Të fundit

Blinken flet për fuqinë dhe qëllimet e diplomacisë amerikane në një epokë të re

Gjatë një fjalimi në Shkollën e Studimeve të Avancuara Ndërkombëtare (SAIS) të Universitetit Johns Hopkins, Sekretari amerikan i Shtetit Antony J. Blinken foli të mërkurën për një moment kyç në histori, një moment përballjeje me një pikëpyetje thelbësore strategjike – se si do të arrijmë aty ku dëshirojmë pa u goditur nga katastrofat gjatë rrugës.

Ai u shpreh se skena ndërkombëtare është tashmë thellësisht e ndryshme nga ajo e 30 viteve më parë kur ai pati filluar të shërbejë në qeverinë amerikane.

“Dekadat e stabilitetit relativ gjeopolitik janë zëvendësuar nga konkurenca e rritur me fuqitë autoritare, me fuqitë revizioniste. Lufta e agresionit të Rusisë në Ukrainë është rreziku më akut, më i menjëhershëm ndaj rendit ndërkombëtar të mishëruar në Kartën e OKB-së dhe në parimet e saj themelore të sovranitetit, integritetit territorial dhe pavarësisë së vendeve, si dhe për të drejtat e pamohueshme njerëzore të individëve”, tha Sekretari Blinken.

Ai gjithashtu e përshkroi Kinën si sfidën më afatgjatë për shkak se ajo synon jo vetëm të ndryshojë formën e rendit ndërkombëtar, por pasi ka gjithnjë e më shumë fuqinë ekonomike, diplomatike, ushtarake dhe teknologjike për ta realizuar këtë.

Sekretari Blinken vuri në dukje se Pekini dhe Moska po punojnë së bashku për ta bërë botën më të sigurt për autokracinë nëpërmjet “partneritetit të tyre pa kufij”.

Ai tha se ndërsa vendet dhe qytetarët po humbasin besimin e tyre tek rendi ekonomik ndërkombëtar, ndërkohë edhe demokracitë janë gjithnjë e më të rrezikuara. Ato sfidohen nga brenda nga udhëheqës të zgjedhur që shfrytëzojnë pakënaqësitë dhe rrisin frikën, që gërryejnë pavarësinë e gjyqësorit dhe të mediave, që godasin shoqërinë civile dhe opozitën politike. Ashtu siç sfidohen edhe nga jashtë, nga autokratë që përhapin dezinformim, që përdorin korrupsionin si armë, dhe që ndërhyjnë në zgjedhje.

Sekretari Blinken mendon se në këtë periudhë kritike, Shtetet e Bashkuara udhëheqin nga një pozitë force, të bazuar tek modestia dhe vetëbesimi. Në fjalimin e tij, Sekretari Blinken riafirmoi se Shtetet e Bashkuara do të mbrojnë dhe forcojnë rendin botëror të bazuar në ligjet ndërkombëtare dhe parimet themelore të të drejtave të njeriut, me një ekonomi të bazuar te konkurrenca, me lëvizje të lirë dhe me standarde në arsim, shëndetësi, infrastrukturë dhe teknologji.

“Kur Pekinët dhe Moskët e botës të përpiqen të rishkruajnë – ose të rrëzojnë – shtyllat kryesore të sistemit shumëpalësh; kur ata pretendojnë në mënyrë false se rendi ekziston vetëm për të avancuar interesat e Perëndimit në kurriz të të tjerëve – një kor global gjithnjë e në rritje vendesh dhe popujsh do të ngrihen për t’i thënë: jo, sistemi që ju po përpiqeni ta ndryshoni është sistemi ynë; u shërben interesave tona”tha Sekretari Blinken.

Duke njohur edhe sfidat e brendshme të Amerikës, Sekretari Blinken bëri thirrje për të vepruar me vendosmëri dhe për t’i paraprirë historisë, të udhëhequr nga parimet, partneritetet dhe vizionet e asaj që synojmë të arrijmë, të një bote që lëviz drejt lirisë, paqes dhe një komuniteti ndërkombëtar që është në nivelin e duhur për sfidat e sotme./voa

Video nga Paradoks

Kush kënd e tradhëtoi? Dardan Molliqaj flet për largimin nga VV-ja, komenton edhe darkën e Kurtit me Memli Krasniqin - "Zgjedhjet janë dëshirë e Kurtit"

Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Paparacit në Viber.

Subscribe në kanalin zyrtar të Paparacit - Kliko KËTU

Të fundit

TË TJERA

Qëndro i informuar

Për të mos ju ikur asnjë lajm, regjistrohu në Paparaci