Opinionisti Shkelzen Maliqi, ka reaguar pas takimit të sotëm në Bruksel, në mes kryeministrit Kurti dhe Aleksandër Vuçiq.
Përmes një shkrimi në Facebook, Maliqi është shprehur se Kurti nuk po i kupton rregullat e lojës me ndërkombëtaret, dhe se po i injoron propozimet e BE-së dhe ShBA-ve sepse po i mban idetë e veta për marrëveshjen me Serbinë.
“KM i Kosovës nuk i kupton rregullat e lojës me faktorët ndërkombëtarë. Injoron dhe përbuzë propozimet e BE dhe SHBA, sepse i mban në xhepin e vogël prej gjeniu idetë e veta se si duhet të jetë marrëveshja me Serbinë”, është shprehur ai.
Tutje, Maliqi është shprehur se Kurti ka vendosur mos t’i përfillë Amerikën, Britaninë dhe Francën.
“Gjatë historisë asnjëherë nuk kemi pas fat të tillë, si aktualisht, që të jemi të përkrahur nga shumica e superfuqive vendimarrëse në çështjet gjeopolitike, por ja që gjeniu ynë dritëshkurtër paska vendosur mos ti përfillë Amerikën, Britanin dhe Francën”, ka shtuar Maliqi në fund.