Të fundit

Deimel: Vuçiq po e kthen gjithmonë vidhën e përshkallëzimit, kjo më në fund duhet të ketë pasoja

Njohësja e çështjeve të Ballkanit Perëndimor, Johanna Deimel, shprehet pesimiste për takimin e nesërm mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, me ndërmjetësim të Bashkimit Europian.

Në një bisedë me KALLXO.com, Deimel thotë se nuk pret asgjë të re nga takimi përveç fotografive të zakonshme dhe deklaratave të ndryshme nga palët.

“Sinqerisht nuk pres asgjë të re atje. Do të shohim fotot e zakonshme, pastaj deklarata të ndryshme për shtyp nga të dyja palët, të cilat nuk nënkuptojnë asnjë centimetër lëvizje. Pushimi veror ka përfunduar dhe Aleksandar Vuçiq tashmë po bën “ngrohjet” për zgjedhjet e reja në dhjetor. Kjo do të ndikojë edhe në zgjedhjet lokale dhe situatën në veri të Kosovës”- vlerëson gjermania Deimel.

Teksa flet për deklaratën e BE-së të datës 3 qershor në të cilën janë përmendur tre pika si kërkesa ndaj Kosovës dhe Serbisë;  zgjedhjet të reja menjëherë, sigurimin e pjesëmarrjes së serbëve të Kosovës dhe fillimi i punës për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe (AKS), me dialogun e lehtësuar nga Unioni Europian, analistja thotë se themelimi i Asociacionit është obligim i miratuar në vitin 2013 dhe i ratifikuar nga Kuvendi i Kosovës.

Ajo shton se kërkesa për fillimin e zbatimit të AKS-së nuk është e re dhe është e drejtë.

“Po, është një detyrë shumë e vështirë, po aq e vështirë sa edhe përfshirja e vërtetë e serbëve në procesin e përgjithshëm politik të Kosovës. Për këtë, përveç të drejtave të garantuara të pjesëmarrjes politike, duhet të ndërmerren hapa konkretë nga Qeveria, nga Albin Kurti, ndaj bashkëqytetarëve të tij serbë”- nënvizon Deimel.

Njohësja e çështjeve të Ballkanit Perëndimor thotë se instrumentalizimi i komuniteti serb në Kosovë nga Vuçiq përfundimisht bie në kurriz të vetë serbëve.

“Instrumentalizimi i komuniteti serb në Kosovë nga Vuçiq përfundimisht bie në kurriz të vetë serbëve. Ata kanë në një masë të madhe vetëm një përfaqësim ‘pro forma’ dhe janë veçanërisht në veri nën gardën e Beogradit dhe/ose grupeve kriminale. Shqetësuese janë gjetjet aktuale të armëve në Zveçan”- tha Deimel.

Më tej, Deimel thekson se Kosova tashmë është objekt i sanksioneve dhe duhet të përmbushë obligimet e Planit franko-gjerman dhe sipas saj Kurti duhet të bëjë lëvizje të qarta në këtë drejtim, përderisa shton se presidenti serb Vuçiq gjithmonë po e kthën vidhën e përshkallëzimit dhe kjo, siç thotë analistja, duhet të ketë pasoja.

“Kosova tashmë është subjekt i sanksioneve dhe duhet të përmbushë obligimet e Marrëveshjes franko-gjermane dhe të dialogut. Albin Kurti duhet të bëjë një lëvizje të prekshme këtu. Më lejoni të shtoj në lidhje me Serbinë: Stabilokracia, siç e kam quajtur fenomenin, ishte një lajthitje. Në vend që të japë stabilitet, Aleksandar Vuçiq po e kthen përgjithmonë vidhën e përshkallëzimit. Kjo më në fund duhet të ketë pasoja”- përfundon Deimel për KALLXO.com.

Takimi i 14 shtatorit është i pari që po realizohet mes Kurtit dhe Vuçiqit prej rritjes së tensioneve në veri, qysh në fund të majit.

Takimi i fundit mes Kurtit dhe Vuçiqit u zhvillua më 2 maj të këtij viti.

Situata në veri të Kosovës është tensionuar kur kryetarët e rinj shqiptarë të Zveçanit, Leposaviqit e Zubin Potokut po hynin në ndërtesat komunale, me gjithë rezistencën e banorëve lokalë serbë.

Për shkak të tensioneve në veri, NATO-ja ka rritur numrin e ushtarëve në kuadër të KFOR-it.

Kryetarët e katër komunave në veri të vendiit u zgjodhën më 23 prill, votime që u bojkotuan nga partitë dhe popullata lokale serbe.

BE dhe SHBA kanë kërkuar nga Kosova dhe Serbia që të ulin tensionet, përderisa palës kosovare i është kërkuar që të mundësojë mbajtjen e zgjedhjeve të reja, ndërkaq asaj serbe që të sigurojnë që serbët të marrin pjesë në votime.

Në fund të qershorit, BE- kishte vendosur disa masa për Kosovën për shkak të mosmarrjes së veprimeve për shtensionim të situatës në veri të Kosovës, hapa të cilët ishin kërkuar në fillim të qershorit nga përfaqësusi i lartë për Politikë të Jashtme të BE-së, Josep Borrell.

Shtensionimi i situatës, zgjedhjet e reja dhe rikthimi në dialog janë tri pikat e përmendura nga ndërkombëtarët si kërkesa për Kosovën dhe Serbinë.

Nga vitit 2011, Kosova dhe Serbia janë pjesë e dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja, për normalizim të raporteve.

Ndonëse palët kanë nënshkruar një mori marrëveshjesh, por jo të gjitha janë zbatuar.

Video nga Paradoks

"Prej jashti s'keni pa": Fisnik Ismaili flet për Shpend Ahmetin e Përparim Ramën - "Goditjet i kanë ardhë nga VV"

Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Paparacit në Viber.

Subscribe në kanalin zyrtar të Paparacit - Kliko KËTU

Të fundit

TË TJERA

Qëndro i informuar

Për të mos ju ikur asnjë lajm, regjistrohu në Paparaci