Kryetari i tifo-grupi kosovarë “Dardanët”, Lulzim Berisha i është kundërpërgjigjur tifo-grupit rumunë, “Uniti sub tricolor”.
“Uniti sub tricolor” ka “ngacmuar” mbrëmë “Dardanët” për mos udhëtimin e tyre drejt Bukureshtit për ndeshjen kthyese ndaj Rumanisë, duke aluduar se ata ia kanë pasur frikën.
Por, i shpejtë ka qenë edhe reagimi i “Dardanëve”. “Luli”, kryetar i tifo-grupit kosovarë ka publikuar një fotografi ku shihen simbolet e “Uniti sub tricolor”, që sipas tij i kanë marrë pas një konfrontimi në ndeshjen e parë që është zhvilluar në Prishtinë.
“Disa akte me qëllim kemi dashur që të mos i publikojmë, në mënyrë që të mos dëmtohet imazhi i vendit tonë e as të mos paraqitet ndonjë rrezik për çfarëdo gjobe nga instancat ndërkombëtare për organizimin e ndeshjeve. Meqenëse në adresë tonë nga një tifozëri fëmijësh dhe me orientim filoserb paskan ardhur shigjetime publike, ne atyre ua bëjmë me dije se në tribuna dhe jashtë tribunave nuk ua kemi frikën askujt.
Kur është në pyetje të vihet në praktikë diçka e tillë e bëjmë pa u krekosur në medie. Nëse provokohemi, kundërpërgjigjemi në mënyrën tonë siç dëshmon fotografia që po publikojmë më poshtë. Ky nuk është një terren të cilin nuk e njohim. Bile e njohim edhe mirë, por luftojmë me të gjithë forcat që t’iu shmangemi deri kur na u imponohet. Në vendin tonë rregullat i bëjmë vetë, në heshtje, gjithmonë në përpjekje për ta ruajtur edhe Kombëtaren e Kosovës, të cilën e duam shumë. Atyre u dërgojmë selam se shihemi në ndeshjet tjera, kur problemet burokratike nuk na bëhen pengesë e udhëtimeve”, thuhet në postimin e Berishës.