Viti akademik 2022/2023 përfundoi, por pagat për punën e saj në Universitetin e Prishtinës ende nuk i dolën në xhirollogari.
Arbenitë Hoxha – Ramaj e angazhuar si bashkëpunëtore e jashtme në Fakultetin e Filologjisë, nuk është paguar që nga shkurti i këtij viti.
Meqë viti akademik përfundoi dhe pagat ende nuk u ekzekutuan, më 2 gusht Hoxha – Ramaj kërkoi sqarim nga Ministria e Financave.
E kur u informua që raportet e honorarëve dhe orëve të mbajtura janë dorëzuar me kohë nga menaxhmeti i UP-së në Ministrinë e Financave, ajo sërish iu drejtua kësaj të fundit, por kësaj radhe ajo nuk mori fare përgjigje.
Hoxha-Ramaj, e cila është e angazhuar si bashkëpunëtore e jashtme në Departamentin e Gazetarisë tash e pesë vjet, thotë se kjo është hera e parë që përballet me një situatë të tillë.
Hallin e njëjtë me të e ndan edhe Sami Kryeziu, bashkëpunëtor i jashtëm në Fakultetin e Bujqësisë dhe Veterinarisë në Universitetin e Prishtinës.
Kryeziu, i cili ka udhëtuar çdo ditë nga Suhareka, ankohet për shpenzimet e shumta që ka bërë për, siç thotë ai, këtë donacion, për çka thotë se dikush duhet të japë përgjegjësi.
Nga Universiteti i Prishtinës i kanë thënë KIKS-it se gjendja e njëjtë është në të gjitha fakultetet e këtij universiteti.
E problemi sipas tyre, qëndron në zbatimin e Ligjit të Pagave, i cili nuk e parasheh fare angazhimin e bashkëpunëtorëve të jashtëm.
Pavarësisht kësaj amullie, Universiteti i Prishtinës sërish ka hapur konkurset për bashkëpunëtorë të jashtëm dhe Hoxha – Ramaj dhe Kryeziu përsëri ua kanë mësyrë këtyre pozitave, pavarësisht se ende nuk janë paguar për punën e vitit të kaluar akademik.
KIKS Kosova ka kontaktuar me Ministrinë e Arsimit dhe atë të Financave lidhur me këtë çështje, por as pas gati një jave nuk ka pranuar përgjigje nga asnjëri dikaster.