Federata e Futbollit e Kosovës ka demantuar Prishtinën lidhur me zhvillimin e ndeshjes ndaj Lirisë në kuadër të xhiros së pestë të Superligës së Kosovës.
Ekipi më i trofeshëm në vend, njoftoi para pak minutave se ndeshjen e kësaj xhiroje do ta zhvillojnë në “Fadil Vokrri”, por i shpejtë ka qenë reagimi nga FFK-ja.
FFK-ja ka njoftuar se ndeshja nuk do të mund të zhvillohet në “Fadil Vokrri” dhe se Prishtina mund ta shfrytëzojë Kampin Nacional në Hajvali.
“Komisioni i Garave i Superligës dhe Ligës së Parë me kohë ka njoftuar FC Prishtina se ndeshja e javës së 5-të në Albi Mall Superligë, ndërmjet FC Prishtina dhe FC Liria, nuk do të mund të zhvillohet në stadiumin “Fadil Vokrri”, ngase menjëherë pas përfundimit të ndeshjeve të ekipeve kombëtare, FFK ka filluar me procesin e riparimit të fushës.
FFK, si zakonisht, i ka dalë në ndihmë FC Prishtina, duke ia vënë në dispozicion stadiumin me bari natyral në Kampin Nacional të FFK-së për zhvillimin e kësaj ndeshje, ashtu siç ka bërë edhe në ndeshjet e kaluara të këtij edicioni. Andaj, Komisioni i Garave ka vendosur që ndeshja në fjalë të zhvillohet më 17 shtator, në orën 15:00, në Kampin Nacional në Hajvali.
Pas kësaj jave, sipas ekspertëve të fushës, përfundon faza e rikuperimit të fushes dhe do të mund të rifillojë zhvillimi i ndeshjeve të Superligës në stadiumin “Fadil Vokrri” thuhet në njoftimin e FFK-së