Për kryeministrin Edi Rama rruga e njohjes përfundimtare të Kosovës, kalon nga Prishtina.
Kështu iu përgjigj kreu i qeverisë pyetjes nëse është diskutuar me Presidentin e Ukrainës, njohja e pavarësisë së Kosovës.
“Shiko, ne e kemi diskutuar padiskutim edhe me Presidentin Zelensky edhe e diskutojmë në cdo instancë me cdo lider që përfaqëson një vend që nuk e ka njohur Kosovën, por nga ana tjetër, ne jemi shumë të qartë dhe të bindur se rruga e njohjes përfundimtare të Kosovës nuk kalon as nga Ukraina as nga Gana, Nigeria, por kalon nga vetë Prishtina”, është shprehur ai.
Tutje, Rama tha se edhe Prishtina duhet të kuptojë që në vend se të shfrytëzojë gjithë këtë themel miqësish po e minon atë me një qasje.
“Është Prishtina, e cila duhet ta bëjë deri në fund përpjekjen dhe mos t’i shmanget shtegut të hapur të një mundësie të madhe që është krijuar me planin franko-gjerman me dialogun në Bruksel, me mbështetjen e gjithë aleatëve që i dhanë jetë Kosovës së lirë demokratike dhe të pavarur dhe është Prishtina që duhet të kuptojë që në vend se të shfrytëzojë gjithë këtë themel miqësish po e minon atë me një qasje që me gjithë përpjekjet e mia, jam i pasuksesshëm për ta kuptuar se ku do të dalë.” u shpreh Rama./abcnews.al