Të fundit

Nga “as asi, as kësi” në “qiky Asociacioni”: Refuzimi entuziast dhe pranimi shpërfillës i Konjufcës për “Zajednicën”

“Zajednica nuk do të bëhet kurrë”, “As kësi e as asi”. Janë fjalët e kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca në fillim të vitit 2022 ku kategorikisht kundërshtonte themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë. Por ditëve të fundit, Konjufca e ka quajtur “marrëveshje të mirë” themelimin e “Zajednicës” në këmbim të njohjes ‘de facto’ nga Serbia.

Në fillim të vitit 2022, entuziazmi i kryeparlamentarit të Kosovës, Glauk Konjufca për refuzimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe ose siç është quajtur përherë nga Lëvizja Vetëvendosje “Zajednicës”, ishte i palëkundur, ai me tone bindëse dhe me një siguri të pacenuar deklaronte se “Zajednica nuk do të bëhet kurrë”, shkruan Paparaci.com.

Në RTV Dukagjini, Konjufca kishte thënë se, Asociacioni në Kosovë nuk do të bëhet as me kompetenca ekzekutive e as pa kompetenca ekzekutive, pasi sipas tij, kjo nuk i duhet Kosovës. Në pyetjen e gazetarit nëse do të bëhet Asociacioni pa kompetenca ekzekutive, Konjufca ishte përgjigjur si më poshtë:

“Unë mendoj që jo; nuk do të bëhet. Kosovës nuk i duhet kurrëfarë Asociacioni – As kësi e as asi – sepse, nëse është Bashkim i Komunave Serbe në çfarëdo mënyre, unë mendoj që nuk duhet të ndodhë kurrë, kështu besoj që edhe do të jetë.”, kishte thënë Konjufca.

Por, në një paraqitje vizive në Kallxo.com, Konjufca e ka quajtur “marrëveshje të mirë” themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe sipas marrëveshjes së vitit 2013 në këmbim të njohjes ‘de facto’ nga Serbia. Ai më një shpërfillje të çuditshme për “Zajednicën” tha “qiky Asociacioni”, duke lënë të kuptohet se kishte harruar protestat “gjithëpopullore” të Lëvizjes Vetëvendosje kundër.

“A e din çka është kjo Marrëveshja e Ohrit se po e di ku po don me dal. Neni 7 i Marrëveshjes së Ohrit është – se dy pjesë janë këtu njohja de facto edhe qyky Asociacioni – me mujtë Kosova, kurgjo pa e ngarku Kosovën më shumë se që ka pranu Qeveria Thaçi 2013, kurgjo ma shumë për mos me dhanë për me arritë t’i me fitu njohjen de facto. Qekjo na është dukë neve deal (marrëveshje) e mirë”, tha Konjufca.

Në Marrëveshjen Bazë të Brukselit e cila u përforcua edhe me një Aneks të Zbatimit të dakorduar në Ohër, dokumente këto në të cilat insiston kryeministri i Kosovës, Albin Kurti parashihet ngritja e një niveli “të duhur të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë”.

Në nenin shtatë të kësaj marrëveshje thuhet se të dyja palët angazhohen të krijojnë marrëveshje dhe garanci specifike, në përputhje me instrumentet përkatëse të Këshillit të Evropës dhe duke u mbështetur në përvojat ekzistuese evropiane, për të siguruar një nivel të duhur të vetë-menaxhimit për komunitetin serb në Kosovë dhe aftësinë për ofrimin e shërbimeve në fusha specifike, duke përfshirë mundësinë e mbështetjes financiare nga Serbia dhe një kanal të drejtpërdrejtë komunikimi për komunitetin serb me Qeverinë e Kosovës.

Por, në takimin e fundit në Bruksel që u zhvillua në mes të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq nuk pati asnjë rezultat pozitiv. Bashkimi Evropian fajësoi më shumë Kosovën për mospranimin e planit të Bashkimit Evropian ku njohja ‘de facto’ dhe fillimi i themelimi të Asociacionit parashiheshin të niseshin njëkohësisht në implementim.

Në anën tjetër, kryeministri Kurti ka deklaruar se ka qenë i vetmi që ka bërë propozim për zbatim të marrëveshjes. Ai madje ka akuzuar se ndërmjetësit e Bashkimit Evropian, Josep Borrell dhe Miroslav Lajçak kanë pranuar një “dokument kushtëzues” nga presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq ku themelimi i Asociacionit vendoset si parakusht për nisjen e zbatimit të marrëveshjes. /Paparaci.com/ 

Video nga Paradoks

Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Paparacit në Viber.

Subscribe në kanalin zyrtar të Paparacit - Kliko KËTU

Të fundit

TË TJERA

Qëndro i informuar

Për të mos ju ikur asnjë lajm, regjistrohu në Paparaci