Hera e fundit kur Ardian Xhaferi u dënua është në 2021, për një rast të ndodhur më 2012.
Xhaferi po akuzohej bashkë me Burim Osmanin i njohur si “Duda”. Të dy reperët kishin shtënë tek njeri-tjetri, por nuk ishin qëlluar.
Prokuroria, në aktakuzën e ngritur, kishte përmendur faktin se Ardian Xhaferi ishte recedivist dhe në atë kohe ishte i dënuar për 6 vepra penale.
“The Mike”, flet shkurt për këtë histori hasmërie gjatë kohës sa ishte lider i grupit muzikor “E7”, dhe “Dudës”, lider i grupit “Doubel G”, grupe këto që kishin “ndarë” edhe përkrahësit në dy pjesë.
“Ky rast ka lindë prej klubeve të natës, ka përfundu, ka eskalu gjendja derisa për pak jena kane edhe t’u u vra, kom tentu me e vra, ajo punë u kry. E këna bashku qytetin, shyqyr që nuk ka ndodhë ma e madhe, qato që ka ndodhë në e kam kry. Problemet që i kam bo unë i kam kry, qysh i kam pagu, i kam pagu me burg”, ka thënë ai.
“The mike” dhe “Duda”, do shtrinin dorën e pajtimit, duke i dhënë fund rivalitetit mes tyre në muzikë dhe problemeve jashtë saj. Por procesi gjyqësor në këtë rast do vazhdonte.
Në 2021, Gjykata kishte veçuar procedurën e Xhaferit ndaj Osmanit, pasi ndaj këtij të fundit ndonëse ishte lëshuar fletë rreshtim, nuk ishte arritur të sillej para gjykatës.
Ardian Xhaferi, kishte pranuar fajësinë për këtë rast dhe ishte dënuar me burgim unik prej 1 vjet e katër muaj burgim, për “vrasje në tentativë dhe “armëmbajtje pa leje”. Dënim ky, i cili është bërë i plotfuqishëm
Në arsyetimin e këtij aktgjykimi të shpallur nga gjykatësi Islam Thaçi, si rrethanë lehtësuese ishte marrë pranimi i fajësisë, ndërsa nuk i është përmendur e kaluara e tij kriminale, ndonëse kjo i ishte përmendur edhe në fjalën përfundimtare të prokurorit.
Ky rast është trajtuar nga prokurori Arben Kadriu, aktualisht Kryeprokuror në Prokurorinë Themelore në Gjilan.
Në një përgjigje me shkrim, nga zyrtarja për informim e prokurorisë së Gjilanit, Liridona Xheladini, thuhet se në aktakuzë janë përshkruar aktgjykimet që Xhaferi ka pasur. Ndërsa edhe në gjykatë është kërkuar që e kaluara e tij kriminale të merret si rrethanë rënduese. Kryeprokurori Kadriu nuk është përgjigjur për t’u intervistuar rreth kësaj teme.
Se pse nuk është marrë si rrethanë renduese e kaluara kriminale e Xhaferit “Betimi për Drejtësi”, ka kërkuar përgjigje edhe nga gjykatësi Thaçi, por ai ka refuzuar të përgjigjet.
Sabit Shkodra-Zyrtar për Informim dhe Monitorim të Mediave
“Sa i përket rreth rastit në fjalë, ky aktgjykim (PKR.nr.3/2014) i Gjykatës Themelore në Gjilan është bërë i formës së prerë dhe i pandehuri ka vuajtur dënimin në institucionet përkatëse, ndërsa sa i përket kërkesës për intervistë, gjyqtari i çështjes refuzon të jap intervistë-komentoj vendimin i cili ka marr formën e prerë”, ka bërë të situr Sabit Shkodra, Zyrtar për Informim dhe Monitorim të Mediave.
“Betimi për Drejtësi”, ka kërkuar intervistë edhe me të parin e Gjykatës së Gjilanit, Venhar Salihun, por me arsyetimin se ka agjende të ngjeshur ai ka refuzuar të flasë./BetimipërDrejtësi