një rrëfim për Paparacin të enjten, Vrajolli tregon se nuk i është dhënë mundësia as që të ankohet për largimin e tij nga puna.

Thotë, se as arsyet nuk i di se pse më nuk do të punojë si shofer i zv/ministrit Syla. Ai pretendon se Syla ia ka shkaktuar dëme buxhetit të shtetit rreth tetë mijë euro, nëpërmjet dy aksidenteve të trafikut që thotë se i ka mbajtur “sekret”.

Bile, Syla siç shprehet Vrajolli, i kishte fshehur këto dy incidente. Pas një debati me të, Vrajolli thotë se Syla i ka treguar se më nuk i duhet si shofer.

“Vendimi që e ka bo Armend Mehaj, që e ka nënshkruar, as arsyet nuk është aty. As s’oshtë që kam drejt me u anku, kurrë vërejtje s’kam pasur”, thotë Vrajolli, i cili tregon se tash e tutje, po punon si taksi në një kompani private në Prishtinë.

“Por, pa iu rrejt Shemsi Syla, nuk e dini çka o e rreme”. Vrajolli shprehet se Syla është një person që e gjuan gurin, por e fsheh dorën. Ndërkohë, ministri Mehaj thotë se nuk ia ka hapur telefonin, për të marrë sqarime se pse e ka liruar ai nga puna, shkruan Paparaci.

5 korrik, 2023: Vendimi i ministrit Mehaj për ta liruar nga puna Hetem Vrajollin
5 korrik, 2023: Vendimi i ministrit Mehaj për ta liruar nga puna Hetem Vrajollin

“Ai është person që e gjuan gurin, e fsheh dorën. 23 muaj shofer I tij jam konë. E kam thirrë ministrin e mbrojtjes me ma sqaru, s ma qel telefonin , I kam shkru sms s’mu ka përgjigj. I kam thënë shefit të kabinetit, Hasan Hoxha, çoma email-in për çfarë arsye jam largu, ai tha se kam por vetëm ministri”, shtoi Vrajolli.

Vrajolli, thotë se nëse Mehaj merret me “rrenat e Sylës” që ka vendosur ta largojë nga puna, atëherë ai lë thotë se “unë i mbrojë rrencat”.

Për shkarkimin e tij nga puna, Vrajolli shpjegon se ka pasur komunikim personal me deputetin e LVV-së, Salih Zyba, por që ai nuk ia ka hapur më telefonin. “Ka thonë këqyri. Kurrfarë përgjigje s’më dha kurrkush”.

Paraprakisht, Vrajolli kishte qenë shofer i Mehajt më 2021, por pas dy muajsh tregon se ka dalë te Syla. Këtë të fundit thotë se kurrë nuk e ka njohur më parë. Syla thotë se e ka detyruar që të vozitë mbi 200km/h në Prishtina për në Shqipëri. Thotë se këtë e destinacion ka arritur për 35 minuta, pas kërkesës së Sylës.

Gjithashtu, Vrajolli thekson se Syla e ka kërcënuar atë që mos t’i afrohet selisë së Lëvizjes Vetëvendosje, pasi e ka të “ndaluar”.

“Ma ka bo ndalesë në LVV rreptësishtë, se jam kon anëtar u saj. Shkoj ia dorëzoj anëtarësinë Salih Zybës para Kuvendit. Me rrena s’mahet shteti. Nuk e di pse ma ka ndalu, ka thonë ‘sbon me të pa kurrkush ty’. Që 12 vjet në LVV, e ky me thonë po na pengon”.

Vrajolli, i cili tregon se tash e 12 vite është i anëtarësuar në Lëvizjen Vetëvendosje të Albin Kurtit, shpjegon se si zv/ministri Syla kishte tentuar t’i fsheh dy aksidentet që i kishte shkaktuar.

“Pas mos-marrëveshjeve me zv/ministrin, më 3 janar e ka marrë kerrin zyrtar dhe ka shkuar në fshat. Më 10 janar, ma ka kthyer veturën të bome aksident. Dhe e kam pyet, zv/ a je vra, ka thon jo un ë skam bo aksident, por ma kanë rrok djemt e vëllait a do katunar ti, po s’po me tregojë kush. I kam besu si zv/ministër që mua si shofer I tij, ma tregon të vërtetën”, thotë tutje Vrajolli.

Pas 30 ditësh, Vrajolli thotë se e kuptoi që Syla ka gënjyer dhe se ai ishte që e ka shkaktuar aksidentin në Graçanicë, raporton Paparaci.

