Ministria e Shëndetësisë i quan të pabaza pretendimet për mungesë të furnizimeve për institucionet shëndetësore në komunat veriore, dhe se një nga pretendimet lidhet dhe me pikat kufitare.
Me anë të një komunikate për media, nga MSh thonë se përveç pikave kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak që qëndrojnë të mbyllura për arsye të sigurisë, pika tjetër kufitare në Merdare është e hapur.
“Bëjmë me dije se çdo kërkesë për donacione për Institucionet shëndetësore në komunat me shumicë serbe trajtohet nga komisioni i donacioneve dhe në asnjë rast nuk ka pasur vonesë të asnjë forme. Deri më tani asnjë kërkesë e tillë nuk është refuzuar”.
Tutje thuhet se edhe përkundër mbylljes së përkohshme të pikave kufitare edhe më herët dhe tani, të gjitha produktet që importohen nga Serbia në përputhje me Ligjin për Pajisje dhe Produkte Medicinale kanë bërë përjashtim.
“Ministria e Shëndetësisë ka qenë dhe vijon të jetë e gatshme në çdo kohë për furnizim dhe çfarëdo mbështetje tjetër që mund të kërkohet nga Institucionet shëndetësore”, deklarojnë nga Ministria e Shëndetësisë.