Kryediplomati i BE-së, Josep Borrell, ka bërë të ditur se sonte në Nju Jork të ShBA-së do të mbajë një takim joformal me ministrat e Jashtëm të shteteve që janë anëtare të BE-së.
Sipas tij, në këtë takim ministrat do t’i informojë edhe për atë çfarë ndodhi në takimin e 14 shtatorit të nivelit të lartë në kuadër të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
“Unë do t’i informoj ministrat për takimin e fundit të nivelit të lartë të dialogut [Beograd-Prishtinë], me Kosovën dhe Serbinë, për të shpjeguar se çfarë ka ndodhur dhe për të parë zhvillimet e ardhshme të dialogut”, u shpreh Borrell.
Të enjten e kaluar, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, u takuan në Bruksel, në një takim të lehtësuar e ndërmjetësuar nga BE-ja.
Megjithatë, ai takim nuk solli rezultate. Pas atij takimi, Borrell ka thënë se Kurti nuk e ka pranuar propozimin e BE-së.
E, Kurti dhe Vuçiq akuzuan njëri-tjetrin për mungesën e rezultateve në atë takim.