Klubi i Vëllaznimit përmes një reagimi ka njoftuar se ka marrë masa disiplinore ndaj dy basketbollistëve të klubit që janë përleshur në stërvitje.
Mbrëmjen e djeshme, Jon Ukaj e Burim Zekiqi nuk i kanë zhvilluar stërvitje si zakonisht. Pas një konfrontimi, dyshja janë përleshur, ndërsa është nevojitur edhe ndihma mjekësore.
Klubi i Vëllaznimit e ka dënuar këtë akt, ndërsa ka shtuar se ka marrë masa displinore ndaj dy basketbollistëve.
Sipas Vëllaznimit, fokusi i vetëm është ndeshja çerekfinale ndaj Golden Eagle Yllit që do të zhvillohet sot në kuadër të Superkupës së Kosovës.
“KB Vëllaznimi njofton tifozët “Kuqezinjët e Jakovës” dhe të gjithë adhuruesit e klubit se klubi i qytetit ka adresuar zhvillimet e fundit dhe konform rregullave të klubit ka marrë masa ndaj lojtarëve të përfshirë që kanë thyer kodin disiplinor dhe të sjelljes sportive.
KB Vëllaznimi dënon rastin në fjalë dhe është i vendosur të luftojë që rastet e tilla të shëmtuara të qëndrojnë larg nga sporti. KB Vëllaznimi siguron adhuruesit se klubi është i fokusuar vetëm në ndeshjen e radhës dhe shkon me motiv të lartë në Suharekë për duelin çerekfinal të Superkupës ndaj nikoqirit, KB Golden Eagle Ylli”, thuhet në reagimin e klubit.