Dy basketbollistët e Vëllaznimit, Jon Ukaj e Burim Zekiqi kanë përfunduar në spital mbrëmë pas një përleshje që kishin mes vete në stërvitjen e klubit.
Të dy basketbollistët janë përfshirë në një sherr, i cili ka përfunduar me konfrontim fizik. Njëri nga ta dyshohet ta ketë goditur bashkëlojtarin e tij, duke i shkaktuar lëndime të rënda trupore, raporton Sinjali, transmeton Paparaci.
Viktima është dërguar me urgjencë në spital, ku pas ekzaminimeve mjekësore është konstatuar se ai ka pësuar frakturë në hundë.
Ndërkohë lidhur me rastin është njoftuar edhe Policia e Kosovës.
Zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Gjakovës, Sheremet Elezaj, tha se i dyshuari është shoqëruar në stacion policor ku është intervistuar nga organet e hetuesisë.
“Mund të ju konfirmoj se dje në rrugën “Tirana” është arrestuar i dyshuari, mashkull kosovar, mbi dyshimin se rreth orës 17:30 ka sulmuar fizikisht viktimën, po ashtu mashkull kosovar me ç’rast i ka shkaktuar lëndime trupore. Viktimës i është ofruar ndihma mjekësore si dhe është njoftuar prokurori i shtetit me vendimin e të cilit është iniciuar rast “Lëndim i rëndë trupor“”, tha Elezaj.
Vëllaznimi do të përballet sot me Golden Eagle Yllin në kuadër të ndeshjeve çerekfinale të Superkupës së Kosovës.