Analisti dhe njohësi i çështjeve politike, Agon Maliqi nëpërmjet një postimi në Facebook, duke komentuar takimi e sotëm në Bruksel midis kryeministrit të Kosovës Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandër Vuçiq ka thënë se qasja e BE-së ndaj dy vendeve ka qenë gjithmonë asimetrike për shkak të vendeve mosnjohëse ndaj Kosovës dhe qëndrimit neutral të BE-së ndaj shtetësisë së Kosovës.
Megjithatë, Maliqi ka thënë se Kosova e ka mposhtur këtë asimetri duke u koordinuar me një superfuqi si Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe ka akuzuar qeverinë Kurti për prishje të këtij koordinimi.
“Kosova në BE ka hasur gjithmonë në raport asimetrik për shkak të vendeve mosnjohëse dhe neutralitetit të BE ndaj statusit. Kjo asimetri është thelluar edhe më shumë me largimin e Britanisë. Por Kosova gjithmonë e ka thyer këtë asimetri përmes koordinimit me një superfuqi si SHBA. Këtë parim fatkeqësisht e theu qeveria e sotme e cila vendosi të konfrontohet dhe t’i mbajë ligjerata SHBA-ve.”, ka thënë Maliqi.
Ai më tutje ka thënë se Kosova e ka shkatërruar besimin dhe kredibilitetin te aleatët, përfshirë edhe Gjermaninë dhe ka mbetur pa mbështetje dhe po ankohet për mirëkuptimin e perëndimit me Vuçiqin, izolimin dhe sovranitetin prej letre në veti.
“Për të fituar pikë me metoda populliste dhe për ta ushqyer dalldinë nacionaliste, me aventurat e njëpasnjëshme në veri, hap pas hapi e gërryu dhe e shkatërroi besimin dhe kredibilitetin te të gjithë aleatët e tjerë, përfshi edhe Gjermaninë. E mbetur e vetmuar dhe pa mbështetje, tash po akohet me rezultatin: mirëkuptimin perëndimor për Vuçiqin; izolimin ndërkombëtar dhe; sovranitetin prej letre në veri që po shkon drejt protektoratit ndërkombëtar. Një rrugë qorre e cila është përfundimi logjik i popullizmit qorr.”, tha Maliqi. /Paparaci.com/