Dhe pikërisht për këtë aksident, Vrajolli thekson se Syla nuk e ka lejuar që t’i binte kah Graçanica, sa herë që zv/ministri ka udhëtuar në vendlindjen e tij në Gjilan, Bresalc.

“Mas 1 muaji e kam marrë vesh që më ka rrejt, që kish bo aksident. Ke dashur ta fshehë aksidentin, është dash me më tregu (rreth aksidentit). Më ka rrejtur 1 muaj ditë, a ndeshje kish bo në Gracanicë. Dhe sa here e kam çu në Gjilan, në fshatin e tij Bresalc, s’më ka lënë me i ra kah Graçanica”.

Kur e ka pyetur se pse nuk i ka treguar për ngjarjen në fjalë, Vrajolli thotë se Syla i është drejtuar me fjalët “kush k*** je ti më të dhënë llogari?”.

Ai tregoi edhe rastin e dytë ku pretendon se Syla e ka dëmtuar veturën zyrtare sa ishte duke qëndruar në fshatin Zhegovc, të Gjilanit. Syla nuk ka qenë i qasshëm për Paparacin të enjten, për t’i komentuar akuzat e ish-shoferit të tij personal.

Në një moment, Syla ishte treguar “kapadai” duke i thënë Vrajollit se qysh ai “po ia kthen fjalën”, duke e ditur se është zv/ministër.

“Më 17 prill kemi shkuar në Zhegovc, e kemi marrë një person rrugës, Agim, (Syla) tha hin këtu, i kam thënë nuk bon, më ka thënë qysh po ma kthen ti mu fjalën, unë jam zv/ministër. Ka dalë i ka gra kerrit, e ka bo llom”.

“Edhe, tash kerri i ka lyp 7 mijë euro operatori që e ka tenderin. Masi e kemi çu në servis, edhe e kam marr edhe një golf 5, të parkuar në ministrinë e Mbrojtjes, kur kemi ardhur te Hotel Victoria, më ka thënë ti zbrit këtu, unë shkojë vetë në Bresalc, edhe atë e ka prishur, frenin e dorës”.

“Ka dashur ta fsheh rastin krejt. Edhe për aksidentin e dytë, I kam thonë thirre policinë, I kena thirrë fshatarët me na nxjerr me traktor. Edhe Golf 5 që ia ka djeg llamellën, edhe ai kushton 1 mijë euro. Komplet 8 mijë euro”, vijon Vrajolli.

Mes tjerash, ai kallëzon edhe një moment përplasjeje që e kishte me zv/ministrin Syla, pasi ankohej për fjalët fyese dhe të rënda që një nga asistentët  e tij ia thoshte herë pas here.

“Kur i kam thënë zv/ministrit se asistentit tond me fjalë të rënda s’ta duroj, më ka thënë çka i bon, i kam thonë ta rrehi në zyre. Në zyrë jam shkuar më 27 qershor dhe më ka thënë Hetem deri më 30, pas 30 s’kam nevojë për shofer, e kam administratorin dhe shoferin”.

Për këto zhvillime, që kanë ndodhur përbrenda më pak se dy vitesh, Vrajolli beson se Syla e ka gënjyer Mehajn për rastin e tij.

“E di që edhe Mehajn e ka rrejt 100%. Mehaj është dashur me më thirrë, nëse un duhem me rrejt veç pse jam shofer i zv/ministrit, unë me rrejt nuk rrej. Kurrkujt s’i frikësohem. E kam një djalë me Sindrom Down, një 9 muajsh, gruaja s’më punon. Vetë punoj taksi. S’më ka dhënë afat për ankesë, është i jashtëligjshëm”.

Krejt në fund, ai shprehet i habitur se si Syla e “kishte gënjyer vazhdimisht”. “Kur më ka rrejt për aksident, mua kumedit çka është në gjendje me bo ai me shpëtu veten”.

“Unë me rrena s’kam qejf. Nëse një zv/ministër nuk e tregon vërtetën, ajo nuk peshon kurrgjë. Ma ka gërdit emrin Albin (Kurti), Shemsi Syla, edhe më qiti prej punës veç pse ia kam thënë të vërtetën”.

Video nga Paradoks

Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Paparacit në Viber.

Subscribe në kanalin zyrtar të Paparacit - Kliko KËTU

Të fundit

TË TJERA

Qëndro i informuar

Për të mos ju ikur asnjë lajm, regjistrohu në Paparaci