Derisa Faruk Statovci do të ulet sot për bisedime me kryetarin e klubit Phoenix rreth kushteve të kontratës për t’u angazhuar si kryetrajner i skuadrës, artisti Kreshnik Fazliu i cili është pjesë e stafit teknik të skuadrës nga Banja e Istogut, nuk merr asnjë cent për angazhimin e tij aty.
Fazliu, i njohur me emrin artistik “MC Kresha”, ka thënë se nuk paguhet financiarisht për angazhimin e tij në FC Phoenix, në Ligën e Parë të Kosovës në futboll.
“A e din sa e kam rrogën unë aty në Phoenix? E kam zero. Asnjë cent nuk e marrë. E bëj vetëm për të ngritur nivelin e futbollit tonë. Ka shku aty për merak, për me çu vëmendjen e futbollit edhe në Ligën e Parë”, i tha MC Kresha, analistit dhe trajnerit Faruk Statovci.
Të dy trajnerët e futbollit ishin të ftuar në emisionin Duesli Sportiv në RTV Dukagjini të dielën. Statovci tha se sot, të hënën, do të zhvillojë bisedime për të marrë timonin e FC Phoenix.
Ai tha se do të ketë takim me kryetarin e klubit, Mihdin Feratin.
“Është e vërtetë që kam ofertë nga Phoenixi i Banjës. E kemi lënë një takim për nesër [të hënën] rreth mundësisë së angazhimit tim. A do të bëhet zyrtare apo jo, do ta shohim nesër”, tha Statovci.
Statovci dhe Fazliu, me shumë mundësi, do të jenë bashkëpunëtor të njëri-tjetrit në skuadrën e Banjës së Istogut.