Autori i dy atentateve ndaj Anton Berishës, ish-drejtorit të Autoritetit Rregullator të Telekomunikacionit, Agim Hoti në një rrëfim ekskluziv në “Paradoks” me Vehbi Kajtazin ka deklaruar se predha me të cilën ishte bërë atentati ndaj Berishës kishte qenë 8 mijë gradë celcius e nxehtë.
Ai në këtë rrëfim ekskluziv ka treguar edhe për rrahjet që i kishte pësuar gjatë kohës sa ishte në burg që kishin rezultuar edhe me paralizimin e tij në pjesën e poshtme të trupit.
“Pas arrestimit tonë, unë kam prit që do të më rrahin, naj shqelm naj ashtu, por të jesh i bindur që rrahja ime ka zgjatur deri në 12 orë.”, ka rrëfyer ai.
Ai është shprehur se është rrahur edhe nga policët ndërkombëtarë dhe vendorë.
“Thjesht, secili polic që ka ardhur në atë kohë, pjesëtar i Shërbimit Policor, mua më ka rreh saqë tre herë më ka ra të fikët gjatë rrahjes. Secilin prej policëve që ka ardhë thoshte se ka qenë në veturë, pse s’po tregon. Dy duart i kam pasë të lidhura prapa karriges dhe këmbët. Më kanë zhveshë, gjoja për ekzaminimin e rrobave dhe karriga është thyer dhe si pasojë e asaj se besoni e dini në 2007, ndalimi policor ka qenë 72 orë dhe nga ajo torturë që më është bërë mu, pas 7 muajsh në qendrën e paraburgut në Prizren më ka kapur paraliza që e kam të diagnostikuar nga specialistëve mjekësorë. Nga shoka e poshtë kam qenë i palëvizshëm. Pastaj jam trajtuar në QKU dhe më kanë transferuar në burgun e Dubravës, në spitalin e burgut të Dubravës dhe aty kam qenë 8 vite i palëvizshëm, me karrocë, e mban mend seancën, më kanë pru edhe me shtrat.”, ka rrëfyer Hoti.
Ai ka thënë se i njeh disa nga policët të cilët kanë ushtruar dhunë ndaj tij, madje siç shprehet ai nuk ia kanë “kursyer as plagët e luftës”
“Është shumë e dhimbshme që disa pjesëtarë të Shërbimit Policor në atë kohë e që sot janë policë të Kosovës nuk m’i kanë kursyer as plagët e luftës, m’i kanë rrahë. Ata policë unë i njoh shumë mirë dhe më vjen keq prej tyre. Ne jemi njerëz dhe pa dashje gabojmë, por po ta kryej një person, një individ një vepër penale është burgu që ka me vuajte dhe gjykata merret me të, por jo dhuna e torturë, kam përjetuar shumë tmerr. 12 orë më kanë rrahur pa ndalë.”, rrëfen Hoti për “Paradoks”.
Hoti ka thënë se predha me të cilën është bërë atentati është 8 mijë gradë e nxehtë.
“Thuhet një fjalë në popull, kur thehet kerri, udhë ka sa të duash. Ka momente kur e kam shkrepë dhe i kam ra pishman, ai është moment që njeriu nuk mund ta kontrollojë vetën. I kam ra pishman që në atë ditë. Them të drejtën edhe më ka ardhur keq, kjo vepër nuk është për t’u mburrë, është e ranë, edhe qysh e din, edhe Antonit edhe policëve që kanë qenë në veturë, i kam kërkuar falje dhe nga kjo studio shfrytëzoj rastin t’i kërkoj falje edhe Antonit sepse më ka ardhur mirë sepse kishte qenë djal hastreti dhe fati i madh dhe fuqia e Zotit sepse qajo predhë e qasaj zolle që ka hy në motorin e veturës ajo është 8 mijë gradë celcius nxehtësia.”, tha Hoti.
Hoti ka thënë se nuk e ka ditur se kush është brenda veturave.
“Ka edhe prej tyre që kanë qenë miq të mi, 3 ose 4 kanë qenë edhe ish pjesëtarë të UÇK-së, por aty ka mundur të jetë motra ime, vëllau, daja, shembull, unë nuk e kam ditur.”, tha ai. /Paparaci.com/