Presidenti serb Aleksandar Vuçiq, pas përfundimit të takimit të pasuksesshëm me kryeministrin Kurti në Bruksel, përshkroi disa nga çështjet për të cilat nuk janë pajtuar, duke e fajësuar kryeministrin kosovar për dështimin e bisedimeve.
Duke folur për zgjedhjet në veri të Kosovës, Vuçiq ka thënë se ai do të kishte bërë gjithçka që serbët të marrin pjesë në zgjedhje nëse kryetarët shqiptarë japin dorëheqje.
“Nuk mund të bëj asnjë premtim në emër të tyre, por thashë se do të bëj më të mirën. Ai (Kurti v.j.) mori përgjigje edhe nga zoti Escobar se është mirë që ata të japin dorëheqjen. Mirëpo, Kurti tha se nuk i shkon mendja të heqë dorë nga kryetarët e komunave të tij”, ka pretenduar Vuçiq, transmeton Paparaci.
I pyetur nëse propozimi, të cilin Vuçiq e përshkroi si zgjidhje kompromisi, ka ndonjë afat, Vuçiq tha se ai nënkupton që Asociacioni duhet të shkojë e para.
“Përfundimi është se ata nuk duan, kur të pyesni Kurtin, thjesht më konfirmoni nëse do ta pranoni formimin e Asociacionit, nuk merrni kurrë përgjigje pozitive. Ai pastaj ju thotë se ai do ta formojë atë nëse 21 nga 22 parimet, të cilat e “ashtuquajtura” Gjykata Kushtetuese e Kosovës i ka refuzuar edhe nëse nuk ka kompetenca ekzekutive dhe nëse është në përputhje me tekstin e hyrjes të shkruar nga Derek Chollet dhe Gabriel Escobar. Imagjinoni, për ne, burimi i të drejtave të bëhet diçka që Escobar dhe Chollet kanë shkruar”, ka thënë Vuçiq./Paparaci.com