Gjykata Themelore në Prishtinë, të mërkurën ka shpallur aktgjykim lirues ndaj Bedri Krasniqit lidhur me akuzën për vrasjen e dy zyrtarëve policorë në vitin 2004 në Podujevë, kurse Alban Dezdari u dënua me 8 vjet burgim për veprën penale “Ndihmë në kryerjen e veprës penale vrasje”.
Në arsyetmin e vendimit, kryetari i trupit gjykues, Arben Hoti, fillimisht tha se nuk janë provuar në tërësi faktet relevante për tëcilat janë akuzuar Krasniqi dhe Dezdari, raporton “Betimi për Drejtësi“.
“Në këtë çështje penale nuk janë provuar në tërësi faktet relevante që përbëjnë figurën kryesore të veprës penale të cilat janë vënë në barrë të pandehurve Alban Dezdari dhe BedriKrasniqi”, tha gjykatësi Hoti.
Lidhur me dëshminë e dëshmitarit Shkumbin Mehmeti, gjykatësi Hoti sqaroi se dëshmia e tij ishte tejet kontradiktore në lidhje me dy të akuzuarit Krasniqi dhe Dezdari.
“Shkumbin Mehmeti kishte dhënë disa dëshmi kontradiktore në lidhje me Bedri Krasniqin dhe në lidhje me Alban Dezdarin”, deklaroi ai.
Gjithashtu, gjykatësi Hoti gjatë arsyetimi lidhur me dëshmitarin Mehmeti tha se në procedurë fillestare nuk i kishte implikuar në kryerjen e veprave penale Dezdarin dhe Krasniqin, por se këtë e kishte bërë në fazat e mëvonshme.
“Ky dëshmitar e kishte implikuar të akuzuarin Bedri Krasniqi si njëri nga kryerësit e veprës penale ndonëse nuk e kishte përmendur në dëshmitë e tij fillestare, por vetëm në një moment të caktuar të procedurës e kishte bërë këtë”, shtoi Hoti.
Tutje, për dëshmitarin Mehmeti, gjykatësi Hoti tha dëshmia e tij ishte e paqartë dhe se nuk përputhej me provat materiale dhe ato personale.
“Deponimet e Shkumbin Mehmetit kanë shumë të meta dhe paqartësi në lidhje me Bedri Krasniqin, të njëjtat nuk përputhen me asnjë provë tjetër qoftë materiale apo personale. Në fakt, provat e listuara për administrim nuk ndërlidhen qoftë drejtpërdrejt qoftë tërthorazi me Bedri Krasniqin si kryerës i kësaj vepre penale”, tha gjykatësi Hoti
Lidhur me administrimin e provave, gjykatësi Hoti kujtoi se pothuajse të gjitha provat e administruara në këtë çështje penale ishin provat që janë administruar dhe në çështjen penale ku dëshmitari Mehmeti ishte shpallur fajtor në vitin 2006.
“Pothuajse të gjitha provat e administruara në këtë proces gjyqësor janë prova të administruara në procesin gjyqësor të vitit 2006 ku tani Shkumbin Mehmeti është shpallur fajtorë”, shtoi gjykatësi Hoti.
Lidhur me masat e fshehta, për të njëjtat gjykatësi Hoti tha se nuk e kanë implikuar as të akuzuarin Krasniqi dhe as të akuzuarin Dezdari.
“As në atë kohë dhe as në këtë proces nuk e kanë implikuar të akuzuarin Bedri Krasniqi qofshin ato masat e fshehta të përgjimit të telefonit, qofshin edhe dëshmitë e dëshmitarëve”, tha Hoti.
Tutje, për dëshminë e dëshmitarit Bujar Kelmendi, gjykatësi tha se nuk ka vlerë provuese në drejtim të kryerjes së veprave penale për çka akuzohen Dezdari dhe Krasniqi.
