Gjatë ditës së sotme është mbajtur takimi i radhës në Bruksel mes kryeministrit Albin Kurti dhe Aleksandër Vuciq.
Kurti në një deklaratë për media pas takimit që përfundoi pa marrëveshje, ka thënë se ai ka qenë i vetmi që ka pasur një propozim.
Kryeministri iu ka dhënë gazetarëve kopje të dokumentit ku kanë qenë 18 pika, me propozime të veçanta.
Drejtpërdrejt, gazetari i Gazeta 10 ka lexuar disa nga propozimet, ku pika e parë ka qenë për aneksin e deklaratës së përbashkët për personat e pagjetur.
Në pikat e radhës është shënuar si propozim marrëveshja e përbashkët për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. Poashtu, është kërkuar njohja e dokumenteve respektive dhe kombëtare në mes të dy shteteve.
Në një pikë tjetër flitet për lansimine një procesi negociator, si dhe kërkohet që palët të përmbahen nga përdorimi i dhunës dhe forcës dhe të angazhohen që të bashkëpunojnë referuar kartës së OKB-së.
Gazetari ka treguar se në njërin prej neneve, flitet për hapa subsancial për sa i takon anëtarësimit të Kosovës në Bashkimin Evropian, në Këshill të Evropës dhe në NATO.
Poashtu, është kërkuar që të ndalohet operimi i strukturave paralele serbe, të cilat financohen nga Serbia, pra siç është shënuar në dokument, të çmontohen.
Në njërën prej pikave, Kurti ka kërkuar që të krijohen marrëdhënie të mira miqësore në mes dy qeverive dhe në mes institucioneve të dy shteteve, pra të ketë përmirësim të raporteve.