“Trupi gjykues po ashtu ka vlerësuar se dëshmia e dëshmitarit Bujar Kelmendi nuk ka vlerë provuese në drejtim të kryerjes sëveprës penale pasi që më shumë ishte bazuar në intuitën hetuese të të njëjtit”, tha Hoti.
Lidhur me skenën e krimit, gjykatësi Hoti tha se asnjë nga dëshmitarët nuk e kanë implikuar të akuzuarit Dezdari dhe Krasniqi.
“Asnjë nga dëshmitarët që ishin prezent në skenën e krimit nuk e kanë implikuar as Bedri Kraniqin dhe as Alban Dezdarin për kryerjen e këtyre krimeve”, shtoi Hoti.
Arsyeja sipas gjykatësit Hoti se pse dëshmitari Mehmeti kishte implikuar të akuzuarit Dezdari dhe Krasniqi ishte pasi që të njëjtit i ishte premtuar nga prokurori i EULEX-it se do t’i zbutej dënimi dhe vetëm pasi që nuk i është zbutur ky dënim i njëjti ka folur të vërtetën
“Ndërsa, arsyeja që i kishte implikuar në këtë rast kishte qenë sipas tij që pasi që i ishte premtuar nga ana e prokurorit ndërkombëtar se atij do t’i zbutej dënimi dhe vetëm pasi që i është refuzuar kërkesa për zbutje të dënimit nga Gjykata Supreme e Kosovës, ka vendosur të flasë”, tha Hoti.
Gjykatësi Hoti përmendi sentencën latine që flet lidhur me atë se si deklarata e dëshmitarëve duhet të jetë e mbështetur në deklarata dhe burime të tjera.
“Pra, në rastin konkret i përgjigjet sentencës latine testis nunustestis nullus që do të thotë se dëshmia indirekte sikurse deklarata e dëshmitarëve duhet të mbështetet dhe në deklarata ose burime tjera”, tha Hoti.
Gjykatësi Hoti tha se e kaluara e tij kriminale nuk mund të ndikojnë në përcaktimin e fajësisë lidhur me akuzat e Prokurorisë ndaj tij.
“Karakteristikat personale të Bedri Krasniqit, e kaluara e tij kriminale nuk mund të merren për bazë me rastin e caktimit të fajësisë në këtë rast e as në ndonjë rast tjetër”, tha Hoti.
Tutje, gjykatësi lidhur me dënimin e shqiptuar ndaj Dezdarit, tha se ka marrë parasysh faktin se nga provat është vërtetuar se ishte pjesë e një grupi të armatosur dhe se kishte kontribuar në kryerjen e veprave penale të ndërmarra nga ky grup.
“Alban Dezdari i udhëhequr nga disa ndjenja personale i ishte bashkuar një grupi të armatosur kriminal si rastin kur kishin shkuar në Mitrovicë si dhe kishte dhënë kontribut në vënien në dispozicion të mjeteve për kryerjen e veprës penale sikurse transporti i armëve nga Peja për në Mitrovicë, e të cilat veprime qartazi përbënin krim të ndëshkueshëm me ligjet e aplikueshme në atë kohë, si dhe kishte mundësuar krijimin e kushte për furnizimin për këtë grup të njerëzve”, tha ai.
Kurse, për pikën dy të aktakuzës, gjykatësi Hoti tha se i ka liruar Dezdarin dhe Krasniqi pasi që Prokuroria gabimisht ka ngarkuar edhe me ato vepra penale dy të akuzuarit.
“Gjykata i ka liruar të pandehurit për pikën dy të aktakuzës vrasje e rëndë në tentativë në bashkëkryerje, pasi që Prokuroria në mënyrë të gabuar i ka ngarkuar të pandehurit edhe me këtë vepër penale pasi që rrezikimi apo plagosja e personave te tjerë është element kualifikues i veprës penale të vrasjes”, shtoi Hoti.
Gjithashtu, lidhur me aktakuzën e Prokurorisë, gjykatësi Hoti tha se e njëjta është dublifikuar, çka është e ndaluar sipas tij.
“Prokuroria ka bërë diplifikimin e akuzave, kjo nuk është lejuar”, shtoi ai.
Andaj, në fund gjykatësi Hoti tha se në bazë të provave Dezdarin dhe Krasniqi nuk ka mundur t’i dënojë për veprën penale “Vrasje e rëndë”, por se vetëm Dezdari është gjetur fajtor për veprën penale “Ndihmë në kryerjen e veprës penale”.
“Në bazë të prova të administruara, gjykata nuk ka mundur të vërtetojë veprën penale të vrasjes së rëndë ndaj Bedri Krasniqit dhe Alban Dezdarit, po që gjykata e gjeti fajtor të pandehurin Alban Dezdari për veprën penale “Ndihmë në kryerjen e veprës penale”.
Gjithashtu, për të akuzuarin Dezdari gjykatësi Hoti njoftoi se e liron nga masa e paraburgimit.
“I akuzuari Alban Dezdari lirohet nga masa e paraburgimit që në ditën e sotme, pas shpalljes së aktgjykimit”, tha Hoti.
Ndaj këtij aktgjykimi, gjykatësi Hoti njoftoi palët për të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit.
Ndryshe, të akuzuar në këtë rast për vrasjen e zyrtarëve policorë kishin qenë edhe Bajram Kiqmari dhe Faik Shaqiri, mirëpo Gjykata Supreme në shtator 2017, kishte nxjerrë aktvendim për lirimin e tyre, pasi sipas kësaj gjykate, dy të akuzuarit ishin gjykuar vite më parë rreth kësaj ngjarjeje dhe se ekziston një aktgjykim për pushimin e hetimeve kundër tyre.
Ish-Gjykata e Qarkut e Prishtinës, më 9 nëntor 2007, fajtor për sulmin që ishte konsideruar si terrorist e kishte shpallur vetëm Shkumbin Mehmetin, të cilin e kishte dënuar me 30 vite burgim, ndërsa i kishte liruar nga akuzat Nazim Kadriun, Arben Ahmetin, Arsim Rashitin, Jeton Sylejmanin, Osman Kelmendin, Florim Ejupin, Xhavit Kosumin, Faik Shaqirin, Nezir Kelmendin, Irfan Ademin, Xhafer Zymberajn dhe Bajram Kiqmarin.
Prokuroria e EULEX-it, më 21 korrik 2017 kishte ngritur aktakuzë kundër të akuzuarve Bedri Krasniqi, Alban Dezdari, Bajram Kiqmari, Faik Shaqiri, për shkak të kryerjes së veprave penale “Vrasje e rëndë” dhe “Vrasje në tentativë”.
Sipas aktakuzës, katër të akuzuarit më 23 mars 2004 në Podujevë, në bashkëkryerje me Agron Sylejmanin, Florim Ejupin dhe Shkumbin Mehmetin, kishin sulmuar një patrullë të UNMIK-ut, të cilët ishin duke patrulluar afër fshatit Shakovicë.
Në aktakuzë thuhet se të akuzuarit kishin qëlluar me armë së paku 108 herë në drejtim të automjetit dhe katër pasagjerëve të saj, duke privuar nga jeta zyrtarin policor të UNMIK-ut, Possible Essuman dhe zyrtarin policor të Kosovës, A.Rr, të cilët kishin qenë duke i kryer detyrat e tyre të mbrojtjes së rendi ligjor.
Lëndime nga plumbat e shkrepur kishin pësuar zyrtari i Policisë së Kosovës, Basri Mulliqi dhe përkthyesi i UNMIK-ut, Ramë Zeneli.
Sipas aktakuzës, të akuzuarit qëllimisht kishin rrezikuar jetën e më shumë personave, të cilët ishin në automjete që vinin prapa veturës së UNMIK-ut, duke vepruar për motive nacionaliste dhe qëllimisht kishin kryer këto dy vrasje.